27% apo 30%?

8 Shtator 2015, 17:22Blog TEMA
27% apo 30%?

Nga Eduard Zaloshnja

Në shkencat e zhvillimit ekonomik apo politik, përdoret shpesh shprehja “Si të shkojmë në Danimarkë?”. Është një lojë fjalësh që, në thelb, do të thotë “Si të bëhemi si Danimarka?” Meqë vizitova Danimarkën me rastin e ndeshjes së futbollit mes nesh dhe danezëve, m’u kujtua kjo shprehje dhe i bëra vetes pyetjen retorike “Si të kalojmë nga gjendja ‘shumë më keq se Danimarka’ në gjëndjen ‘më keq se Danimarka’?”

Në rastin më të mirë, do të duhen disa dhjetë-vjeçarë për të ndodhur ky tranzicion, por çdo tranzicion e ka një fillim. Lufta kundër informalitetit në ekonomi është një nga gurët e themelit të këtij tranzicioni.

Vjet, në arkën e shtetit danez, në formën e taksave e tarifave të ndryshme, shkoi rreth 55% e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të krijuar nga burimet natyrore, puna dhe kapitali i danezëve. Dhe kjo është një gjë që ka ndodhur për dekada me rradhë (me luhatje +/- 3%). Kjo është një nga arësyet që shteti danez ka qenë në gjendje të ofrojë shërbimet që ofron për shtetasit e vet.

Vjet, në arkën e shtetit shqiptar, në formën e taksave e tarifave të ndryshme, shkoi rreth 26% e vlerës së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të krijuar nga burimet natyrore, puna dhe kapitali i shqiptarëve. Dhe kjo është një gjë që ka ndodhur për 15 vjet me rradhë (me luhatje +/- 1,5%). Kjo është një nga arësyet që shteti shqiptar ka qenë në gjendje të ofrojë shërbimet që ofron për shtetasit e vet.

Këtë vit, pritet që mbi 27% e vlerës së PBB-së të shkojë në arkën e shtetit shqiptar – një rekord pozitiv ky krahasuar me vitet e mëparshme, por që përsëri na lë ne në fund të renditjes në Europë, sipas këtij treguesi. Mesatrja e vendeve jo-anëtare të BE-së përreth nesh është 37%…

Në parashikimet afatmesme të qeverisë shqiptare, objektivi për vitin 2017 është që 28,5% e vlerës së PBB-së të shkojë në arkën e shtetit. Një objektiv ky më i lartë se i të gjithë viteve të dekadave të fundit, por poshtë mundësive reale të shtetit shqiptar. Dhe ja përse.

Qysh kur përqindja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) u rrit nga 12.5% në 20% (para 13 vjetësh), të ardhurat buxhetore prej këtij tatimi kanë qenë në nivelin 9%-10% të PBB-së. Në kushte ideale, duhej të ishin në nivelin 15%. Por në kushtet reale (ku nuk mund të pritet të vilet TVSH nga fshatarët që shesin fiq e domate, apo nga rrobaqepsit e këpucarët që mballosin rroba e këpucë), do të ishte mëse e pritshme që të ardhurat buxhetore nga TVSH-ja të ishin në nivelin 12-13%.

Që të arrihet ky nivel, duhet që të gjithë bizneset e vogla (dyqane, lokale, biznese shërbimi, etj. –  përveç sa më sipër) të mos pranojnë furnizim pa faturë tatimore nga tregtarët e mëdhej. Dhe si mund të detyrohen ta kërkojnë faturën tatimore nga furnizuesit e tyre? Duke i detyruar të lëshojnë kupon tatimor për çdo mall apo shërbim që shesin.

Në qoftë se ata lëshojnë vazhdimisht kuponin tatimor, do të jenë të detyruar të furnizohen me faturë tatimore, sepse përndryshe, e gjithë barra e taksave për mallrat e shitura do të binte mbi kurrizin e tyre, e jo mbi atë të tregtarëve të mëdhej.

Në qoftë se lufta e filluar ndaj informalitetit do të ketë sukses deri në vitin 2017, të ardhurat nga TVSH-ja mund të rriten me 3% të PBB-së. Pra, vetëm prej vjeljes më eficente të kësaj takse, të ardhurtat buxhetore mund të rriten nga 27% e PBB-së, që janë aktualisht, në 30% të PBB-së.

Për të mos folur për luftën ndaj evazionit në taksat e tjera…

2 komente në “27% apo 30%?”

  1. rinia says:

    Shtetet pasurohen nga taksat dhe jo nga vjedhjet .

  2. Arben Malaj says:

    Ju falenderoj per mundesine per te ndare dhe ballafaquar disa ide rreth aksionit per uljen e informalitetit.

    Perceptimet individuale jane te respektueshme, por perceptimet te pa mbeshtetura ne studime, mbeten pjese e liste-deshirave

    Nuk kundershtohet ulja e informalitetit por rruga e perzgjedhur dhe koha eshte e gabuar.

    Ndersa rritja fiktikve e treguesve te informalitetit , apo me thjeshte fallsifikimi i statistikave te studimeve te publikuara, per te mbeshtetur aksionet me goditje te perqendruar – e demton kredibilitetin e kesaj nisme.

    Sa per raportin midis normes se TVSH dhe totalit te te ardhurave ne buxhet – miqesisht ju sugjeroj te lexoni ose te konsultoheni me kolege te politikave te taksave. Shpresoj sahume te mos me keq kuptoni kete sugjerim vewtem profesional. Une kam perfituar shume nga keshillat dhe referencat qe me kane dhene kolege ne rrjetet sociel per kete debat.

    Aktualisht bazuar ne specifikat ekonomise sone dhe experiencat e krahasueshme te strktures s été adhurave buxhetore ne raport me GDP per te njejtin grop vendesh, TVSH eshte tatimi me mire i rregulluar dhe niveli i tyre ne buxhet mene raport me ecperiencat pozitive te vendeve te tjera,perafrohet me shume se cdo taks tjeter.

    Lexoni raportin e FFM per 25 vite tranzicion 1989-2014 dhe do te gjeni nje tabele se kur dhe ne cfare mase cdo vend e vendosi TVSH, dhe do te shikoni qe reforma e taksave e vitit 1997, perfshi rritjen e TVSH , ishte profesionale.

    Argumenti se ulja e informaliteti mbron konsumatorin eshte kunder teorise ekonomike bile informalitetit i njeh si element pozitive si efekti amortizues i disa deformime te tregjeve te kontrolluara- tipike e vendeve me institucione te dobta

    Edhe argumenti kryesore se po luftuam informalitetin do te kemi rritje te pagave dhe pensioneve , eshte jashte llogjikes ekonomike dhe eshte populiste. Populizimi i politikaneve dhe “shkencetareve- ministri i financave i Greqise vleresohet sot , armiku me i madh i sfidave te veshtira te vendeve me papunesi e varferi te larte.

    Nuk ka lidhje rritja e pagave dhe pensioneve me shkallen e informaliteti, por me shkallen e produktivitetit. Gjermani e ka informalitetin 8-10% por ka vcite qe nuk bene rritje reale te pagave. ( ish kancdlari Schreder- i cili beri reformen e tregut te punes dhe hoqi shume nga benefitet abuzive), edhe pse me kete politike ka demtuar jo pak vendet e rreja te BE-se

    Prandaj sot Gjermanise i kerkohet publikisht qe ta mbeshtese rritjen e saj ekonomike tek konsumi i brendshem , pra te rrit pagat/te ardhurat reale, cka do te ul expertet e saj, duke lehtesuar rritjen e eksporteve te vendeve te tjera te europes, te cilat pa rritjen e exportevete e kane te veshtire te rritin rritjen ekonomike e punesimin. Krizat europiane kerkojne zgjidhje europiane ?

    Po keshtu – paraja informale nuk eshte ne nivelet qe kap shtetin apo vret mireqeverisjen. Jo rastesisht teoria grupon (i) para gri dhe (ii) para e zeze – kjo e fundit kercen realisht ekonomine dhe politiken.

    Bile sipas teorive ekonomike informaliteti zbut qofte edhe perkohsishte papunesine dhe varferine qe jane dy deshtimet kryesore te qeverive. Prandaj ai rritet edhe ne danimakre gjate krizes globale – Shikoni artikullin e The economist.

    Njekohsishte sipas teorise se taksave – paraja ne duart e te varferve ka nje shpejtesi me te madhe perdorimi se ne duart e te pasurve,

    Ne kushtet kur per nje rritje me te madhe ekonomike kerkohet rritje e kerkeses agregate, para informale konsumohet me shpejte se te tjera, pra e ushqen dhe jo e pengon rritjen ekonomike.

    Sigurisht qe ekonomia informale duhet ulur, por gradualisht dhe me politika te fokusuara tek lehtesimi i formalizimit dhe jo tek penalitetet jashte cdo llogjike ekonomike.

    Ndoshta me nje vizite ne Danimark dhe per te pare nje ndeshje, eshte e veshtire te ndihmosh me disa reflektime sportive se si mund te behet Shqiperia si Danimarka ?

    Miqesisht
    Arbeni .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje