Ambasadori italian në Tiranë deklaroi se për të patur rezultate solide në luftën kundër krimit të organizuar duhen goditur pasuritë me burim kriminal të të implikuarve.
I pyetur nëse trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Italisë vazhdon të jetë një problem, ambasadori Gaiani shprehet ky është fenomen global tashmë.
“Është një dukuri globale, pra nuk ka më veprimtari kriminale që përqëndrohen në një vend të vetëm, por janë të lidhura me njëra-tjetrën, kanë aftësi ripërtëritëse duke krijuar forma të reja ndërveprimi edhe përmes teknologjisë së lartë. Për fat, nga ana e ligjit, nga ana e të mirëve, sikurse në filmat amerikanë, edhe forcat e policisë dinë të pajisen me mjetet e duhura, e për rrjedhojë të përshtaten.
Nga njëra anë elementët kriminalë janë të pajisur më së miri, por nga ana tjetër edhe forcat e policisë janë të pajisura në masën e duhur, çka ka bërë të mundur arritjen e objektivave të rëndësishëm.
Kohët e fundit, operacionet e përbashkëta kanë qenë të shkëlqyera, duke dëshmuar nivel të lartë bashkëpunimi e ndërveprimi dhe kur ekziston një frymë e tillë rezultatet janë mëse të dukshme”, nënvizoi diplomati.
“Në gazeta keni patur raston të lexoni ato çka janë arritur e besoj se kjo është shumë e rëndësishme, është mëse e rëndësishme për rrugëtimin e Shqipërisë në BE”, tha ambasadori Italian Massimo Gaiani, për “Diplomaticus” në News 24.