“Ankthi i çdo qytetari këto ditë është trafiku i rënduar i cili shpesh bëhet shkak për vonesa, por edhe për aksidente. Në rolin e Prefektit do të kërkoja nga policia të jetë e pranishme e të mobilizohet sidomos në orët e mëngjesit për mbarëvajtjen e drejtuesve të automjeteve dhe shmangien e çdo rasti që do të vinte në rrezik jetën e qytetarëve” – tha në fjalën e tij Prefekti i Qarkut të Tiranës Vorpsi nw tryezën e organizuar për pasqyrimin e planit të masave që kanë të bëjnë me qarkullimin rrugor, policinë e shtetit, Drejtorinë Arsimore Rajonale të Tiranës si edhe atë Qarkut të Tiranës, OSHEE dhe Ujësjellësin, Drejtorinë e Higjienës, Drejtorisë Rajonale të Shërbimit Social etj.
Po ashtu, Prefekti i Qarkut Tiranë kërkoi nga ujësjellësi dhe OSSHEE-ja më shumë vëmendje për furnizimin e rregullt të institucioneve arsimore.
“Një nga problematikat e shumta që hasen gjatë vitit shkollor është mungesa e ujit dhe furnizimit me energji elektrike, sidomos gjatë muajve të ftohtë të dimrit, që janë kushtet minimale që duhen garantuar për mbarëvajtjen e orarit mësimor, veçanërisht në shkollat ku zhvillohet mësim edhe në orët e pasdites. Do të kërkoja garancinë e plotë të institucioneve përgjegjëse për të parë me prioritet këto problematika”- tha prefekti Vorpsi.
Ai kërkoi më shumë bashkëpunim mes drejtuesve të shkollave, psikologëve dhe Policisë me prindërit për të identifikuar problematikat që në gjenezë.