Nga Artan Xh. Duka
Për shumkënd që banon në pallat, administrimi i hapësirave të përbashkëta është makth ditor. Mungesë gjelbërimi, oborre të tejmbushura me makina, trotuare copë, hyrje shkallësh si “shpella”, pisllëk kronik, depozita uji kuturu etj janë sot realitet ditor urban pasojë e të cilit është degradimi i marrëdhënieve në komunitet.
Përgjithësisht, kultura e mirëmbajtjes dhe e riparimit e së përbashkëtës mbetet ende alarmante. Presim pafund shirita inagurimesh dhe më pas gjërat harrohen duke sjellë degradim – stola apo lojra si “çarqe” tetanozi në parqet publike, rrugë e trotuare me gropa, puseta-pusi, pemë të thyera, institucione me fasada të shplara, autobuzë me ndenjse të shqyera, blloqe banimi në “getozim” e sipër etj. Për ironi, ri-priten sërisht shirita për riparime apo rikthime në identitet(!) ndërkohë që po të mirëmbaheshin nuk do lindte nevoja për të. Askush nuk mban përgjegjësi për mirëmbajtjen dhe asgjë nuk kursehet, deri vetë monumenti i 100 vjetorit të Pavarësisë!
Ansambletë e bashkëpronarëve si “kooperativa” urbane!
Por ndërsa për shumicën e gjërave, shteti herët a vonë vë dorë, për blloqet e banimit degradimi i hapësirave të përbashkëta është rutinë dhe epidemik dhe “oazet” e reklamuara dikur janë katandisur në “geto” urbane sot. Shteti i ka larë duart me to dhe me 40 faqe(!!) ligj Nr. 10 111(sa nge ka banori t’a lexojë?) ia ka kaluar këtë detyrim banorëve përmes “ansambleve”, formulë kjo joefektive dhe e dëmshme për kohezionin social sepse kultura e bashkëjetesës dhe e zgjidhjes së problemeve së toku e në mirëkuptim mes banorëve është në krizë.
Para 90, përtej vullnetit dhe mirëkuptimit qytetar, ekzistonte një lloj pritshmërie dhe sigurie duke qënë se shteti kishte struktura të veçanta(Pasuria e Shtetit, Komunalja) që mbulonin riparimet dhe mirëmbajtjen e mjediseve të përbashkëta. Ky lloj “pasiviteti”, i bartur në tranzicion, i vuri “kapakun” degradimit të bashkëjetesës të kompromentuar si nga stili i jetesës urbane dhe indiferenca qytetare që ajo provokon ashtu dhe fakti se shteti e ka kaluar ligjërisht “topin” e përgjegjësisë ndaj qytetarit tek vetë qytetari(!!) teksa me shitjen e apartamenteve, ndërtuesit delegojnë administrimin tek banorët (edhe kur e mbajnë administrimin për një periudhë të caktuar, kemi vetëm një spostim të problemit në kohë).
“Kooperativat” urbane janë paradoks. Qytetarët nuk i bën “zap” ansambleja por pushteti. Ata nuk vet-qeverisen për gjëra të përbashkëta, të përditshme dhe jetike për ta por votojnë dhe paguajnë taksat që një i tretë të marrë përgjegjësinë. Kështu ndodh me shkollat, rendin, rrugët, spitalet, parqet publike etj. Blloqet e banimit nuk kanë pse bëjnë përjashtim. Edhe nëse evokohet sedra apo vullneti i bashkëfqinjësisë së dikurshme, ai brez nuk është më dominant dhe aktiv dhe ky i sotmi e gjen absurd një ligj që të detyron të gjesh “gjuhë të përbashkët” të përditshme me dhjetra apo ndoshta qindra banorë të tjerë.
Lëvizja urbane sot është tepër dinamike – banesa të reja, megakomplekse banimi, qeramarrje e shpeshtë etj. Banorët, në mos nuk komunikojnë, komunikojnë pak dhe secili sheh punën e tij. Një sjellje urbane në dukje korrekte por jo fillesë për një angazhim të përditshëm dhe mirëkuptues mes palëve për çdo gjë që ndodh në shkallë apo jashtë saj.
Ligji aktual i detyron banorët të trokasin kohë e pa kohë tek njëri-tjetri, të shkëmbejnë llafe dhe krijojnë tensione që dëmtojnë komunikimin më pas, provokon mosbesim reciprok për tarifat e pagesave, cilësinë e riparimit, ndërhyrjet në banesa me efekt tek fqinji etj.
Problemi rëndohet për banesat e reja ku banorët nuk njihen për shkak të intensitetit të jetës apo se çmojnë privatësinë, janë qeraxhinj të përkohshëm, jetojnë jashtë shtetit etj yçkla që e bëjnë akoma më problematik funksionimin e “kooperativave” urbane.
Ligji nuk stimulon por përkundrazi cënon bashkëjetesën urbane teksa vë banorët përballë njëri-tjetrit duke provokuar tensione, deri dominimin e të “fortëve” me stres të pandërprerë për qytetarin e ekspozuar ndaj abuzimit ditor. E po shkoi puna deri në gjyq ndaj komshiut që e sheh çdo ditë në ashensor, më mirë shite e bli gjetiu!
Taksë bashkiake për administrimin e pallateve
Administrimi i hapësirave të përbashkëta urbane duhet të vijë përmes pushtetit vendor e taksimit përkatës. Përgjegjësia e bashkisë mbaron tek pragu i derës së qytetarit. Qyteti nuk mund të jetë një “tapet” i bukur (bulevardi, parqet, rrugët, institucionet etj) me pisllëk nën të (blloqet e banimit). Qytetarët duan parqet në periferi dhe parkun poshtë ballkonit të zënë nga makinat, trotuarin e rrugës dhe atë të pallatit, ndriçimin e rrugës dhe atë të shkallës etj. Sot për shumë syresh shtëpitë janë “hotel” dhe t’u kërkosh atyre të administrojnë shkallën apo ashensorin është sikur t’i kërkosh turistit të fshijë dyshemenë e hollit ku kalon!
Administrimi i hapësirave të përbashkëta është sipërmarrje e madhe – lyerje fasadash, shkallësh, trotuaret, ashensori, terraca, parkimi etj por të tilla janë dhe shkollat, rendi etj. Dikush duhet t’i dalë për zot. Banori jo e jo. Ai duhet të paguajë por jo të administrojë.
Kjo sipërmarrje duhet të financohet nga “taksa e administrimit” sikurse ndodh me taksën e gjelbërimit, televizionit etj (meqë ra fjala, kazanet e plehrave janë bërë vetë për plehra). E vetmja qasje kjo që mundëson edhe fondet për investime të konsiderueshme si patinim pallati, lyerje fasadash, zëvëndësim ashensori, izolim tarrace etj, të paimagjinueshme këto për një ansamble banorësh.
Administrimi duhet të parashikojë si ndërhyrje periodike sipas një grafiku ashtu dhe urgjente. Mund të bëhet direkt prej Bashkisë (analogji me komunalet e djeshme) apo indirekt përmes nënkontraktorëve privatë që i hyjnë tenderit për atë punë duke u monitoruar në vijimësi prej Bashkisë (performanca, ankesat qytetare etj).
Në të dyja rastet, Bashkia “djersin” për të merituar votën e qytetarit dhe të fituar janë të gjithë. Nga imazhi i qytetit, interesi i qytetarit që përfiton nga mirëmbajtja efektive dhe në kohë e mjediseve, fuqizimi i buxhetit bashkiak, cilësia e leverdia në punime (konkurrenca në tender, ekonomi shkalle për pajisjet dhe magazinim), biznes fitimprurës (palë Bashkia dhe jo individi neglizhent), perspektivë punësimi (staf bashkiak dhe nënkontraktorët), shtim i vleftës së apartamenteve (taksa pronësie për Bashkinë), cilësi jetese, kohezion social mes banorëve, “prekje” me dorë e premtimit elektoral, harmonizim mes blloqeve të banimit dhe estetikë uniforme urbane etj. Qytetari, i çliruar nga stresi ditor, ndjehet i sigurtë sepse tashmë ka një derë ku troket dhe ajo nuk është më e fqinjit të tij.
Oborri, parku i qytetarit!
Politikanët nuk duan andralla por harrojnë se votohen për t’u marrë me to. Nëse trafiku dhe parkimi nëpër lagje është makth për qytetarin, krijimi i rrugëve njëkalimshme psh. jo vetëm lehtëson trafikun por dhe krijon hapësirë për parkim përgjatë rrugës duke lehtësuar apo eleminuar parkimin brënda oborreve të pallateve.
Oborret duhet t’i rikthehen tërësisht qytetarit dhe në pamundësi, veçimi i një pjese për hapësirë të gjelbër, lejimi i parkimit falas për një makinë për apartament (për makinë shtesë apo vizitor, pagesa orare apo abone), rikthimi në garazhin origjinal i “dyqanit” të sajuar, detyrimi për parkim nëntokësor etj, përmirësojnë gjëndjen më tej. Po kështu, kur ndërtimi i unazave të qytetit kalon pranë lagjeve, duhet të parashikohet hapësirë nën to apo përbri për vëndparkime, sikurse ngritja e strukturave shumëkatëshe të parkimit (me fitim të garantuar) është një tjetër mundësi. Ekspertët e dinë më mirë por së pari duhet vullnet politik.
Të gjithë duan një qytet ku ia vlen të jetosh. Ai nuk është vetëm bulevardi por dhe lagjet e tij. Sikurse mbarë shërbimet publike, përfshirë pastrimin e mirëmbajtjen e mjediseve qëndrore publike, nuk lihen në dorën e qytetarit, po ashtu dhe mjediset e përbashkëta të banimit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit. Taksat prandaj janë! Një tjetër drejtim i duhur, ndonse i vonuar dhe i marrë peng gjatë. Vetvetiu vjen dhe vota më pas!!
Katet e para dhe te dyta te banimit duhet te paguajne me pak sepse te marresh ashensorin nga kati zero ne katin e shtate, te peste po te gjashte duhet 5 fishi inenergjise etj… Pra duhet te saktesoohen dhe tarifat sepse sot cdo familje per pastreimin rreth pallatiti paguan 3500 leke kurse per ambientet e brendeshme duhet te kete diference ne tarife etj…
Bashkija , miku im, duhet vetem te aprovoje Ligje, dhe te vere Inspektore ti zbatojne.
Nuk ka Qytet qe pronen private, pallatet e Qytetareve, ta manaxhoje shteti.
Sa per Parqet, Lulishtet, shatervanet, Bashkija i ka nen kontroll ti mbaje te pastra, te gjobise ate qe hedh cingare, hedh plehra.
Nuk jan problem vetem hapesirat e perbashketa te pallateve(koridoret dhe shkallet etj) dhe hapesirat perreth pallateve dhe ashensori ,problem me i tmerrshem jan taracat e pallateve qe sdon te paguj njeri pjesen qe i takon , vendosja e fucijave te ujit neper taraca , se nderrmarrja e ujesjellsit nuk afron sherbimit qe duhet te afroj ,demi qe i shkaktohet shqiperis dhe xhepave te shqiptareve nga fucijat e ujit ne tarraca eshte dhjetra milion $ ne vit per riparimin e tyre ,problem eshte nderhyrja qe i behet mureve te jashtme te pallateve duke ven hekrat per te var rrobat ,problem i shemtuar eshte shnderrimi i funksionit te ballkonit etj qe si ka mundesi 25 vjet akoma se ka vu njeri ujin ne zjarr.Ne kohen para 1990 ky sherbim funksjononte jashtzakonisht mir kishte nje nderrmarrje qe merrej me te gjitha kto qe permenda me siper.Ne Tiran nje pjes e mir e komshijve ne pallate sflasin se ka perplasje per kto probleme ,se njerzit se kuptojn se duhet pagu .
Shkrimi eshte shume aktual ndoshta i vonuar por do te ishte akoma me interesant nqs autori do te kishte edhe nje statistike te perafert qe ne kete administrim sa mund te shkonte numri i te punesuarve.Me nje kalkulim une mendoj qe ky numur ne rang vendi mund te kaloje mbi 60 mije te punesuar qe eshte nje shifer e konsiderueshme.