Ministria e Shëndetësisë, në mbështetje të mbarëvajtjes së sezonit veror, ka ngritur dhe vënë në funksionim 22 qendra shëndetësore në dispozicion të pushuesve dhe turistëve, duke filluar nga java e parë e muajit qershor.
Ministria e Shëndetësisë në një njoftim për mediat sot pasdite bën me dije se “Për periudhën 1 qershor – 2 gusht 2015, janë kryer gjithsej: 11194 vizita mjekësore në 22 QSH-të e posaçme të sezonit veror, prej të cilave: 67,6% – Vizita mjekësore; 27,1% – Mjekime lokale; 8,0% – Ndërhyrje mikrokirurgjikale; 3,8% – Referime në spital”.
Po ashtu, në njoftimin e Ministrise se Shëndetësisë thuhet se “Këto qendra, të cilat funksionojnë me shërbim 24 orë, me mjek dhe infermier, janë të shtrira në të gjithë vendin; 19 përgjatë vijës bregdetare nga Velipoja në Ksamil dhe 3 të tjera në Alpe (Valbonë, Razëm, Theth) ofrojnë shërbim mjekësor të shpejtë dhe efikas, 24 orë në 7 ditë të javës, deri në fund të muajit gusht. Qendrat janë të pajisura me një set standard mjetesh mjekësore. Po ashtu, ato janë furnizuar me barna dhe materiale të nevojshme mjekësore”.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të pushuesve edhe numra telefoni për çdo nevojë shëndetësore në të gjithë qendrat e reja të hapura përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe Alpeve të Shqipërisë.