INTERVISTA/ Hamleti lind femër në TKE! Kiço Londo: Vetëm Shekspiri mund të na shpëtojë!

26 Shtator 2015, 20:00Kulturë TEMA

Nga Jonida Hitoveizi

Është një nga ato rikthime për të cilat flitet gjatë, nga ato për të cilat publiku mund të ketë 1001 përse. Përse duhet të lind Hamleti femër? Për këtë drejtori i Teatrit Eksperimental, Kiço Londo ka një përgjigje të tij ku shprehet se karakteri i këtij personazhi që nuk njeh kohë, ky personazh kaq kompleks dhe me kaq dilema është vetëm grua. Hamleti mund të jetë vetëm njeri, pa gjini. Është qënie hermofrodite që i ka të dyja gjinitë, por që në TKE do të lind grua. Hamleti i Luiza Xhuvanit lufton botën e njeriut thjesht si një qënie njerëzore”, shprehet Londo.

Në bisedën për gazetën TemA Londo zbulon të tjera detaje rreth shfaqjes, ndërsa thotë se përzgjedhjen e Xhuvanit nuk  e sheh si një provokim regjisorial, por përkundrazi “një bast i madh për teatrin, ku dramat vetjake në art shpesh nxisin sukses artistik”. Ndërsa shton se “Prania e Hamletit femër në një shoqëri dramatike dhe kaotike si kjo e jona gjendet përditshmërisht e fshehur mes nesh.

Londo zbulon se për herë të parë në Shqipëri në një shfaqje do të ketë një regjisor ndriçimi të huaj. Ndërsa perdja do të ngrihet më 10 tetor kur Luiza Xhuvani do t’i tregojë publikut “Hamletin e saj”.  Një Hamlet, i cili nuk do të ndryshojë për botën, por bota të ndryshojë për të!

Në 10 tetor do të jetë premiera e Hamletit, në Teatrin Eksperimental. Si do të vijë tek publiku shqiptar kjo tragjedi shekspiriane?

Do të vij me përkthimin e mrekullueshëm të Fan Nolit, me regjinë plot të papritura të Enke Fezollarit, me interpretimin plot stil të Luiza Xhuvanit, me pjesëmarrjen e aktorëve të mi të pandashëm si Ermira Hysaj (Ofeli) dhe Endri Cela, si edhe me aktorë të tjerë të rinj të cilët i ftoj t`i shihni në përballjen e tyre dinjitoze. Shfaqja do të përcillet përmes një teksti konçiz dhe të padeformuar të Shekspirit, përmes një loje plastike krejt të veçantë. Në shfaqje nuk do të mungojë as muzika shqiptare, as kostumet e stilizuara në kuqezi, madje as skenografia piramid. Shfaqja do të ketë edhe një regjisor ndriçimi të huaj dhe kjo ndodh për herë të parë në Shqipëri. Një shfaqje plot ngjyra me një regjisor mjaft të suksesshëm në Greqi, por që asnjëherë nuk i harron ngjyrat e shpirtit të vendit të vet. Te tjerat do t`i themi ne 10 tetor.

 Hamleti ka 50 vite pa u vënë në skenën shqiptare, përse po e sillni tani?

Sepse mendoj që vetëm Shekspiri mund të na shpëtojë, duke na treguar sesi mund të dalim nga kaosi në të cilin kemi rënë si shoqëri, sesi mund të dalim nga dilemat që na shoqërojnë. Shekspiri ka një virtyt të madh. Flet për gjëra absolute, por rruga në për të cilën kalon ka diçka tranzitore si shoqëria jonë në këto momente. Vepra e Shekspirit është hapje ndaj diçkaje dhe dalje nga diçka. Vlera e tij e madhe qëndron  si në cdo gjë tjetër të madhe, tek mënyra sesi ai e bën, tek peisazhi i ngjyrave, i cili nuk është as i bardhë e as i zi, ngjan si një perëndim dielli. Atje brenda është Shekspiri. Nga ana tjetër Shekspiri mund të na shpëtojë edhe në aspekt të edukimit teatral dhe sidomos të atij eksperimental. Natyrisht që kjo nuk është e lehtë, sepse Shekspiri është provuar edhe më parë në teatrin shqiptar. Po le t`i themi gjërat me emrin e tyre. Janë luajtur veprat e tij, por në shumicën e rasteve shfaqjet nuk kanë asnjë lidhje me to. Ne akoma nuk e dimë sesi luhet Shekspiri. Tekstet e tij të mrekullueshme që të arrihen kërkojnë vëndin, kohën, metodat, njerëzit, kërkimet dhe edukimin e duhur. Mendoj që puna e regjisorit Fezollari është e veçantë dhe në drejtimin e duhur. Luiza Xhuvani është një mbështetje për tu pasur zili. Një siguri tjetër është ekipi mjaft i ri me shumë energji dhe dëshirë për zbulime dhe arritje. Unë e ndiej suksesin e shfaqjes dhe natyrisht deri atje ka akoma rrugë, por për një gjë jam i sigurt; të gjithë ne, krijues dhe publik, do të fitojmë dicka brenda nesh me këtë shfaqje. Ne po bëjmë punën në një teatër shtetëror me financa të limituara. Çfarë të them? Ngandonjëherë nervozohem. Jetojmë në një situatë e cila na prek të gjithëve; një krizë morale e pashoq. Sikur të mos mjaftonte kjo krizë, teatri ynë është i rrethuar nga zgara tymi, birrë që derdhet përtokë dhe muzik që të ngrë nervat cdo cast. Po bëj përpjekje që në këtë situatë të bëhem më i dobishëm, duke mos frenuar as ndjeshmërinë time e cila më hap shumë punë por unë nuk tërhiqem. Kam financa vetëm për 10 aktorë, ndërsa në teatër kam krijuar mundësi që të aktivizohen 40. Shpesh shoh dhe punoj me aktorë të cilët kanë probleme të mëdha. Megjithatë po punojmë për një ndryshim i cili po ndodh, madje së brendshmi. Këto 10 vitet e fundit e ndjej se për mua më shumë rëndësi ka jo ajo që shfaqet, por ajo që unë jetoj, si kontakti me aktorë të rinj me të cilët kam pak pika të përbashkëta, por ata më ndihmojnë që të shoh se sa i kundërt jam, dhe kjo është shumë krijuese.

Princi Hamlet do të luhet nga aktorja Luiza Xhuvani. Pyetja e parë që të vjen ndërmënd është përse një femër për një rol të tillë dhe pse pikërisht Luiza?

Karakteri i Hamletit, por jo vepra, tejkalon shumë barriera, mesjetar/modern, hero/frikacak, mashkull/femër. Në fakt mendohet se Shekspiri e ka krijuar Hamletin femër duke deklaruar: “Mendja sharmante e Hamletit ështe femerore në natyrën e saj”. Nuk jam i sigurt se përse producentët e tjerë kanë vendosur që Hamleti të jetë femër, por unë mendoj se Hamleti bazohet në dualitetin e shpirtit dhe tregon vazhdimisht paradoksin e të kundërtave. Ai flet për dashurinë dhe urrejtjen, rininë dhe pleqërinë, jetën dhe vdekjen, mashkullitetin dhe feminilitetin. Hamleti është qënie hermofrodite që i ka të dyja gjinitë, por që në TKE do të lind grua. Hamleti i Luiza Xhuvanit lufton botën e njeriut thjesht si një qënie njerëzore. Në fund të fundit me kaq shumë dilema që ka Hamleti është vetëm femër.

Tragjedia e vrasjes, xhelozisë, tradhëtisë, çmendurisë…dilemma të jesh apo të mos jesh lidhen shumë me vet jetën e aktores. E shihni këtë si ndihmë për Hamletin në skenë, pra do jetë më e fuqishme gjithçka do të përcillet tek publiku?

Më lejoni të mos jem dakort me këtë inventar. Tek Luiza Xhuvani si nënë dhe artiste njoh vetëm dilemën e fundit, atë që lidhet me jetën e saj familjare, e cila nuk ngjason me dilemën e saj si artiste edhe pse e ndihmon shumë këtë dilem. Duke pasur një përvojë të gjatë në punë me të, mendoj se Luiza si aktore gjithmonë ka patur dilemën e pretendimin për punë të arrirë artistike, për më shumë sukses dhe natyrisht për atë dilemë që ka çdo aktor: Ta ngrejë artin si triumf të jetës së vet. Unë kam bindjen se Hamleti i Luiza Xhuvanit në skenë do të jetë më i fuqishëm dhe do të ketë një ekstra ngarkesë në marrëdhënie me publikun.

Është luajtur më parë Hamleti nga ndonjë femër më parë?

Historia e Hamletit të luajtur nga femrat ka filluar që në shek e 18-të. E para ka qënë Sharlot Kark, e shquar për interpretimin e shumë karaktereve meshkuj. Një shekull më vonë u interpretua nga Sara Bernard në Londër dhe Paris. Në fillim të shek 20-të Hamleti u interpretua në Gjermani nga Asta Neilson, por interpetimet më të shumta të Hamletit nga femrat vijnë pas viteve ’70 të shekullit të kaluar. Midis së cilave përmendim Fransis De La Tur (1974), Ruth Mitchel (1992), Angela Ëinkler (2000) Gei Keiser (2014), Maksim Pik (2015), etj.  Sa herë që ka pasur “luftëra” për të drejtat e grave kudo në botë që prej shek 18-të, Hamleti është interpretuar nga një grua.

Ju si drejtor i TKE, e shihni këtë si provokim regjisorial apo të themi një metamorfozë moderne të Hamletit?

Nuk e shoh as si provokim as si metamorfozë, por thjesht marrëdhënie me sfidën krijuese në art dhe sidomos në teatër. Regjisori i teatrit vazhdimisht në udhëtimin e tij ndeshet me të papritura rrallë të përsëritshmë dhe sidomos me gjetjet surprizë. Siç e dini surprizat mund të vijnë nga larg, por shpesh gjenden shumë pranë. Prania e Hamletit femër në një shoqëri dramatike dhe kaotike si kjo e jona gjendet përditshmërisht e fshehur mes nesh.

Besoj jeni në dijeni të kuriozitetit që keni shkaktuar duke sjellë në teatër Luiza Xhuvanin, pas shkëputjes së saj nga jeta publike. Duke pasur tani sfidën e Hamletit dhe të shfaqjes që do pak ditë të vihet në skenë, keni ndonjë gjë së cilës i druheni apo cdo gjë do të jetë ashtu siç ju e keni parashikuar?

Nuk është çështje dijenie, është diçka që lehtësisht merret me mend. Koncepti juaj është i gabuar. Luiza Xhuvani nuk është shkëputur nga jeta publike, sepse edhe po të dojë nuk shkëputet dot. Ajo jeton përmes artit, ushqehet përmes profesionit të saj aktrimit. Ajo është shkëputur vetëm nga jeta politike. Sfida e saj për Hamletin natyrisht që është një bast i madh për teatrin dhe për regjisorin dhe këto janë dy gjëra kryekëput të ndryshme. Ka me dhjetëra subjekte që kanë dal, si ky i sotmi, nga jeta artistike, me historitë nga jeta personale apo familjare e artistëve. Dramat vetjake në art shpesh nxisin sukses artistik, sepse kjo është një deviz e provuar dhe që mbetet në fuqi që nga aktrimi antik e deri tek ky i ditëve tona. Nuk kam asgjë për t`u druajtur, sepse të druhesh në teatër do të thotë ta kesh tradhtuar teatrin. Teatri është i pangratërrueshëm me gjërat e tjera të jetës.

Mendoni se duhet të ketë një ripërkthim të veprave të Nolit, konkretisht Hamletit?


E kam dëgjuar këtë. Edhe unë personalisht në shumicën e rasteve i ripërkthej veprat, sepse me kalimin e kohës asnjë perkthim nuk mund të mbart me vete pasurinë poetike të veprave të mëdha dhe si rrjedhojë këto vepra bëjnë thirrje pa pushim për t`u riperkthyer. Ideja e një humbjeje të pariparueshme në përkthim e sipër rrjedh nga bindja se dy sisteme linguistike të ndryshme nuk mund të rivendosen në mënyrë të përkryer mbi njëra-tjetrën. Vet termat kanë specifikën e tyre të ngulur në zakonet kulturore dhe historike, kanë kuptim të ndryshëm. Kështu përkthimi përjeton një ndjenjë tradhëtie. Shekspiri përdor ngadonjëherë terma anglo saksone dhe ngadonjëherë terma latine, por shqipja nuk e bën dot këtë, kështu që më mirë tëk një kollos si Noli, i cili ka një gjuhë skenike të përsosur. Ai di të përkthej për një aktor. Përkthimi i tij është i pastërt, energjik, konciz dhe që nuk e thyen magjinë e të qënit në teatër. Gjuha e Nolit respekton në mënyrë krijuese elementët formal të Hamletit qe janë stilistika, ritmi, fraza, ndërprerjet sintaksore, përsëritjet, skemat prozaike, etj. Leximi dhe kuptimi me vëmëndje i introduktes i Nolit për Hamletin është i domosdoshëm. Ai introdukt ka imazh.

5 komente në “INTERVISTA/ Hamleti lind femër në TKE! Kiço Londo: Vetëm Shekspiri mund të na shpëtojë!”

  1. soll lili says:

    Vari leshte.

    1. adriana says:

      Waw cfare interviste me vlere.

  2. hico londo says:

    Asnjehere nuk e kam kuptuar sesi ky fshatar kontravers,banal e mashtrues mund te beje art!!!!!!!!!!!!!!

  3. Meti says:

    Ore Kico,
    as te njoh e as me njeh. Normalisht duhet te kem respekt per njerez qe e duan artin, ku mendoj se duhet te jeni edhe ju.
    Por teatri ne Shqiperi nuk ka lindur sot, as drejtoret e as regjisoret. Per moshen qe keni, me sa kuptoj, ju nuk e keni njohur sa e si duhet as Naim Frasherin, aktorin, as Kadri Roshin, dhe as Kujtim Spahivoglin, te cilet me sa kujtoj kane luajtur qe te tre Hamletin, tradicional.
    Nuk e njoh veprimtarine tuaj ne fushen e artit a te teatrit ne menyre te vecante, por me dy a pese fraza qe artikuloni ne kete nterviste, nuk ju lejohet- nese keni respekt per vete e jo per tre emrat e njohur te artit shqiptar qe i permenda me lart e qe sot nuk jetojne-, te percmoni a t’i bini vize nje historie shqiptare suksesi te venies ne skene te Hamletit e jo vetem kaq.
    Si nje i moshuar mund te them: paci sukses me teatrin qe drejtoni, por qe t’ia arrini kesaj ulni koken e punoni modestisht, pa marre neper kembe te kaluaren e teatrit shqiptar, qe doni s’doni ju, ka vlera te medha kulturore, emancipuese sidomos, ne rradhe te pare te ju punonjesve te ketij sektori, vecmas- ju si person. Nuk dua te besoj qe jeni thjeshte rrogetar, e aq me pak, qe mund te jeni origjinal thjesht se jeni me apo pa merita nje dite e nje vit drejtor.
    Nje shoqeri ne krize morale te thelle, sic shpreheni ju, nuk mund te kete teater, aktore e regjisore, e po deshe as trupa te tera teatrore qe nuk mbajne mbi kurriz, si gjithe populli (!) kete krize. A mund te pohoni mbi kete arsyetim se edhe ju, si nepunes shteti a si regjisor, jeni produkt krize?!

  4. muzllumutat jane kontra z.Londo:
    teatri per muzllumat eshte mekat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje