INTERVISTA/ Jahjaga: Zgjedhja ime si presidente, do e shkruaj në kujtimet e mia kush më propozoi

16 Shtator 2015, 11:11Rajoni TEMA

Për herë të parë në një studio televizive shqiptare, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka rrëfyer në emisionin “Top Show” në TCH, përballë gazetarit Alban Dudushi, prapaskenat e ngjitjes së saj në Presidencë, paragjykimet me të cilat përballet edhe nga zyra e kreut më të lartë të shtetit vetëm sepse është grua, betejat e saj për mbrojtjen e grave të dhunuara, çështja ISIS, por edhe se ku do ta shikojmë Atifete Jahjagën pas përfundimit të mandatit të presidentes në prill të vitit 2016. Jahjaga i ka shpjeguar gazetarit Alban Dudushi edhe arsyet e kësaj vizite të vonuar në Shqipëri, por nuk ngurron të tregojë të vërtetën edhe për prapaskenat e bashkëpunimit të munguar me Serbinë në këtë valë eksodi që përfshiu Kosovën në fund të vitit të që lamë pas dhe në fillim të këtij viti. Për një gjë ajo nuk ka dyshime: që dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë, dhe për presidenten Jahjaga, kjo është e paalternativë. Duke lënë mënjanë modestinë si kryetare e shtetit, Jahjaga deklaron se kur të largohet nga zyra e Presidencës, ajo do të ketë lënë trashëgimi një lidership kushtetues të paprecedentë, pasi ka ditur të jetë mbi palët dhe të mos ndikohet nga emocionet. Sa i përket Gjykatës Speciale, Jahjaga shprehet se nuk ka pasur presione dhe se ky do të jetë një premtim i mbajtur për të pastruar figurën e Kosovës përballë ndërkombëtarëve.  

Intervistoi Alban Dudushi, Top Show

Le të kthehemi pak mbrapa në kohë, znj. Presidente, dhe pikërisht në periudhën kur ju u zgjodhët Presidente e Republikës së Kosovës. Ishte një lajm, për disa arsye! Ju ishit një personazh jo i përfshirë në skenën politike të Kosovës, ishit një grua dhe jeni ndoshta e vetmja grua kryetare shteti në Ballkan. Por ishte kurioze edhe mënyra se si ju erdhët në Presidencë. Cili ishte kumbari juaj? Cilat ishin rrethanat kur ju erdhi propozimi për t’u bërë presidente?

Ju e dini që në vitin 2011 Kosova kalonte në fazën e një krize të thellë politike. Kishte dhënë dorëheqjen një president, pastaj ishte zgjedhur presidenti i ri në vend, gjykata kushtetuese kishte marrë një vendim që procedura e zgjedhjes së presidentit nuk ishte respektuar. Dhe në atë kohë tre partitë kryesore në vend, kishin dalë me qëndrimin për të përkrahur kandidatin konsensual për president të vendit. Unë nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, por mua më është ofruar detyra që ti shërbej vendit në atë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për Kosovën, për qytetarët e saj, gjatë një krize të thellë politike, kur ishin sfiduar institucionet e vendit dhe kur besimi i qytetarëve tanë në institucionet e vendit sa shkonte e rrënohej.  Unë them Alban, se nuk ka nder dhe privilegj më të madh se sa ti shërbesh vendit tënd. Nuk ka nder dhe privilegj më të madh që të jesh përfaqësues i vendit tënd në një moment të rëndësishëm dhe vendimtar, siç ishte Kosova në atë kohë, në një moment vendimtar për shtetin tonë dhe qytetarët tanë.

Kështu që ju nuk patët dilema për ta pranuar propozimin?

Askush, asnjëherë, jo vetëm unë, por asnjë qytetar nuk duhet të ketë dilema kurdo që duhet të shërbesh për vendin dhe qytetarët e tu. Sepse, atëherë, nuk është në pikëpyetje vetvetja, por është në pikëpyetje vetë shteti dhe qytetarët e saj.

Pra juve ju erdhi si rrufe në qiell të pastër?

Mund të kuptohet edhe kështu, për rrethanat që kanë qenë në atë kohë.

Është sekret, apo mund të na e thoni se cili ishte ai që ju propozoi? Kujt i vajti mendja te ju?

Ende nuk ka ardhur koha, por një ditë do të shpalosen në memoaret e mia, që unë do t’i shkruaj patjetër në të ardhmen.

Shkollimi juaj ka qenë në Prishtinë, ku ju keni mbaruar Fakultetin Juridik, por pastaj keni ndjekur trajnime e specializime në SHBA dhe shumë veta thonë se ishin pikërisht amerikanët që ju morën dhe ju sollën këtu?

Unë e them përsëri që këto çështje nuk janë tash për t’u zbuluar dhe diskutuar, por ka me ardh koha dhe unë të gjitha këto kam me i vendos në memoaret e mia, kurdo që të kem kohë, pas përfundimit të mandatit tim kushtetues si presidente e vendit. Ndoshta për dikë do të jenë befasuese, ndoshta për dikë nuk do të jenë befasuese.

 Ndërkohë do t’ju pyes edhe çfarë do të bëni pasi të përfundojë mandati. E theksova edhe në fillim, duke qenë ndoshta e vetmja grua kryetare shteti në të gjithë Ballkanin Perëndimor, natyrisht një person që është në krye të shtetit, ashtu siç ka lavdërime ka edhe kritika, por a keni ndjerë ju nota seksizmi në kritikat ndaj jush? D.m.th, pozicionim ndaj jush për shkak të të qenit grua, dhe jo për shkak të asaj se çfarë bëni?

Absolutisht po Alban! Unë kam thyer shumë barriera gjatë karrierës time. Unë kam qenë gruaja e parë që ka pasur pozitën më të lartë në kuadër të një institucioni, siç ka qenë policia e Kosovës që është e kuptuar dhe sikurse ka qenë gjithmonë, një profesion i rezervuar për meshkujt. Me zgjedhjen time si presidente e Kosovës, unë kam bërë histori jo vetëm për Kosovën, por kam bërë histori për të gjithë Ballkanin, por edhe më gjerë. Detyrat, përgjegjësitë, dhe ato me të cilat unë merrem nuk dallojnë aspak me detyrat e përgjegjësitë e një presidenti mashkull kudo që veprojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Natyrisht që unë jam ballafaquar me shumë probleme, sfida, madje edhe me një lloj qasjeje seksiste. Shpeshherë mendimi im është i gjykuar vetëm se jam grua, ka pasur edhe një përqindje të opinionit publik që më ka paragjykuar, por Alban, mund të të them se unë jam ndjerë shumë rehat me atë çfarë përfaqësoj. Dy milionë qytetarë të republikës së Kosovës janë shumë të përkushtuar dhe të përqendruar që të ndërtoj një shtet të qëndrueshëm, një shtet të prosperueshëm dhe një shtet demokratik. Unë jam votuar në kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave dhe unë asnjëherë nuk e kam kthyer kokën mbrapa që të paragjykoj këtë besim dhe këtë mbështetje që më është dhënë.

Megjithatë, Gjykata Speciale, disa analiza thonë kështu, pritet të shkaktojë një tërmet në politikën e Kosovës. Një tërmet, që le të themi, mund të çojë në zgjedhje të parakohshme?

Nuk mund ta paragjykojmë situatën. Procesi i Gjykatës Speciale ka qenë një vendim i vështirë. Unë e kam thënë edhe në Kosovë: është për t’u përshëndetur qasja e spektrit politik në Kosovë, i cili ka përkrahur krijimin e këtij procesi, si një proces kredibil, i cili njëherë e përgjithmonë do t’i largojë këto akuza që rëndojnë rëndë në supet e Kosovës, në supet e institucioneve. Unë kudo që kam udhëtuar jashtë Kosovës, pa marrë parasysh a kam qenë në vizitë zyrtare, a kam qenë në vizitë shtetërore, a kam qenë në konferencë, apo samit,  nuk kam pasur asnjë rast të vetëm i cili nuk është ngritur çështja e gjykatës speciale, çështja e këtyre akuzave të Këshillit të Europës.

Të mendojmë që kjo është sakrifica e fundit që duhet të bëjë Kosova për të nxjerrë të vërtetën e saj përpara komunitetit ndërkombëtar. Po çfarë sjell kjo? A sjell një përshpejtim të afrimit të Kosovës ndaj Bashkimit Europian? A sjell kjo një përshpejtim dhe njohje të Kosovës edhe nga ata vende që sot janë anëtare të BE-së, por nuk e njohin Kosovën? Cilat janë përfitimet direkte, përveç atyre morale, që Kosova do të ketë nga konstituimi i kësaj gjykate speciale?

Patjetër që do të ketë përfitime gjatë proceseve të mëtejshme të Kosovës, jo vetëm në realizimin me krijimin e gjykatës speciale, pasi edhe kur folëm pak më parë për procesin e liberalizimit të vizave, Kosova ka filluar edhe një proces krejtësisht tjetër që ka të bëjë më marrëveshjen e stabilizim-asociimit, i cili është një momentum i ri, i cili është një marrëdhënie kontraktuale që ka të bëjë me në mes të Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat për Kosovën kanë ecur pak më ngadalë nga ç’është paraparë. Unë shpresoj që shumë shpejt Kosova do të nënshkruajë marrëveshjen e stabilizim- asociimit duke shënuar hapin e parë tonin konkret drejt proceseve të integrimeve dhe vendosur kështu Kosovën në qendër të politikave të zgjerimit të BE-së. Ju e dini që ne i kemi pesë shtete anëtarë të BE-së, të cilat nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës, një numër i tyre kanë pasur një qëndrim goxha të ngurtë deri më tani, por tani kemi filluar të shikojmë një lëvizje pozitive në qasjen e këtyre shteteve. Por të jemi të qartë, mosnjohja e këtyre shteteve nuk ka t bëjë asnjëherë me raportet mes këtyre shteteve dhe Kosovës, por ka të bëjë me proceset dhe çështjet e brendshme të tyre. Kalimi i gjykatës speciale dhe procese të tjera që ne i kemi kaluar, unë konsideroj se duhen shfrytëzuar si momentume të mira edhe nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë, edhe nga vendet e BE-së, edhe nga ana e aleatëve tanë strategjik, me qëllim avancimin e Kosovës dhe ofrimit të Kosovës drejt proceseve integruese.

Dukej sikur në atë periudhë vepruat me shumë ngathtësi, gati-gati sikur nuk dinit se çfarë të bënit me një top që iu kishte ardhur në dorë??

Pa marrë parasysh paragjykimet e tjera, unë them se kushtetuta e vendit nuk është sugjerim. Kushtetuta e vendit është obligim, për mua dhe të gjithë institucionet e tjera. Dhe mua më gëzon jashtëzakonisht shumë fakti Alban, që trashëgimia më e madhe që do të lë në këto katër vite të mandatit tim, ka qenë lidershipi kushtetues. Unë e quaj lidership kushtetues sepse është i paprecedentë.

I paprecedentë????

I paprecedentë!

Ndoshta edhe për shkak të profilit tuaj që nuk vini nga partitë politike?

Po ai është obligim kushtetues, pa marrë parasysh background, pa marrë parasysh a vjen nga vija politike apo jo. Detyrat dhe roli i presidentit janë shumë të qarta: të jetë faktor i unitetit, të jetë garantues i funksionimit demokratik të institucioneve, jashtë politikave ditore. Presidenti i vendit nuk duhet të jetë emocional, nuk duhet të jetë i ndikueshëm, nuk duhet të jetë në shërbim të kalkulimeve politike. Duhet të jetë jashtë këtyre. Dhe krenaria ime më e madhe është që gjatë funksionimit përgjatë këtyre katër viteve kam mundur që t’ia ofroj këtë shërbim zyrës së Presidentit të Kosovës, si dhe të gjithë qytetarëve.

E pretendoni një mandat të dytë presidencial?

Mandati i Presidentit të Kosovës përfundon në prill të vitit 2016, mandati im përfundon më 2016.

Po ndërkohë po mendoni për një mandat të dytë?

Mandati im përfundon në prill 2016.

Prilli i 2016-s është shumë afër dhe nuk e besoj dot se nuk e keni menduar se çfarë do të bëni pas përfundimit të mandatit?

Të them të drejtën, Alban, nuk kam shumë kohë të mendoj se çfarë do të bëj në të ardhmen sepse jam shumë e përkushtuar që të përmbush shumë detyra dhe obligime, të cilat jo vetëm i kam detyrim ligjor, por disa i kam edhe shumë përzemër. Njëra ka të bëjë me viktimat e dhunës seksualë gjatë luftës, kam edhe një këshill që ka të bëjë me proceset integrime evropiane si një pjesë e planit të funksionimit demokratik të institucioneve, pastaj kam këshillin për luftën efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kam një axhendë goxha të ngarkuar deri në prill të vitit të ardhshëm që nuk më jep shumë kohë të mendoj se çfarë do të bëj.  Por them edhe njëherë se mandati i presidentit të Kosovës përfundon në prill të 2016-ës.

Politika është kthyer në pasion tani, nuk është më vetëm një çështje detyre? Apo është vetëm detyrë?

E  thashë edhe më herët që për mua ka qenë nder dhe privilegj që t’i shërbej vendit tim, që t’u shërbej qytetarëve të mi. Dhe unë e kam marrë këtë detyrë me përgjegjësinë më të madhe jo vetëm institucionale, por edhe morale. Dhe në çdo hap, në çdo qelizë timen ka pasur të bëjë me zyrën e Presidentit të vendit, me qytetarët e vendit, me institucionet e vendit.

Atëherë, këtë nder nuk ka arsye që ju të mos doni ta vazhdoni pas prillit të 2016-s?

Mandati im përfundon në prill të 2016-s!

Do të jeni politikane, gjithsesi?

Ende s’e kam vendosur se çfarë do jem.

Jeni shumë e re për të dalë në pension…

Unë kam dalë një herë në pension, jam gjeneral i pensionuar deri më tani. Por dua të garantoj të gjithë qytetarët e Kosovës se kudo që të jem do jem në shërbim të vendit tim, do të jem në shërbim të qytetarëve të mi. Do të jem e përkushtuar që të punoj në çdo sekondë për të ardhmen, për avancimin e pozitës së vendit tim. Patjetër që do të punoj edhe për avancimin e të rolit të gruas.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje