RREFIMI/ I penduari Gjokona: Pasi vramë Veizin hëngrëm mish të pjekur

19 Gusht 2015, 19:25Politika TEMA

I penduari i drejtësisë, në procesin ndaj bandës së tritolit te Krimet e Rënda, Ndriçim Gjokona, e ka përshkruar si të frikshme qetësinë me të cilën sillej Julian Sinanaj vetëm pak çaste pas kryerjes së një vrasjeje.

Në këtë pjesë të dëshmisë, Gjokona rrëfen çastet pas vrasjes së Sokol Veizit dhe përpjekjeve të të pandehurve për të fshehur motorin e përdorur në vrasje nga ana e të pandehurit Julian Sinanaj. Në një prej vendeve ku kanë lënë për periudha të shkurtra mjetin, sipas Gjokonës, i pandehuri Erion Mëhillaj ka marrë një sasi eksplozivi C4 për ia bërë dhuratë Benit.

I penduari Gjokona sqaron se Beni ishte emri i koduar që përdornin ata në biseda për Julian Sinanaj. Gjokona ka shpjeguar para gjykatës shpërblimin që do të merrte Sinanaj dhe ai vetë në lidhje me kontributin e tyre në vrasjen e Veizit.

Po në këtë pjesë të dëshmisë, Gjokona rrëfen një përplasje të fortë mes Erion Mëhillajt dhe Julian Sinanajt për shkak të një batute të të parit, që ka prekur të dyshuarin si vrasës me pagesë. Sipas Gjokonës, Sinanaj ka qëlluar me shpulla Mëhillajn, me të cilin ndodhej në të njëjtën tavolinë, dhe për pak mund edhe ta kishte vrarë.

Panorama ka publikuar sot vazhdimin e dëshmisë së të penduarit të bandës së tritolit Ndriçim Gjokona, dhënë gjatë procesit me dyer të mbyllura te Krimet e Rënda.

Mish i pjekur pas vrasjes

Hipëm në makinë dhe diku poshtë lokalit në krah kur shkon për Orikum, afër një benzinatoje është një rrugicë. Kam zbritur unë dhe Juliani nga makina. Më ka treguar se ku e kishte fshehur motorin, midis disa shkurreve, dhe vetë Juliani është kthyer për te makina. Të dy bashkë janë kthyer te lokali, ndërsa mua më lanë të pastroja motorin.

Pasi pastrova motorin, jam kthyer në këmbë për te lokali. Kam ndaluar te një dyqan peshku për të blerë diçka, koca karaburuni, dhe e bëra këtë veprim që po të më ndalonte policia, të dukesha si peshkatar. Kur shkova në lokal, gjeta Erionin dhe Julianin duke porositur mish të pjekur e po hanin darkë. Më pyetën nëse e kam pastruar motorin. I thashë është në rregull. Në atë moment Juliani thotë, rrimë këtu mos të shkojmë në Vlorë, se mos na ndalon policia.

Siç duket Erioni u tremb, duke parë që një person, si ka mundësi të hajë mish të pjekur pas vrasjes dhe tha, do ikim në Vlorë se kam një rast familjar. Jemi takuar dhe kemi ikur në Vlorë. Të nesërmen në mëngjes më ka marrë në telefon Erion Mëhillaj dhe më ka kërkuar të shkoj te shtëpia e tij. Besoj e bëri për të parë gjendjen time psikologjike, si do të reagoja mirë apo keq. Duke parë që çdo gjë ishte në rregull, kemi pirë kafe në lagje, se jemi në të njëjtën lagje, dhe pastaj jemi ndarë. Pas dy ose tri ditësh më ka marrë prapë në telefon dhe më ka kërkuar të dalim për kafe. Vetëm kur pashë makinën që po drejtohej për në Orikum, e pyeta pse në Orikum.

Më tha do shkojmë të marrim motorin ta heqim. Prej aty kundërshtova. Nuk kishin kaluar as pesë ditë nga vrasja. Më tha është rrezik për ta marrë dhe nuk mund të rrezikoj kështu. Më mirë të rrezikojmë të na kapin ne, sesa të kapin K., sepse ai, pra, i vëllai, sipas pretendimeve të tij, nuk ishte mirë psikologjikisht dhe mund të tregonte. Kemi shkuar te vendi ku ishte motori. E kemi ndezur. Erioni ka ikur para me makinë, unë pas me motor, për të më hapur rrugë.

C4 për Julian Sinanaj

Kemi shkuar dhe kemi marrë motorin dhe kemi vajtur në Drashovicë, te gurorja e A. dhe E. L. Aty kemi takuar djalin e xhaxhait të A., por emri nuk më kujtohet. I ka kërkuar që do ta lë këtë motorin tim këtu për disa kohë, vetëm mundohu të mos e prekë njeri me dorë. E kemi mbyllur në një nga zyrat e gurores dhe në momentin që jemi bërë gati për të ikur, Erioni i ka kërkuar djalit të xhaxhait të A. nëse kishte pak eksploziv. Është larguar një moment ai dhe, kur është kthyer, ka pasur me vete një kallëp, një kilogram me dinamit dhe një kallëp tjetër, por peshën e saktë nuk mund ta them, me lëndë eksplozive në formë balte që ai e quante C4. Ka sjellë me vete dhe një pako me kapsolla detonator.

Pasi ka marrë këto dy objekte, jemi kthyer prapë për në Vlorë. Gjatë rrugës, kur e pyeta për çfarë e donte gjithë atë eksploziv, ka thënë do t’ia bëj dhuratë Benit. Në atë kohë Benine quanim Julianin, si pseudonim, dhe më tha do t’i bëhej shumë qejfi po t’ia jap. Kemi shkuar te shtëpia e Erionit dhe më ka kërkuar që të gjenim një vend për të fshehur eksplozivin derisa të takonim Benin që është Juliani. Unë i thashë, vetë nuk kam ku ta mbaj dhe do mundohem të gjej vetë ndonjë vend se unë nuk kam ku ta mbaj

Si u vra Veizaj

Prokurori: Ju ka shpjeguar Juliani si e ka realizuar vrasjen e Sokol Veizit? E pyeti Erioni Julianin për ngjarjen?

Gjokona: Kur u ktheva te lokali, pasi kisha pastruar motorin, i gjeta duke biseduar Erionin dhe Julianin. Juliani po shpjegonte mënyrën si e kishte bërë vrasjen dhe shpjegoi pasi mora zilen në telefon i ka thënë Erionit. I pandehuri Julian Sinanaj ndërhyn pa leje: Ju e bëni këtë punë me pikësynim që të më nxirrëm unë jashtë.

Kryesuesi i seancës: I pandehur, po flisni pa leje të gjykatës, ju tërhiqet vëmendja.

Vijon i pandehuri Gjokona: Juliani po i shpjegonte Erionit se para se të bënte vrasjen, Erioni i kishte kërkuar mos t’i dilte përballë, sepse ishte i rrezikshëm dhe mund ta qëllonte pas krahëve. Juliani, pasi dëgjoi zilen e dërguar nga Erioni, isha duke pritur përballë me lokalin-tha- është ngritur. Është afruar drejt lokalit dhe u ka dalë në anësore personave, që ata të mos kishin dijeni se dikush po afrohej drejt tyre.

Pra, i ka dalë në anësore. Sapo kam hyrë në lokal, siç tha Juliani, kam pyetur kush është Sokol Veizi dhe me pistoletë të tipit Makarov, pa e nxjerrë nga çanta, kam qëlluar drejt Sokol Veizit. Pasi e kam qëlluar në këmbë -tregoi Juliani- u kam kërkuar tre personave që qenë aty të futen në brendësi të lokalit. Pasi kemi hyrë në lokal brenda, po me të njëjtën pistoletë kam qëlluar në drejtim të derës së banjës. Mbasi ka biseduar disa momente me ta, duke bërë lojëra fjalësh, me personat që ishte prezent në lokal, në një moment -thotë- e kam marrë Sokol Veizin prej veshi dhe e kam nxjerrë jashtë lokalit. Kemi vajtur në drejtim të makinës së Sokolit dhe pasi kam marrë dokumentet e Sokolit, kam bërë gjasme sikur nuk e njihja.

I ka thënë, më fal se kam ngatërruar person dhe si shpërblim për dëmin, pra, që e kishte qëlluar në këmbë, do të jap 5 mijë euro. Siç më tha Juliani, këtë e bëra për arsye se mos ta kapte Sokol Veizin paniku dhe e ka qëlluar Sokolin me plumba në kraharor dhe me një plumb në kokë. Sqaroi se i është bllokuar dy herë pistoleta. Gjatë kësaj kohe dhe për të mbajtur nën kontroll personat e tjerë, ka nxjerrë pistoletën tjetër që mbante me vete.

3 komente në “RREFIMI/ I penduari Gjokona: Pasi vramë Veizin hëngrëm mish të pjekur”

  1. Usa says:

    Zhdukini kete soj bythqirash pa mend

  2. Ajaxs says:

    Vetem denimi Kapital qeteson situaten.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje