Prezantohen trajnerët e ekipeve kombëtare U-21 dhe U-19 të Shqipërisë

12 Gusht 2015, 15:01Sport TEMA

Sot në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit, Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Ilir Shulku, bëri prezantimin e trajnerëve të sapo emëruar të kombëtareve U-21 dhe U-19 të Shqipërisë. Redi Jupi do të jetë trajneri i ri i ekipit kombëtar U-21 dhe Arjan Bellai trajner i ekipit U-19.

“Falenderoj fillimisht trajnerët paraardhës, për punën e lavdërueshme që kanë kryer në drejtimin e ekipeve të tyre. Dihet që Skënder Gega, është larguar për të drejtuar një ekip në Kuvajt, ndërsa Altin Lala, nuk do të jetë më trajner i U-19 dhe pjesëtar i stafit të ekipit kombëtar, sepse ka kërkuar të largohet për shkaqe personale. Sidoqoftë, një kampion si Lala është gjithmonë i mirëpritur në stafet tona”- deklaroi Shulku në fjalën e tij.

Më pas Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, prezantoi Redi Jupin, si drejtues të ekipit kombëtar të U-21 të Shqipërisë dhe Arjan Bellain si drejtues i ekipit U-19.

“Kemi nisur punën menjëherë për të përgatitur dy ndeshjet e radhës, kundër Izraelit dhe Portugalisë. Them se do të jenë ndeshje të vështira, të cilat do të kërkojnë impenjim maksimal. Nuk do të bëjmë ndryshime të mëdha”-tha mes të tjerave trajneri Redi Jupi.

Ndërsa Arjan Bellai duke shprehur falënderime për besimin që iu është dhënë u shpreh se: “Sigurisht, që për skuadrën kam pak gjëra të reja për të thënë, për shkak se e njoh duke punuar së bashku me Altin Lalën. Do të bëjmë më të mirën, me kontingjentin e lojtarëve që kemi në dispozicion”.

Ndihmës i trajnerit Redi Jupi do të jetë një prej emrave më të njohur të futbollit shqiptar në vitet 70-80, Vasillaq Zëri. Ndërsa ndihmësi trajnerit Arjan Bellai tek 19 vjeçarët, do të jetë një tjetër emër i njohur i futbollit në vitet 80-90, Sulejman Demollari.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje