OSHEE investime për rrjetin e shpërndarjes në qytetin e Tiranës

23 Shtator 2015, 11:33Sociale TEMA

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri dhe administratori i Përgjithshëm i OSHEE-së  Adrian Çela inspektuan sot një zonë të qytetit të Tiranës në të cilën nisi investimi për ndërtimin e rrjetit të ri të shpërndarjes.

Investimi në njësinë e inspektuar arrin në vlerën rreth 550 mijë dollarë, shtrihet nga Selita deri në zonën pranë shkollës “Vasil Shanto” dhe më tej deri në rrugën e Kavajës duke përmirësuar cilësinë e furnizimit për rreth 15 mijë konsumatorë. Kjo zonë ka një konsum të lartë të energjisë dhe për shkak të rrjetit të amortizuar vuan nga defektet e shumta, sidomos në sezonin e dimrit. Punimet nisin në shtator dhe afati i përfundimit të tyre është tre muaj.

Ministri Gjiknuri deklaroi se këto investime janë në përputhje me vizionin e qeverisë që rikthimi i ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, rritja e arkëtimeve, të shoqërohen me përmirësim të cilësisë së furnizimit.

“Investimet këtë vit po vazhdojnë në të gjithë Shqipërinë dhe është një fond gati prej 5 miliard lekësh, pra afërsisht 50 milion dollarë, të cilat po investohen nga korporata për përmirësimin e infrastrukturës energjetike përsa i përket shpërndarjes. Mesazhi është shumë i thjeshtë, shumë i qartë dhe besoj i kuptueshëm për të gjithë qytetarët. Kontributi i tyre, pagesat që janë shtuar, ulja e humbjeve po përkthehet ne investime dhe sjell siguri më të madhe për sistemin tonë energjetik, tarifa më të qëndrueshme të energjisë elektrike dhe e bën vendin më të sigurtë nga pikëpamja energjetike. Këto politika po përkthehen gjithmonë në dobi të qytetarëve”, u shpreh ministri.

Ndërkaq, administratori i OSHEE-së Adrian Çela deklaroi se kompania po i kushton vëmendje edhe zonave që janë të rregullta me pagesat e energjisë por kërkojnë një cilësi më të mirë furnizimi duke shmangur defektet.

“Investimet vetëm për Tiranën qytet, për këtë vit parashikohen të arrijnë në 240 milion lekë. Ato synojnë vendosjen e një rrjeti të ri, dhe kthimin e  linjave 6/10 kV në 20kV, me linja moderne dhe cilësore, kabina, transformatorë të rinj. Aktualisht po ndërtohet edhe në zonat rreth Rruga Ura – Shkozë, Don Bosko, Siri Kodra.  Pritet të nisë këto ditë një tjetër investim i rëndësishëm, ku pas 10 vitesh, Qytetit Studenti do ti vendosen transformatorë të rinj, si dhe pajisje moderne për kabinat. Pa përmendur investimin e 200 milion lekë të reja investim që u bë në nënstacionin e mbas hoteli Tiranës, si dhe investimet që janë në pjesën tjetër rurale të qytetit. Kompania nuk ka objektiv të saj vetëm uljen e humbjeve jo teknike apo mënjanimin e vjedhjeve, por ka edhe atë të ofrimit të shërbimit të furnizimit cilësor të qytetarëve dhe të atyre që paguajnë korrekt energjinë elektrike. ”, theksoi z.Çela.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje