“Jeta është shumë e shkurtër për të qenë e mërzitshme”, është motoja e regjisores angleze Lucy Walker, dy herë e nominuar për Oscar, fituese e më shumë se 100 çmimeve me veprat e saj.
Pika kryesore në procesin e realizimit të filmit, sipas saj, është përzgjedhja e temës së duhur.
Rregulli i saj i artë është: nëse filmbërësi dyshon për një skenë, duhet ta largojë atë pa e menduar dy herë. Titullin dhe hapjen e filmit i konsideron dy gjërat më të vështira. Disa prej truqeve që ajo ka zbuluar gjatë karrierës së saj në realizimin e dokumentarëve dhe filmave të suksesshëm, i ka shkëmbyer me kosovarë e të huaj, shkruan sot Koha Ditore.
“Do të mundohem të flas për punën e montazhit, ani pse unë jam regjisore, por kam pasur fatin të punoj me montazhierë të mrekullueshëm”, ishte paralajmërimi i saj pak para se të niste ligjëratën “The secret rules of documentary film editing» në masterklasin, të mbajtur të mërkurën në “Kino Klubi” në Prizren. Walker është njëra prej mysafireve speciale në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër «DokuFest».
Ajo erdhi për herë të parë në Kosovë, por për historinë e saj dhe të rajonit di shumë. Walker u lind e u rrit në Angli, por karriera e saj do të lulëzonte pasi i zhvendos për të vazhduar studimet në ShBA. Historia e fundit e Ballkanit s’është e panjohur për të.
“Jam rritur në Angli dhe kam qenë e njohur me situatën që po ndodhte. Zemra ime gjithmonë ka qenë në këtë rajon dhe kisha një mësues nga Kroacia dhe ai më tregoi për kohët e vështira që keni kaluar në këtë rajon”, ka thënë Walker, e cila e ka vlerësuar lart «DokuFestin» për kualitetin që ofron. Ajo madje ka shfrytëzuar rastin që të shikojë filma në kinematë e festivalit.
«E shoh se ky festival është shumë i madh për Kosovën dhe më pëlqen që po shoh kaq njerëz që janë pjesë e tij. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishin njerëzit e dashur. Mund të tingëllojë pak klishe, por është e vërtetë. Pata biseda shumë interesante me njerëzit dhe më kanë bërë të kuptoj më shumë për vendin tuaj», ka thënë Walker, e cila qytetin e Prizrenit e ka cilësuar unik dhe interesant. “Për mua është shumë e rëndësishme të përcjell ngjarjet e në të njëjtën kohë të dëgjoj ezanin, të shoh xhamitë. Është një vend unik me një miks kulturash, ku mund të gjesh objekte të ndryshme të kultit në të njëjtin vend. Më pëlqen dhe jam e lumtur që pata rastin ta vizitoj”, ka thënë Walker në një bisedë për «Kohën Ditore» fill pas përfundimit të ligjëratës, e cila zgjati gati dy orë. Ka folur për çelësin e suksesit për një realizim të suksesshëm filmik.
“Kur jeni në proces të krijimit është me rëndësi që aty të jepni shpirtin tuaj. Kjo është diçka për të cilën unë nuk mund t’ju mësoj, por mund t’ju jap disa truqe, të cilat mund t’ju hyjnë në punë», ka thënë Walker. Ajo ka 12 sekrete të cilat ia propozon secilit filmbërës. Njëri prej tyre është edhe njohja e ambientit ku do të xhirojë.
“Të kesh më shumë informacione gjithmonë është mirë. Nëse e marrim shembull Prizrenin, është mirë që të xhirosh detaje që e karakterizojnë qytetin siç janë xhamitë, ezani, shtëpitë tradicionale dhe elementet e tjera të trashëgimisë kulturore», ka thënë Walker, e cila ka pesë herë ka qenë në listën e ngushtë dhe dy herë e nominuar për «Academy Awards». Në janar të vitit 2011 ajo u nominua për «Oscar» në kategorinë «Best Documentary Feature» për dokumentarin «Wasted Land», ndërsa një vit më vonë u nominua në kategorinë «Best Documentary Short» me «The Tsunami and the Cherry Blossom». Në vitin 2007 «Blindsight» dhe në vitin 2014 «The Crash Reel» ishte në listë në ngushtë. Ka shpalosur një pjesë të shkurtër të këtij dokumentari, i cili ka të bëjë me rënien dhe ngritjen e kampionit të snowboardit Kevin Pearce, i cili përjetoi një lëndim traumatik në tru pasi që u rrëzua gjatë një gare. Aty ndërthur elemente reale qe sjellin momente të vështira me të cilat përballet Pearce. Xhirimet thotë se kanë zgjatur me muaj por pak prej tyre janë përdorur. Në versionin e fundit të dokumentarit ajo ka thënë se ka përzgjedhur pjesët më të fuqishme.
“Nëse doni që filmi të jetë i mrekullueshëm, duhet të jeni të sigurt që secili moment të jetë i fuqishëm”, ka thënë Walker. Këto detaje kjo kineaste e njohur ka thënë se perfeksionohen me kohë dhe përvoja e bën të vetën.
«Kur nisa të merrem me këtë punë do ta përdorja gjithë xhirimet që kisha. Tani me kohë e di saktë se çka më duhet e çka jo. Kjo pasi që gjatë punës, më e vështira është të gjesh zemrën e procesit», ka thënë Walker. Ka një hap që e ajo e bën gjithmonë para se ta përfundojë filmin. Ajo mbledh një grup të caktuar të njerëzve, që nga filmbërësit deri tek njerëzit e thjeshtë, dhe ua shfaq krejt materialin. Në këtë formë teston reagimin e audiencës dhe kupton nëse eventualisht do të duhet të shtojë diçka më shumë, ose edhe të ndryshojë. Por kjo nuk do të thotë se vendimi përfundimtar për punën e saj u takon të tjerëve.
«Pranoj ide të mira nga të gjithë. Nuk e kam problem. Por kur vjen puna te realizimi përfundimtar i takon regjisorit ta marrë vendimin», ka thënë Walker e cila u lind në Londër, ku profesionin e saj si regjisore e nisi në shfaqjet teatrale të shkollës së mesme dhe më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Oxfordit, ku drejtoi një mjuzikëll origjinal të cilin e titulloi «Quern» dhe mori çmimin «Oxford University Dramatic Society Cuppers». Walker më pas u bë drejtoreshë artistike e grupit teatror «New Company». Pas diplomimit në Oxford në shkallën master, ajo fitoi një bursë të plotë për shkollim në «Tisch School of the Arts», ku edhe drejtoi filma të shkurtër fitues të shumë çmimeve.
Walker është e njohur për pesë dokumentarët e saj «Devil’s Playground», të cilin e realizoi në vitin 2002, «Blindsight» të vitit 2006, «Waste Land» në vitin 2010 kur realizoi edhe «Countdown to Zero». Ajo njihet edhe për filmat e saj të shkurtër siç është ai i vitit 2011 «The Tsunami and the Cherry Blossom» dhe tre vite më pas «The Lion’s Mouth Opens», si dhe pesëmbëdhjetë episodet për «Blue’s Clues» të «Nickelodeon», për të cilën ajo ka qenë e nominuar për dy «Daytime Emmys» për «Outstanding Directing». Një tjetër dokumentar i saj i shkurtër është ai për jetën dhe veprën e piktorit anglez David Hockney të cilin e ka titulluar «David Hockney in the Now: In Six Minutes». Këtë dokumentar ajo e ka realizuar me pamje arkivore pasi që piktori kishte refuzuar të flasë për veten. Madje qysh në fillim ai thotë: «Unë jetoj në të tashmen, prandaj nëse dëshiron të dish për të kaluarën time duhet të hulumtosh». Dokumentarin ajo e shfaqi pas përfundimit të masterklasës.
Pavarësisht famës që ka arritur, punës së madhe që ka bërë deri më tani, ndarja e përvojës me filmbërës duket një punë që e bën me qejf.
“Dashuria për punën që e bëj, disiplina e përkushtimi më kanë ndihmuar të jem aty ku jam sot”, ka qenë këshilla e fundit e Walker.
Jeta eshte e shkurter. Thyeji rregullat. Fal shpejt. Puth ngadale. Dashuro me plot zemren. Qesh me te madhe dhe kurre mos u pendo per asgje qe te ben te buzeqeshesh. – Twain