Qeveria ka miratuar 62 zonat e rrezikshme minerare, në të cilat nuk do të lejohet aktivitet minerar.
Nisur nga aksidentet dhe problemet e shumta lejet e dhëna në këto zona të rrezikshme do të revokohen.
Në një deklaratë për mediat ministri Gjiknuri deklaroi se këto masa do të rrisin sigurinë për jetën e minatorëve.
“Vendimi rishikon dhe përcakton 62 zonat e rrezikshme minerare, kryesisht në Bulqizë dhe Batër, në të cilat do të jetë e ndaluar dhënia e lejeve dhe ushtrimi i aktivitetit minerar. Konkretisht, në rajonin krommbajtës të Bulqizës, do të ndalohet ushtrimi i aktivitetit minerar në një pjesë të Zonës D e cila konsiderohet me rrezikshmëri për jetën.
Përcaktimi i zonave të rrezikshme do rrisë sigurinë për jetën e minatorëve. Do të revokohen tërësisht lejet kur zonat tyre të shfrytëzimit janë vendosur në pjesën më të madhe mbi zonën e rrezikshme. Gjithashtu, do revokohen pjesërisht lejet kur zonat e tyre të shfrytëzimit janë vendosur një pjesë mbi zonën e rrezikshme.
Në total, janë rreth 18 leje shfrytëzimi të cilat do të revokohen duke patur si objektiv kryesor rritjen e sigurisë në punë dhe ndalimin e aktivitetit në pjesën e rrezikshme.
Në koordinim me Policinë e Shtetit dhe Inspektoratin e Punës do të bëhet monitorimi i këtyre zonave të rrezikshme që të ndalohet çdo aktivitet ilegal që cënon jetën e qytetarëve”, u shpreh Gjiknuri.
Ministri më tej ka bërë edhe një vlerësim të situatës në sektorin minerar para vitit 2013.
Në vitin 2005 rezultonin rreth 430 leje minerare aktive. Para dy vitesh, kur ne erdhëm në drejtim të vendit, gjetëm rreth 800 leje minerare të lëshuara, jashtë çdo lloj kontrolli shtetëror.
Qeverisja e Partisë Demokratike u tregua e papërgjegjshme në trajtimin e kësaj industrie, duke dyfishuar dhe parcelizuar në mënyrë kriminale zonat minerare.
Pavarësisht se në industrinë minerare në të gjithë botën ndodhin aksidente, ky shfrytëzim barbar në 8 vitet e qeverisjes së djathtë përkeqësoi situatën duke marrë jetën e dhjetra minatorëve. Cënoi themelet e sigurisë në punë, mbolli konflikte të cilat e kthyen kryesisht Bulqizën në “Far West”-in shqiptar, çka rëndoi edhe më keq bilancin e viktimave brenda e jashtë minierave.
Hapi i parë që ndërmorëm ishte rikthimi i kontrolleve periodike në miniera. Filluam procesin e kontrollit individual për secilin subjekt, jo vetëm në aspektin e plotësimit të kritereve të sigurisë në punë por edhe sa i takon zbatimit të detyrimeve ndaj Buxhetit të Shtetit.
Revokuam mbi 200 leje minerare të cilat nuk respektonin kriteret e sigurisë dhe nuk shlyenin detyrimet që kishin ndaj shtetit ndërsa janë në procedurë heqjeje edhe 32 të tjera. Janë pezulluar pjesërisht në aktivitetin e tyre qindra subjekte të tjera deri në plotësimin e kushteve të sigurisë.
Përmes ndërhyrjeve ligjore i dhamë zgjidhje problemit të konfliktit mbi rrugët e kalimit, ashtu sikurse eleminuam fenomenin e mbivendosjeve duke revokuar 20 leje minerare. Ndaluam shfrytëzimin e sterileve. Të gjithë i mbani mend dy vite më parë pamjet e grave dhe fëmijëve rreth grumbujve të mineraleve.
Vumë nën kontroll ndryshimet e herë pas hershme të kufijve në zonat minerare duke u vënë fre zgjerimeve të pakontrolluara. Kemi sanksionuar me ligj rehabilitimin progresiv mjedisor duke detyruar subjektet të ngrijnë fondin për rikthimin e mjedisit në gjendjen e para shfrytëzimit minerar.
Janë mbyllur 119 galeri të braktisura dhe për vitin 2015 janë planifikuar të mbyllën 64 galeri të tjera”, tha Gjiknuri.
Ndërkohë Ministri i Industrisë dhe Energjisë tha se “përmes masave të marra dhe atyre që do të ndërmerren në vazhdim, shpreh bindjen se po ecim në rrugën e duhur për rritjen e sigurisë, shtimin e investimeve, rritjen e eksporteve dhe zhvillimin e industrisë përpunuese. Rikthimi i sektorit minerar në binarët e ligjit do të thotë siguri më e madhe për minatorët dhe përfitime më të mëdha për Buxhetin e Shtetit”.
Po per Malin e Shenjte te Tomorrit qe e kane kthyer ne nje tmerr ekologjik dhe historik kur do te flase ministri?
Duhet eksperienc pune