Klosi takon drejtorët e shkollave: Transformim të plotë të sistemit të Arsimit Profesional

2 Shtator 2015, 18:53Sociale TEMA

Arsimi profesional përbën një nga prioritetet kryesore të punës së Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ndaj, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka zhvilluar sot një takim koordinues me të gjithë drejtorët e shkollave profesionale dhe përfaqësuesit e biznesit, që drejtojnë bordet drejtuese të këtyre shkollave. Në fjalën e tij, ministri Klosi vuri theksin te nevoja për një angazhim më të madh të të gjithë faktorëve që kontribuojnë në këtë arsim, për të orientuar të rinjtë që mbarojnë arsimin e detyrueshëm drejt shkollave profesionale, por edhe për t’i bërë shkollat e këtij arsimi më tërheqëse për të rinjtë. “Transformimin e Arsimit të Formimit Profesional nga një sistem i nxënësve me një mundësi më pak, do të duhet ta kthejmë në një sistem me mundësi më shumë. Ne nuk mund të pranojmë që në shkollat tona të regjistrohen nxënës që arsimin profesional e kanë zgjedhje të fundit në edukim”, – tha ministri Klosi në fjalën e vet.

 

Ai ka paralajmëruar një reformë të thellë në arsimin profesional, e cili do të ndërtohet në harmoni të plotë me kërkesat e tregut të punës, me dëshirën e të rinjve dhe prindërve për të pasur një edukim në përputhje të plotë me kërkesat e biznesit në zonën ku ata jetojnë, si dhe në shërbim të plotë të krijimit të mundësive për më shumë vende të reja pune të kualifikuara. “Kjo reformë do të jetë shumëplanëshe: do jetë institucionale dhe kjo ka të bëjë me funksionet e çdo institucioni dhe me strukturat përkatëse, përfshirë përshtatjen e kuadrit ligjor e rregullues”, – tha Klosi, ndërsa vuri në dukje se për këtë qëllim është duke u hartuar Projektligji i ri i Arsimit të Formimit Profesional, ku do të jenë të përcaktuara qartë funksionet dhe përgjegjësitë në të gjitha nivelet.

 

Gjithashtu, ai ka theksuar se reforma që synohet do jetë edhe operacionale, dhe kjo ka të bëjë me optimizimin e shpërndarjes së shkollave dhe qendrave, duke siguruar profilizimin e tyre, si edhe shndërrimin e tyre gradual në institucione shumëfunksionale të Arsimit të Formimit Profesional, sipas modeleve më të përparuara të vendeve të Bashkimit Europian dhe në veçanti, sipas modelit të suksesëhëm gjerman. Ai ka shtuar gjithashtu se reforma do të jetë edhe menaxhuese dhe kjo sa i përket sigurimit të vetëqeverisjes dhe vetëfinancimit të këtyre institucioneve.

 

Ministri Klosi bëri të ditur se reformimi i sistemit bazohet në Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive 2014-2020, të hartuar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe të miratuar tashmë nga qeveria. Kjo strategji ka objektiva të qartë për ofrimin e një arsimi dhe formimi profesional gjithëpërfshirës dhe parashikon edhe planin e veprimit.

Mandej ai kërkoi që një vëmendje e veçantë t’i kushtohet rritjes se aksesit në arsimin profesional të kategorive të veçanta të të rinjve, të cilët vijnë nga grupet në nevojë. “Duke qenë se ministria po punon për identifikimin dhe riintegrimin e fëmijëve dhe të rinjve në situatë rruge, do t’ju kërkoja që listat e fëmijëve që do t’ju vijnë nga Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve, të cilët plotësojnë kushtet për arsim profesional, t’i trajtoni me përparësi. Integrimi i këtyre fëmijëve në arsim dhe pajisja e tyre me një profesion, është rruga më e sigurt për t’i nxjerrë nga cikli i varfërisë dhe i shfrytëzimit në rrugë”, – tha Klosi.

 

Gjithashtu, ai bëri të ditur se Këshilli i Ministrave do të miratojë vendimin për mbështetjen me bursa studimi për të gjitha grupet në nevojë e me pak të ardhura, si dhe nxënësit nga zonat verilindore dhe juglindore. Ministri Klosi theksoi po ashtu se do të mbështeten me bursa edhe ata që do të ndjekin degë të caktuara, si bujqësi, miniera, peshkim etj. Një tjetër sfidë për të cilën Klosi foli gjatë takimit ishte edhe ngritja e shkollave të ekselencës, që të kërkojnë të akreditohen nga sistemi europian i edukimit profesional.

 

Ministri ka nxitur drejtorët e shkollave që të bashkëpunojnë edhe me mediat lokale dhe gjithë opinionin publik, për transmetimin e këtij mesazhi për fillimin e vitit të ri shkollor, në mënyrë që gjithkush që është i interesuar, të ketë aksesin e lehtë për në këtë sistem.

 

Gjithashtu, ministri Klosi ndërsa ka falenderuar gjithë biznesin që ka ofruar ndihmën e tij në mbështetje të shkollave profesionale, kërkoi që t’i kushtohet vëmendje edhe më e madhe bashkëpunimit me biznesin lokal, duke bërë të mundur krijimin e kushteve që gjithmonë e më shumë nxënësit t’i zhvillojnë praktikat e tyre mësimore në biznese.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje