DOSSIER/ Gjyqi ndaj Gramoz Pashkos që i garantoi Metës hyrjen në politikë dhe dy rrëfime të Mimoza Pashkos e Monika Kryemadhit

28 Gusht 2015, 19:13Politika TEMA

Fillimet politike të njërit prej krerëve më të rëndësishëm të politikës në 25 vite. Rrëfimet e Kryemadhit për aktivizimin në FRESH. Si u akuzua Meta për aleancë fluide me Berishën në vitin 1996 dhe letrat e Fatos Nanos nga burgu për Ilir Metën, që nuk u bënë publike

Nga Luljeta Progni

Në vjeshtën e vitit 1990, pak javë para se të rrëzohej sistemi komunist në Shqipëri, Ilir Meta ishte student në fakultetin e Ekonomisë dhe një ndër ata që kishte përzemër pedagogu problematik me sistemin, Gramoz Pashko.

Në mbledhjen e organizuar nga sekretariati i partisë së universitetit ku do të kritikohej pedagogu Pashko (për shkak se kishte shkruar e folur me kritika ndaj sistemit socialist), ishte nga njëra anë Foto Çami në emër të Byrosë Politike dhe nga ana tjetër disa studentë që ndodheshin aty për të mbrojtur profesorin e tyre, Gramoz Pashko.

Një prej tyre ishte edhe Ilir Meta. Guximi i tij për tu përballur me një sistem për të mbrojtur pedagogun, sot duket një gjest normal, por në atë kohë nuk ishte kaq e thjeshtë.

Shqipëria kishte një bilanc tragjik të viktimave të atyre që kishin guxuar të mendonin ndryshe nga regjimi.  Ndaj dhe dukej kaq i guximshëm ajo sjellje në atë kohë kur aparati i regjimit ishte ende në këmbë.

Megjithatë, prej disa muajsh ishte thyer miti i dorës së hekurt të diktaturës. Pashko kishte folur e deri në ato ditë nuk kishte pësuar gjë, Berisha kishte shkruar dhe nuk ishte ndëshkuar, Ylli Popa gjithashtu.

Sidoqë të ketë qënë, guxim apo qëndrim i mbështetur nga vetë sistemi, e vërteta është se Meta e mbrojti profesorin e tij Pashko në përballjen me Foto Çamin, asokohe sekretar për propagandën në Komitetin Qendror të PPSH-së dhe Byronë Politike.

Bashkëshortja e Gramoz Pashkos ka deklaruar këtë fakt në një bisedë për librin “Pardesytë e Bardha”.

“Mbaj mend që është mbledhur Organizata e Partisë së Rektoratit dhe atje është sulmuar mjaft ashpër Gramozi. Madje, ai u sulmua nga intelektualë, që më vonë u bënë pjesë e skenës politike kryesisht nga krahu tjetër, PS-ja.

Në atë mbledhje në rektorat ishte i pranishëm edhe Foto Çami dhe studentët e Gramozit ishin atje. Një detaj më kujtohet, kur njëri prej studentëve të Gramozit u ngrit dhe e ka mbrotjur Pashkon në atë mbledhje. Ishte Ilir Meta.

Edhe studentët e tjerë e kanë mbrojtur. Duket se ishte vonë për regjimin që të mund të ndëshkonte fort ata që i dilnin kundra. U pa qartë kjo edhe në atë mbledhje”, thotë Mimoza Pashko.

Më pas, Ilir Meta ishte një ndër studentët e dhjetorit që u përzgjodh nga fakulteti i Ekonomisë për të qënë përfaqësues në takim me Ramiz Alinë, më 11 dhjetor të vitit 1990. Më pas, ai u angazhua në Lëvizjen Rinore Socialiste e quajtur FRESSH.

U anëtarësua në këtë forum në vitin 1992, kur u themelua FRESSH-i.

Ky forum do të ishte streha e tij për tu bërë një ndër politikanët më të rëndësishëm në PS-së dhe një ndër politikanët më të pushtetshëm në vend.

FRESH u kthye shpejt në një “parti” brenda PS-së. Kjo për faktin se në këtë forum u angazhuan disa të rinj, që kishin qënë studentë të dhjetorit ’90.

Ata morën shumë hapësirë nga PS-ja me qëllimin për tu përdorur si një pjesë e pastër e kësaj partie e cila kishte mbi supe të shkuarën e saj komuniste. Ishte koha kur PS-ja nuk kishte kryer reforma, përveçse kishte ndryshuar emrin nga PPSH në PS. Të rinjtë e FRESSH-it pretenduan se u përdorën nga krerët e PS-së për të pastruar imazhin e nxirë nga e shkuara komuniste.  Ata ishin të ndërgjegjshëm për këtë, por ndërkohë ata po hartonin një tjetër plan, për tu bërë një forcë e rëndësishme brenda PS-së. Strategjia ishte e Ilir Metës, i cili mbështetej edhe nga disa drejtues të PS-së që shpejt do të pozicionoheshin kundër Nanos në parti, kohë kur brenda PS-së, po shfaqej lufta për pushtet.

Bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, e pohon faktin se FRESH-i u përdor nga PS-ja. Kryemadhi është një ndër FRESSH-istet e para dhe pjesë aktive e këtij forumi, deri ditën kur bashkë me të tjerë u largua nga PS-ja për të themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim.

“Fillimisht Partia Socialiste ishte e interesuar, që të krijohej një forum rinor, sepse i duhej që të barazpeshonte gjithë atë lëvizje studentore rinore, që ishte rreth PD. Atje ishte përqendruar gjithë potenciali antikomunsit. Ndërsa PS ishte si një parti, që vetëm kishte ndryshuar emrin dhe ishte qartazi trashëgimtare e PPSH. Pra në këto kushte, PS-së i duhej një grup njerëzish, që do të ndryshonin imazhin e saj në këtë drejtim. Pra unë mendoj, se në fillim lidershipi i PS-së i angazhoi individët e FRESSH me qëllim për t’i përdorur. Por ata nuk i kishin bërë llogaritë mirë. Ishte fjala për njerëz, që vinin nga një background i rëndësishëm angazhimi. Në krye të FRESSH kishte individë, që vinin nga lëvizja e dhjetorit ‘90 për rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri. Ne e kuptuam shumë shpejt këtë dhe reaguam. Patëm mbështetjen e një pjese të rëndësishme të intelektualëve të PS-së. Me mbështetjen e tyre, ne kërkuam ndryshime në statutin e PS-së, ku u vendos një farë pavarësie e FRESSH nga partia”, thotë Kryemadhi.

Meta  dhe ngjarja e Poliçanit

Ngjarja e Poliçanit është një ndër pikat kulmore të fillimeve politike të Ilir Metës. Ai u bë “heroi” i socialistëve në tetor të vitit 1992, kur shkoi në Poliçan për të mbështetur popullin e kësaj zone, që kishte nisur një grevë me qeverinë e re të PD-së. Atje po organizohej një grevë e përgjithshme pasi ishte mbyllur fabrika e armëve dhe për këtë arsye kishin mbetur pa punë shumica e popullsisë së Poliçanit. Gjatë protestave pati përplasje fizike të protestuesve me policinë. Ilir Meta u shfaq ato ditë të nxehta politike në Poliçan dhe për këtë arsye ai u akuzua nga maxhoranca e sapo ardhur në pushtet e drejtuar nga PD-ja, si një ndër organizatorët e asaj proteste. Për këtë arsye u propozua nga Kuvendi heqja e imunitetit e kërkuar nga prokuroria. Pas një debati të gjatë në parlament, ku Meta në të vërtetë u la vetëm, pa mbrojtje nga drejtuesit e PS-së, çështja u ndërpre për mungesë provash dhe Ilir Meta nuk e humbi imunitetin. Por, me këtë betejë ai fitoi një emër të rëndësishsëm si një ndër politikanët e rinj, që premtonin shumë në betejë me Partinë Demokratike asokohe në renvansh, për shkak të maxhorancës së fituar në zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Në verën e vitit 1993, më 31 korrik u arrestua kryetari i PS-së Fatos Nano, ndërsa FRESH u angazhua për të sensibilizuar opinionin brenda dhe jashtë vendit për arrestimin e tij. Kryetari i PS-së u arrestua me akuzën “abuzime me ndihmat humanitare”, që kshin mbërritur në Shqipëri në vitin 1991, kur Nano ishte Kryemisnitër. Por, PS-ja dhe FRESH-i e cilësuan Fatos Nanon të burgosur politik nga Berisha. Shumë shpejt kjo do të kthehej në bindje edhe për ndërkombëtarët.

Pas ngjarjes së Poliçanit, Ilir Meta shihej si një ndër figurat më të rëndësishme të PS-së dhe për këtë arsye ai u zgjodh si një ndër katër nënkryetarët e PS-së, që ishin caktuar me bekimin e Nanos për të drejtuar partinë në mungesë të tij, pasi tashmë ishte në burg. Meta ishte pjesë e rëndësishme e vendimarrjes në PS, ndërsa FRESH-i po avanconte me shpejtësi në rritjen e  protagonizmit politik. FRESH-i në atë kohë drejtohej nga Pandeli Majko, por Meta kishte gjithashtu peshë specifike në vendimet dhe aktivitetin politik të këtij forumi.

Një tjetër detaj mjaft i rëndësisshëm, që i dha peshë FRESH-i ishte anëtarësimi i kësaj organizate në Internacionalen Socialiste. PS-ja ishte ende larg këtij forumi për shkak të së shkuarës komuniste.

Ishte një investim kryesisht i Ilir Metës, i cili kishte krijuar një lidhje specifike me social-demokratët danezë.

“U krijua një bashkëpunim shumë i mirë për forumet socialiste të vendeve të tjera dhe ne nisëm të konsideroheshim të rëndësishëm në rrafsh ndërkombëtar. Ilir Meta bashkë me të tjerë, krijuan lidhje të drejtpërdrejta me Internacionalen Socialiste dhe me forumet rinore të Internacionales Socialiste. PS e kishte të pamundur të bashkëpunonte me këto struktura. Ky ishte një moment mjaft i rëndësishëm, kur PS nisi të krijojë një farë varësie ndaj nesh”, thotë Kryemadhi.

FRESSH-i u pranua në Internacionalen e Rinisë Socialiste në vjeshtën e vitit 1993, në Kongresin e 20-të të Forumit të Rinisë së Internacionales Socialiste. Pesha politike e të rinjve të FRESSH-it sa vinte e rritej, në një ambient të trazuar figurash në PS. Në të njëjtën kohë Nano fitonte më shumë popullaritet, jo vetëm në PS, por edhe në gjithë spektrin politik. Akti i burgosjes, politik apo jo, po e kthente atë në një “hero”, siç edhe shumëkush e quante në Partinë Socialiste.

Bashkë me rritjen e peshës politike, mes grupit të Metës dhe atij të Nanos, po  evidentohej gjtihnjë e më shumë ndarja, për të mbërritur deri në betejën e kongresit të majit, ku u shfaq e hapur lufta politike mes krahëve kundërshtarë në PS.

Akuza për bashkëpunim me Berishën

Pesha në rritje e FRESH-i nuk vinte kaq thjeshtë. Të rinjtë socialistë nuk ishin asnjëherë pjesë e sulmeve politike, që i bënte maxhoranca e djathtë. Retorika antikomuniste e PD-së së Berishës ishte më e ashpër se kurrë ndaj PS-së. Ilir Meta dhe të rinjtë e PS-së nuk u goditën asnjëherë nga Berisha. Kjo ishte një ndër detajet që çuan kryetarin Nano dhe mbështetësit e tij në akuzën për marrëveshje fluide mes Metës e Berishës.

Një moment i rëndësishëm është edhe revanshi që Berisha ndërrmori ndaj disa kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e 26 majit, duke i cilësuar spiunë të sigurimit të shtetit. Kjo detyroi disa prej tyre të tërhiqen nga kandidimi për deputet në këto zgjedhje. Ilir Meta shpëtoi nga ky sulm.

Kryemadhi e kujton kështu atë kohë, kur Meta akuzohej për marrëveshje me Berishën.

“Parazgjedhjeve të 26 majit, ne si FRESSH, kishim organizuar një miting proteste në pallatin e sportit. Ftuam TVSH, por problemi ishte, se duhej një drejtues i rëndësishëm i PS-së, që të mund ta filmonte dhe transmetonte aktivitetin e opozitës në televizionin publik, pasi mbi këtë rregull funksiononte atëherë. Duheshin nënkryetarët e partisë, njëri prej tyre. Ne nuk na erdhi asnjë prej tyre dhe kjo na la shije shumë të keqe. Por, tre deputetët e FRESSH ndërhynë në TVSH dhe aktiviteti u filmua dhe u transmetua. Për ne ishte e rëndësishme të transmetohej, pasi në atë aktivitet kishim të ftuar edhe një delegacion nga Belgjika. Ky ishte edhe momenti, kur PD-ja përfitoi, për të krijuar një lloj përçarje. Pasi u transmetua aktiviteti, drejtuesit e partisë reaguan dhe thanë, se ju paska çuar Berisha kamera për t’ju filmuar. Në fushatën e zgjedhjeve të 26 majit, Berisha nxori ligjin që penalizonte disa kandidatë për deputetë, pra nuk i lejonte të kandidonin, duke sajuar ligjin për pastërtinë e figurës. Dhe shumë kandidatë të PS-së u skualifikuan. Nga radhët e FRESSH-it nuk u penalizuan, pasi nuk kishin ku kapeshin, por kjo u përdor për alibinë e “mbështetjes së Berishës”,  thotë Monika Kryemadhi.

Përplasja mes Nanos e kundërshtarëve në PS
Kishte kaluar më shumë se një vit prej momentit kur Fatos Nano ishte në burg dhe drejtuesit në krye të PS-së, Servet Pëllumbi i cili ishte në atë kohë zv.kryetar i PS-së, Ilir Meta, Spartak Poçi e Luan Hajdaraga nënkryetar të kësaj partie, vendosën që të nisin procesin e reformimit të partisë përmes zgjedhjeve të reja.

Më 30 prill 1994 u mblodh KPD, pikërisht për nisjen e fushatës së zgjedhjeve të reja në PS. Në këtë mbledhje u miratuan disa ndryshime në statut, të cilat synuan demokratizimin e partisë. U përfshi, ndër të tjera, liria e mendimit në parti me sloganin “demokracia e brendshme në parti, është kusht thelbësor për funksionimin e PS-së”

Kjo mbledhje dhe nisja e këtij procesi, është një ndër momentet e rëndësishme në këtë parti, pasi kryetari Nano ishte në burg dhe platformat e ndryshimit, po kryheshin nga drejtuesit e PS-së, të kryesuar nga Servet Pëllumbi, pa ndihmesën e Nanos dhe larg ndikimit të tij. Por, ky i fundit ishte një hap përpara tyre. Nëpërmjet letërkëmbimit me Kryesinë, Nano kishte kërkuar reformim të plotë të programit dhe statutit, dhe jo arnime të tyre. Përsa i përket letërkëmbimit me Kryesinë e PS-së, Nano tha më vonë se, (krerët kryesorë të PS-së kishin fshehur disa prej letrave që ai kishte dërguar në adresë të Kryesisë). Edhe për këtë moment, Monika Kryemadhi e ka një përgjigje pasi ajo pretendon se Nano kishte tentuar të përdorte Ilir Metën kundër drejtuesve të PS-së, por nuk ia kishte dalë.

Ndërkohë që po zhvilloheshin konferencat e PS-së nëpër rrethe, PD-ja kishte nisur të hartonte projekt-kushtetutën, si një një ndër kushtet e vëna nga ndërkombëtarët. Në fillim të tetorit 1994 Parlamenti vendosi të kalojë për referendum projekt-kushtetutën e  hartuar. Kundërshtimi i PS-së qe i ashpër, i fortë dhe kërkoi rrëzimin e projekt-kushtetutës. Ajo i trembej konsolidimit të pushtetit të PD-së dhe nisjes së procesit të dekomunistizmit në shoqëri, i cili mund të merrte përmasat e një gjuetie. Kryetari i PD-së, Eduard Selami, nisi fushatën për referendumin e Kushtetutës, ndërsa socialistët e quajtën atë një projekt që varroste demokracinë. Konkretisht Kushtetuta kontestohej në pikën për kompetencat e presidentit. Presidenti merrte pushtet absolute, nëse miratohej Kushtetuta. Më 6 nëntor 1994 populli shqiptar shkoi në referendum për Kushtetutën. Kundër saj votuan 61% e votuesve. Kjo përkthehej në fitore shumë të rëndësishme për PS-në dhe veçanërisht për grupin drejtues në këtë parti, i cili kishte nisur të konsiderohej njëkohësisht edhe si grupi kundër Nanos.

Ndryshimet në statut, debatet për Marksin

Më 8 korrik 1995, në kongresin e dytë të FRESSH-it, u zgjodh kryetar i këtij forumi Ilir Meta. Më 23 mars 1996 nisi punimet Kongresi i Dytë i PS-së, i cili kishte si qëllim ndryshimin e statutit dhe programit si dhe zgjedhjet e reja në parti.

Si mesazh elektoral i PS-së në këtë kongres u zgjodh slogani: “Bashkë me ne, për një demokraci të vërtetë”. Fatos Nano dërgoi përshëndetje nga burgu, për kongresin. Ai i drejtohej anëtarësisë dhe forumeve të partisë. Nano identifikonte në mesazhin e tij dy kategori në drejtimin e partisë. Ai shprehej se PS-ja po reformohet nga disa ish-komunistë me ide të reformuara dhe duket e kishte fjalën për Servet Pëllumbin, Namik Doklen e Gramoz Ruçin, bashkë me të tjerë në nivele më të ulëta të forumeve drejtuese të partisë. Intelektualët, shprehej ai, janë pjesa tjetër me kontribut vendimtar në reformimin e partisë.

Sot PS e reformuar, nga një grup intelektualësh dhe ish-komunistësh me ide reformatore, u shndërrua në forcën politike eurosocialiste më të organizuar dhe më të votuar në Shqipëri”.

Kongresi që po drejtohej nga katër nënkryetarët miratoi listën e kandidatëve për forumet drejtuese, e cila duhej të miratohej nga KPD-ja. Kongresi zgjodhi edhe 614 delegatët e rinj. U miratuan ndryshimet në programin dhe statutin e partisë. Këto ndryshime sërish nuk e preknin thelbin “punist” të PSSH-së. Marksi kishte mbetur i paprekur në program, një ikonë e fjetur, por domethënëse, pesë vjet pas kthimit të saj nga një parti-shtet në parti pluraliste.

Në forumet drejtuese të kësaj partie u zgjodhën njerëz kryesisht nga Meta dhe kundërshtarët e tjerë të Nanos në PS.

Por, procesi nuk përfundon këtu. Forumet do të pësonin tjetër ndryshim. Ishte momenti kur Fatos Nano do të publikonte nga burgu mocionin për debat brenda PS-së. Në fazën e dytë të kongresit, në gusht 1996, Nano do ta kthentë të gjithë situatën në favorin e tij, duke lënë jashtë forumeve Metën dhe mbështetësit e tij në parti.

Tesheshi.com

15 komente në “DOSSIER/ Gjyqi ndaj Gramoz Pashkos që i garantoi Metës hyrjen në politikë dhe dy rrëfime të Mimoza Pashkos e Monika Kryemadhit”

  1. perkthyesi says:

    Mjafton vetem ky fakt, per te kuptuar se cfare politikani dhe ekonomisti medioker ka qene Pashko!

    1. Tafos Tafira says:

      Hahaha, akoma me protagonist te sigurimit te shtetit merreni ju? Te dy kane qene pjese e skenarit per kalimin e pushtetit nga komunistet e lodhur tek …komunistet horra. Jane figura te ndyra ne historine e Shqiperise, ku ka triumfuar gjithmone genjeshtra, pabesia dhe fallciteti.

    2. Bureto says:

      Zonja gazetare!
      Akoma nuk e ke kuptuar lojen e fund vjeshtes se vitit 1990? S’ke faj, mund te jesh e re dhe nuk ke sesi ta dish. Ajo qe e gjitha nje loje e mireorganizuar me mjeshteri nga nomenklatura komuniste nen drejtimin e R.Alise dhe bekimin e nderkombetareve. Regjimi po jepte shpirt dhe duhej zbatuar platforma e famshme e “Katovices”. U inskenuan skema si ajo qe ju kujtoni zonje, por edhe mbledhja e gushtit e Alise me intelektualet, artikujt “disidente” te Ylli Popes dhe S.Berishes ne veren e v.1990 etj dhe regjimi po behej gati te dorezonte stafeten me betimin se to ndryshohej (liberalizohej) sistemi, por shteti dhe pushteti (nenkupto parate)do mbeteshin ne doren e trashegimtareve biologjike dhe ideologjikete tyre. Per kete u hodhen ne treg “disidente te thekur” si Pashko, Berisha, Nano, Ceka, Godo etj, nder ta edhe ndonje si Azem Hajdari apo Ilir Meta. U krijua keshtu skema e nje loje “me shkopa” midis skuadres “se majte” me ate “te djathte”, me komuniste dhe antikomuniste. Kjo qe e gjitha! Mbasi te garantohej se shteti do te binte ne keto duar, dhe trashegimia nga etrit do transferohej tek bijte, duke garantuar jeten e paqte te eterve, pasketaj lufta do te behej vetem per pushtet, (qeverisje dhe zoterim te ekonomise), ne kushtet e “kapitalizmit” komunisto-mafioz, sigurisht me zgjedhje te “lira dhe demokratike” sipas ligjeve qe ata do te hartonin vete. Kjo eshte Shqiperia qe shohim sot e ndertuar nga keta “disidente te rreme”, me te cilet ju dhe te tjere mbushni cdo dite gazetat dhe rrjetet sociale. Merruni me ndonje gje tjeter me te dobishmezonja gazetare dhe mos na nakatosni zorret. Nese doni ta beni kete, atehere shkruani per t’i hapur syte popullit, per ta kuptuar kete loje te ndyre, qe te gjeje rrugen e duhur dhe te shporre perfundimisht kete skote kriminelesh e hajdutesh, qe te shpetojne ata dhe Shqiperia. ne kete vape vere, mangut kishim edhe kujtimet e grave te tyre ‘disidenteve antikomuniste”, ashtu si shoqja Nexhmije per shokun Enver, por ne kahun tjeter…

  2. vetem gjysme dite ,o shoku enver says:

    me keq ardhje sot themi:

    nga partia e punes u kthyen ne parti te sumes….

    sa te jete k/krimineli berishovic jashte burgut..keto rrefenjat e kesaj luljetes duken si opium ..si droge per ate popull…

  3. tfgs says:

    edhe nje here bie ne sy pabesia sunite…………META-BERISHA.
    Corapekuq,zgjohu sa nuk eshte vone sepse sunitet nuk e kane te veshtire qe me pafytyresine e tyre te te rrasin ne qeli……..Nano eshte nje shembull i gjalle,prodhosur prej suniteve Berisha-Meta.

  4. ylli polar says:

    te gjithe jane qelbesira te ish regjimit fashisto-komunist qe e kane mberthyer shqiperine per gryke deri sa ta varrosin perfundimisht me injorancen e tyre, me papergjegjesin e tyre dhe arrogancen anadollake qe i karakterizon ne te gjithe aktivitetin e tyre personal apo shoqeror.

  5. dellenja says:

    “Fat i madh per vendin ” qe ishte Lila qe e ka cuar vendin ne kete gjendje qe nuk ka me keq .

  6. M A R K O says:

    Kesaj i thone mere me leng se thelat u mbaruan.

  7. dhembeli says:

    “NE FORUMET DREJTUSE TEKESAJ PARTIE U ZGJODHEN NJERES RYESISHT NGA META E KUNDERSHTARE TE NANOS NE PS”
    Kete po ben dhe tashti ne koalicion.
    Varmihesi I Shqiperise qe ka 20 vjet qe nuk ngre koke.
    E zencin AAAAHET e popullit.

  8. Patrioti+ says:

    asnje person nuk vjen nga hici dhe ka ngritje ne politik, esht perher nje lobim I padukshem I brendshen dhe I jashtem

  9. Alban Dardani says:

    — Moj z, LULE. Me fal, por nga anet ton , ketyre lloj historickave u thone:
    ” Pirdh moj mace bej peronda, ca e trasha e ca te holla ”

    — Per cfar frike e gjyqi ben fjal ,
    NE ATE KOHE PPSH DHE RAMIZI ME SHTABIN E TIJ TE PERZGJEDHUR, ISHIN HEDHUR NE SULM PER KRIJIMIN E PLURALIZMIT POLITIK, POR NUK PO E KRIJONIN DOT, PER ARSYJE SE ATA DONIN NJE PRESION NGA POSHT APO ELITA INTELEKTUALE
    — POR ,INTELEKTUALET E ASAJ KOHE AKOMA NUK E KISHIN TE QARTE SE CFAR DUHEJ.

    — Lexo diskutimet e intelektualeve te PARA – perzgjedhur nga RAMIZI e PPSH ne takimin e GUSHTIT 1990, gati AI, sa nuk u tha hapur qe kerkoni pluralizem politik,CPRISNI POR, AKOMA ATA ISHIN PER PLURALIZEM MENDIMI DHE JO PARTIAK.

    — RAMIZI , ME SHTABIN E PERZGJEDHUR PER PLURALIZEM POLITIK, KU ME SIGURI BENTE PJESE DHE FOTO CAMI , lozen me kujdes te dy palet apo krahet, si PPSh-n ashtu dhe KUNDERSHTARET ” DISIDENCEN E RE” POLITIKE, ne menyre qe ndryshimet ne shqiperi te kalonin pa gjakderdje, POR TE ISHIN EDHE BINDESE PER TU CERTIFIKUAR NGA NDRKOMBTARET.

    — Ketu futen qe nga 2 korriku, arratisja e KADARES, intervistat PASHKO, NANO ETJ si dhe ” TRIMERITE” E BERISHE-VE, HAJDAR-EVE, ILIR-EVE, ARBER-BENEVE, RAM-ANEVE E ”TE ROMAKEVE ”..GREKEVE” .. ME SHOQE E SHOKE ,..ETJ …ETJ..-

    — Qe ta kuptosh mire ti moj LULE , keto qe na tregon zotrote jane nje lloj si puna e stilolapsit me ze dhe figure. Shumica ishin gati te vriteshi per GJEMEN E ”ILIR- STILOPLAPSIT”. Ndersa ca te tjer than;– KJO BEHET QE LIKJA TE BEHET NJERI SA ME PUBLIK BRENDA E JASHT VENDIT, DHE MBAS KESAJ AI PRITET TE MARE NJE POZICION ME TE RENDESISHEM – AKTUALISHT SOT ESHTE KRYETAR PARLAMENTI.

    — Per ju qe beni te tilla shkrime e analiza, do tu shkoje per shtat ky epitaf;
    — FUSh ME LULE NA E BET JETEN / DETIN KOS DHE DIMRIN VERE
    E SE FUNDMI TE VERTETEN / SE TREGUAT ASNJEHERE.

  10. Skrapar Korupi says:

    Meta eshte ai qe shkel ligjin duke lene Saliun te flase sa don ne Kuvend dhe me siguri personi qe s’lejon ndjekjen penale te tij.E ka per resto qe e shpetoi nga blloku i porosive.

  11. muhamet says:

    saLIU E KEQJA E SHQIPERISE E PARAQITUR NE MENYRE TE DUKSHME DUKE MOS U EVOLUAR POR QENDRON NE TE NJEJTIN POZICION iLIR META I KEQI I PACFAQUR DUKE MBULUARE FELIQESIRAT E TIJ DUKE NDRYSHUARE POZICIONET E TIJA POLITKE DERI NE KALIMIN E KOHES PER TU GJYKUARE

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje