Kontrabandë apo lënie masive e duhanit…

30 Korrik 2015, 18:20Blog TEMA
Kontrabandë apo lënie masive e duhanit…

Nga Eduard Zaloshnja

Sipas të dhënave në faqen aktuale të internetit të drejtorisë shqiptare së doganave, 4500 ton cigare u taksuan në vitin 2010. Vetëm rreth 3000 ton u taksuan në vitin 2014. Rënia ishte graduale – rreth 3250 ton në 2011-ën, rreth 3600 ton në 2012-ën, rreth 3700 ton në 2013-ën dhe rreth 3000 ton në 2014-ën (shihni grafikun shoqërues).

Një rënie e ngjashme ka ndodhur edhe me birrën – nga 34 mijë hektolitra në 2010-ën, taksimi ka rënë në 26 mijë hektolitra në 2014-ën – por e njëjta gjë nuk ka ndodhur me kafen apo me karburantet – taksimi i kafes është rritur nga 6300 ton në 7400 ton, ndërsa i karburanteve ka mbetur pothuaj i pandryshuar.

Në një vend ideal, rënia e mësipërme e taksimit të cigareve dhe birrës do të ishte një lajm shumë i mirë – do të sinjalizonte uljen e duhanpirjes me 33% dhe të birrëpirjes me 25%. Por Shqipëria e dimë që nuk është një vend ideal…

Meqë për duhanpirjen në Shqipëri kam kryer dy studime të financuara nga American Cancer Society, mund ta analizoj rënien e taksimit të cigareve më me kompetencë se atë të birrës.

Sipas studimit të dytë të sipërcituar ( http://tobaccocontrol.bmj.com/content/19/6/463.full ), rezultonte se 20% e duhanit të konsumuar në Shqipëri në vitin 2009 nuk kishte kaluar nëpër filtrin e taksimit. E përkthyer në ton kjo përqindje, na thotë se nga rreth 5600 ton të konsumuara, rreth 1100 ton ishin të pataksuara. Nga këto, rreth 200 ton ishin duhan me të dredhur nga prodhimi vendas (që nuk taksohej) dhe rreth 900 ton ishin kontrabandë. Krahasuar me 2007-ën (kur u krye studimi i parë i sipërcituar), kontrabanda pothuaj ishte përgjysmuar.

Vijmë tani tek viti 2014. Çfarë ndodhi me 5600 tonët e konsumit të cigareve? Një mundësi është që kontrabanda të ketë mbetur përsëri në nivelin 20% dhe konsumi i cigareve të ketë rënë me 1/3 (sa ç’ka rënë taksimi i cigareve). Por literatura botërore na tregon se ky skenar është praktikisht i pamundur. Për shembull, në SHBA, u deshën të kalonin 50 vjet qysh kur iu shpall luftë shtetërore duhanpirjes (me rritje taksash, ndalim pirje në ambiente publike etj.), që konsumi për frymë i cigareve të ulej me 50% (pra 1% reduktim në vit). Edhe një studim i kryer nga kolegë të mij në bashkëpunim me mua (http://www.ncbi.nlm.nih.gov/pubmed/19256288 ), parashikonte një reduktim prej 1% në vit në Shqiperi, ne kushtet e rritjes së taksave dhe zbatimit të ligjit antiduhan.

Një shpiegim tjetër për rënien e taksimit mund të jetë rritja e ndjeshme e konsumit të duhanit vendas (me të dredhur) të pataksuar. Por rritja e tij nuk mund të shpiegojë një deficit prej 2600 tonësh (5600-3000). Që të ketë ndodhur kjo gjë i bie që gjysma e fushave të Shqipërisë të jenë mbjellë me duhan…

Meqënëse nuk kemi në dorë një studim rigoroz për duhanpirjen aktuale në Shqipëri, mund të bëjmë një hamendje të edukuar rreth deficitit prej 2600 tonësh mes konsumit të 2009-ës (5600 ton) dhe taksimit të 2014-ës (3000 ton).

Si rezultat i rritjes së taksimit dhe ndalimit të duhanit në ambjentet publike mund të kemi patur një rënie prej 5% të konsumit të duhanit (mesatarisht 1% në vit). Kjo përkthehet në rënie të konsumit me rreth 300 ton. Ndersa si rezultat i rritjes së çmimit të cigareve të importit, mund të kemi patur një dyfishim të prodhimit të duhanit vendas (me të dredhur). Kjo përkthehet me një rënie prej 200-300 tonësh të taksimit (doganat shqiptare po mundohen ta taksojnë prodhimin vendas, por pa sukses).

Në përfundim, mbetet që rreth 2000 ton cigare të importit ta kenë kaluar vjet traun e doganës pa u taksuar, ndërkohë që në treg shumë rrallë gjen paketa pa pullë fiskale.

Ndoshta kontrabandistët kanë falsifikuar pullat fiskale?…

Shënim: Në fillim të vitit 2014, ra importi i cigareve, meqë ishin importuar shumë në vitin paraardhës (para rritjes së taksës). Por kjo gjë u kompensua me rritjen e importit në fund të vitit, për tí paraprirë rritjes së mëtejshme të taksës në vitin pasardhës. Ne 6-mujorin e pare te 2015-es u taksuan vetem 1100 ton cigare.

9 komente në “Kontrabandë apo lënie masive e duhanit…”

  1. GHUFTYDF says:

    Kush ka para per te blere 2500 leke te vjetra nje pakete?
    2 paketa qe pin nje njeri mesatarisht dhe te iken pensioni qe eshte 145,000 ne muaj.

    Ose e kane lene ose e pijne me te dredhur…

    1. Gopisti i NSHRAK-ut says:


      Ne e kam gabim
      Ison mos ma mbani
      Nuk e lane ata
      Po i la duhani.
      ***
      Ka shku nje pakete
      Dymijepesqind leke
      Duhani eshte luks
      Kur nuk ke as breke.
      ***
      Nje cudi me ben
      Me kte Zalo trimin
      Kur me Ameriken
      E ben krahasimin.
      ***
      Me amerikanet
      Shume mos e kruaj
      Sa marrin ne dite
      Merr shqipja ne muaj.
      ***
      ?

      1. tironc denbabaden says:

        rroga me t’larta ne amerike, por dhe cmime paqeta shume te larta 12 dollara paqeta – 15 mije leke paqeta jo 2500 leke

  2. orion says:

    Shteti donte vec ti merziste pak shqiptaret, ose tu merrte pervec takses se cigareve edhe gjobat …por jo qe ta linin duhanin me te vertete. Shtet haleja.

  3. Tasim says:

    Arkimedi thosht me jepni nje pike mbeshtetje dje ta leviz boten. Ti shoku Zoloshnja je totalisht ne ajer. Dhe ske as flatra!

  4. ekilo says:

    Fut Vilma Nushi cigare kontrabande sa as vete nuk e di. Ish ortakja e Ahmetaj po ben namin. Ky analisti leshisti thote qe po lejne masivisht duhanin. Ne kohe krize vetem duhani dhe buka nuk biejn.

  5. sit.. back....and relaks → says:

    me nje fjale po afron ndonje tender per te bere pulla te reja fiskale dhe po paraprijme me kete analizen e zaloshnjes

  6. Tema says:

    Ka shum mënyra me qetsu trunin.

  7. NESTI says:

    po duhani u rrit hashashi u ul .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje