Prej ditësh mediat e kanë përqëndruar vëmendjen tek deklarata e kryeministrit Edi Rama e lëshuar ditë më parë, lidhur me nisjen e një aksioni të gjerë kundër informalitetit dhe evazionit fiskal në ekonomi, aksion që do të startojë në muajin shtator e që, sipas Kryeministrit, do të nisë me kompanitë e mëdha për të përfunduar tek ato të vogla.
Për të lançuar nisjen e aksionit, kreu i Qeverisë shfrytëzoi një takim me drejtorët e sektorit të Tatimeve përpara të cilëve theksoi se: Qeveria është e vendosur në luftën kundër informalitetit dhe për ta luftuar atë duhet një betejë frontale. Ndërkohë që u kërkoi drejtuesve të Tatimeve të ndihmojnë “në vendosjen e rendi ligjor në ekonomi”, kryeministri Rama artikuloi në ligjëratë të drejtë:
“Po nisim një kapitull të ri, që duam ta çelim në bashkëpunim me konsumatorët dhe biznesin e ndershëm. Kjo nuk është një luftë kundër biznesit, por kundër paligjshmërisë. Përgjegjësi për këtë situatë ka edhe administrata”.
Takimi i kryeministrit Edi Rama me drejtorët tatimorë erdhi pasi më parë ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në një proponcim për mediat kishte denoncuar gjëndjen skandaloze që ka pllakosur ekonominë shqiptare, ku, sipas tij: një në tre biznese shmangin detyrimin tatimor, duke mos deklaruar xhiron.
Një situatë vërtetë alarmante kjo, natyrisht e trashëguar më së shumti nga qeverisjet e mëparëshme, të cilën qeveria Rama ka vendosur ta risjellë në shina formaliteti nëpërmjet ndërmarrjes së një aksioni të rreptë të tipit “OSHEE”, që do të përfshijë të gjithë vendin. Mirëpo a e zgjidh kjo problemin e madh të informalitetit në ekonomi? A i edukon ky aksion gjithëkombëtar anti-evazion fiskal konsumatorët shqiptarë me frymën e formalitetit, domethënë me edukatën e kërkimit të kuponit tatimor, gjë kjo që deri më sot nuk ndodh?
I prononcuar rreth furtunës së pritëshme të kabinetit Rama, eksperti dhe ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, ka shprehur skepticizëm për suksesin e operacionit të qeverisë kundër informalitetit në ekonomi. Ai mendon se, në rast se ky operacion do të ketë në thelb të vet vetëm penalizimin e bizneseve, që nuk i janë nënshtruar ligjit, atëherë kjo nuk është zgjidhje, por një aksion.
“Nëse strategjia e qeverisë për ta reduktuar ekonominë informale ka në fokus, ose si instrument kryesor thjesht dhe vetëm penalizimin, atëherë ai ngjan më shumë me një aksion sesa një reformë”, ka vlerësuar Malaj, nëpërmjet një pronononcimi për TV-Top Channel. Sipas tij aksioni i parashikuar nga qeveria që të kryhet në shtator, nuk do të ketë efektet e pritshme për të rritur të ardhurat dhe ekonominë e vendit.
“Si i tillë, nuk do të ketë rezultatet që priten dhe rezultate të qëndrueshme, por do të dështojë”, ka analizuar Arben Malaj, duke shtuar se: për situatën social-ekonomike në të cilën ndodhet sot vendi një aksion i tillë, në rast se do ishte represiv ndaj biznesit, do të kishte efekt negativ.
“Në kushtet e krizës dhe rritjes së zhgënjimeve, çdo aksion që synon rezultate afatshkurtra mbi politika penalizuese e rrit këtë fenomen dhe nuk e redukton atë”, ka deklaruar eksperti i ekonomisë Malaj.
Por, eksperti Malaj nuk është i vetmi që aksionin e shtatorit e sheh me skepticizëm dhe jo efektiv në arritjen e qëllimit. Të tjerë kolegë të tij vlerësojnë të njejtën gjë, duke besuar se për tja arritur qëllimit duhet një reformë në thelb të të cilës të jetë ngulitja e edukatës fiskale, më së pari tek konsumatorët, duke ndërmarrë politika që ti bëjnë ata të interesuar për të mos e falur kuponin tatimor.
* Kryeredaktor “shtypi.net“
Bravo Shyti! Shume shkrim i balancuar.