Ja abuzimet e Ardian Fullanit me miliona euro, për ish-hotel Dajtin

12 Tetor 2015, 18:35Kronika TEMA

Ditën kur qeveria shqiptare vendosi të këmbente hotel Dajtin-godinë monumentale në zemër të Tiranës- me 30 milionë euro, askush në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë nuk ishte në dijeni për blerjen e madhe. Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 12 maj 2010 ishte bërë fakt, kur mbërriti një muaj e gjysmë më vonë mbi tavolinën e nëntë anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, organi më i lartë vendimarrës në Bankën e Shqipërisë.

Më 26 qershor 2010, blerja u miratua edhe nga Këshilli Mbikqyrës, ndërsa guvernatori i kohës, Ardian Fullani doli para mediave dhe tha: “angazhohemi për gjallërimin dhe rikthimin e shkëlqimit të humbur të një prej godinave më të vlerësuara të Tiranës”.

Pesë vjet më vonë, ish-hotel Dajti mbetet gërmadhë, ndërsa ish-guvernatori Fullani po përballet me një proces gjyqësor, i akuzuar për shpërdorim detyre edhe me procedurat e blerjes së godinës, që në vitet ’40 njihej si “hoteli më luksoz i Ballkanit”.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, një kopje e së cilës disponohet nga BIRN, Këshilli Mbikëqyrës ka marrë vendim për blerjen e hotel Dajtit, një muaj pasi qeveria ia kishte shitur këtë pronë Bankës së Shqipërisë.

“Personi nën hetim Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Ardian Fullani u arrestua më 5 shtator 2014, për shkak se drejtimi i tij 9-vjeçar në krye të Bankës së Shqipërisë u kompromentua nga vjedhja e 713 milionë lekëve prej një punonjësi të institucionit. Paralelisht me skandalin e vjedhjes, Prokuroria e zgjeroi hetimin edhe me prokurimet e diskutueshme, që Banka Qendrore kishte realizuar ndër vite.

Në fund, ish-guvernatori u dërgua në gjykatë me akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy episode; me procedurat e sigurisë që sollën si pasojë vjedhjen e 713 milionë lekëve dhe me transaksionin e blerjes së hotel “Dajtit”, pranverën e vitit 2010.

Gjyqi kundër Fullanit; ndër më të shkurtrit në historinë e drejtësisë shqiptare ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare të Prokurorisë. Megjithatë, hetimet e kryera nga Prokuroria e Tiranës kanë rikthyer në vëmendje projektet disa-milionëshe të Bankës së Shqipërisë për transformimin e ish-hotel Dajtit në zyra për punonjësit e saj.

Sipas hetimit të Prokurorisë, Banka e Shqipërisë ndërmorri prokurime të drejtpërdrejta dhe shmangu procedurat e tenderëve në projektet e saj për transformimin e ish-hotel Dajtit.

Ky operacion i kushtoi Bankës së Shqipërisë rreth 1.5 milionë euro dhe u la në mes, duke thelluar degradimin e monumentit të kulturës në qendër të Tiranës.

Projekti “Petreschi”

Një vit pasi bleu ish-hotel Dajtin përmes një transaksioni që u denoncua si “operacion spekulativ për të mbushur arkën bosh të shtetit” nga Partia Socialiste asokohe në opozitë, Banka e Shqipërisë nisi të vërë në jetë projektin për kthimin e godinës në zyra për punonjësit e vet.

Por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i administruar në dosjen e Prokurorisë kundër ish-guvernatorit Fullani thekson se projektet ishin të mangëta, ndërsa paratë janë shpërdoruar përmes procedurave të dubluara.

Banka e Shqipërisë ia besoi hartimin e projektit dhe preventivit për shndërrimin e ish-hotelit në zyra arkitektit Italian, Marco Petreschi, me të cilin po punonte ndërkohë për projektin e fasadës në godinën qëndrore të saj.

Më 23 nëntor 2011, përmes një prokurimi të drejtpërdrejtë, Banka Qendrore lidhi kontratën me Petreschin. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Banka e Shqipërisë shmangu tenderin e hapur, në këtë projekt që do të kushtonte 700 mijë euro.

Prokurimet e drejtpërdrejta kanë qenë një procedurë rutinë, e ndjekur rëndom nga Banka e Shqipërisë përgjatë drejtimit të Fullanit. Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2014, tenderat e hapur zinin vetëm 18 për qind të numrit të përgjithshëm të prokurimeve.

Para se të lidhte kontratë me arkitektin italian, Banka e Shqipërisë kishte realizuar 17 prokurime “blerjesh të vogla” me vlerë 3 897 650 lekë, të fituara nga kompania “Altea Geostudio 200” në periudhën 3 shkurt-3 gusht 2011. Studioja kishte marrë përsipër të bënte studime gjeoteknike dhe analiza laboratorike mbi gjendjen e godinës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerëson se këto studime ishin të mangëta dhe me kosto shtesë për projektet e mëpasme, që u aplikuan nga Banka e Shqipërisë.

“Studimi është bërë mbi bazën e çdo urdhri prokurorimi, pa pasur specifikimet e nevojshme teknike. Kryerja në këtë mënyrë nuk siguron një studim të plotë dhe cilësor,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Në prill 2011, Altea Geostudio 2000 dorëzoi studimin e saj dhe paralajmëroi se “betoni është i degraduar në shumë pjesë të tij, si rezultat i ujërave nëntokësore”. Para ndërhyrjeve në godinë, ekspertët rekomanduan heqjen e ujërave nëntokësore dhe pastrimin e kateve nëntokë nga mbeturinat e dekompozuara.

Studimet gjeoteknike me vlerë rreth 3.8 milionë lekë nuk ishin të mjaftueshme për t’i dhënë Bankës së Shqipërisë lejen e ndërtimit dhe të zhvillimit për ish-hotel Dajtin. Në dosjen hetimore ndodhet përgjigja e Bashkisë së Tiranës, e cila pasi konstaton mungesën e raportit sizmiologo-inxhinierik, kthen mbrapsht dosjen e aplikimit të Bankës së Shqipërisë dhe kërkon plotësimin e saj.

Për këtë arsye dhe për shkak të ndryshimit të projektit të fasadës, kontrata 700 mijë euro e lidhur me arkitektin Italian, Marco Petreschi u amendua dhe një tender i dytë për shërbime shtesë projektimi u zhvillua nga Banka e Shqipërisë. Vlera e tij ishte 184 800 euro.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se procedura e dytë tenderuese mund të ishte evituar, duke i kursyer buxhetit të Bankës shumën prej 184 800 eurosh.

Gjithsesi, projekti për transformimin e godinës shkoi sërish ters. Më 21 janar 2013, kohë kur kompania që kishte fituar tenderin për prishjet në ish-hotel Dajti po kryente punimet, janë evidentuar dëmtime serioze në strukturën e godinës.

Për këtë arsye, arkitekt Petreschi ka kërkuar studime shtesë dhe Banka e Shqipërisë ka ripunësuar studion “Altea Geostudio 2000”, përmes tetë prokurimeve të reja. Sipas Prokurorisë, vlera e kontratës së re ishte 2 200 000 lekë.

Për audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, raporti i së cilëve ndodhet në dosjen e Prokurorisë kundër Fullanit, studimi i dytë i dorëzuar ishte thuajse identik me të parin.

“Kontrata për shërbimet shtesë të projektimit në vlerën 280 mijë euro për pjesën e rishikimit të projektit teknik me vlerë 184 800 euro janë ta pabazuara teknikisht. Edhe kontrata 2.2 milionë lekëshe me Altea Geostudio është e pajustifikuar teknikisht,” thuhet në dosje.

Audituesit vlerësojnë se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Bankës shkon mbi 28 milionë lekë.

Faji i “forcës madhore”

Paralelisht me procedurat e projektimeve, Banka e Shqipërisë nxorri dy urdhra prokurimi në korrik dhe shtator të vitit 2012 për pëzgjedhjen e kompanisë që do të kryente prishjet në godinë. Tenderi me vlerë rreth 24 milionë lekë është anuluar dy herë, deri në lidhjen e kontratës me kompaninë ABG.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se herën e parë munguan dy anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, ndërsa herën e dytë për shkak të kualifikimit të vetëm 1 kompanie, nga katër konkurrente.

Gjithsesi, kontrata me kompaninë ABG u zbatua në masën 60 për qind. Një arsye objektive për këtë ndërprerje është konsideruar mungesa e një plani urbanistik për Tiranën në atë kohë, e rrjedhimisht edhe për territorin ku shtrihet ish-hotel Dajti.

Shkak i ndërprerjes së punimeve u bënë edhe strukturat e dobëta të godinës, të cilat duheshin forcuar para se të bëheshin prishjet.

“Palët nënshkruan një dokument, ku kanë rënë dakord për mbylljen e kontratës. Diferenca e punëve të pakryera është 9.7 milionë lekë,” thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Para se ky vendim të merrej, më 25 shkurt 2013 ish-guvernatori Ardian Fullani ngriti një grup pune për të analizuar vlerësimet teknike dhe problemet e shpeshta që lidhen me qëndrueshmërinë e godinës.

Ekspertët e këtij grupi arritën në përfundimin se “problemet nuk qe e mundur të vlerësoheshin më parë”. Ato u përkufizuan si “forcë madhore”; një ngjarje që nuk mund të parashikohej ose është jashtë kontrollit të arsyeshëm të palëve.

Për audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit, nuk ka pasur “forcë madhore”, por mosndërhyrje në kohë në detyrat e projektimit, që arkitekti Italian, Marco Petreschi mori përsipër në kontratën e projektimit me vlerë 700 mijë euro.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, anomalitë me projektet për ish-hotel Dajtin kanë ardhur pasi Banka e Shqipërisë nuk ndërmorri asnjë vlerësim real të kësaj pasurie, para se ta blinte atë. Hetimi akuzon ish-guvernatorin se shpërdoroi detyrën kur bleu me vlerën e një hoteli, një ambient që do ta përdorte për zyra pune.

5 komente në “Ja abuzimet e Ardian Fullanit me miliona euro, për ish-hotel Dajtin”

  1. Berti says:

    Robt me gjykata me qeveri edhe u cifsha motrat mu ne ate shtet muti

    1. leon says:

      ke te drejt berti korrupsion

  2. liku says:

    Tani e kuptuam kodin penal ne Shqiperi.
    Eshte sipas skemes “Progresive”

    0-20.000 leke vjedhje — 5-7 vjet burg
    20.001-7 Miliarde leke vjedhje — I pafajshem

  3. Mahmut Koxha says:

    U ngopem me politiken ne te gjithe krahet.Gjithsecili kush te vjedhe me shume.Ne gop te se emes politikaneve te cdo lloj ngjyre qe mbrojne hajdutet,pasi mbrojtja eshte solidaritet me veten, por mjere populli. Shqiptare ! Solidar me te verteten dhe jo me politikane qe jane si ne,ndersa femijet e tyre ne te njejtin nivel ose me dobet se femijet tane,te shkolluar si ne, ose femijet e tyre te shkolluar si femijet tane,duke marre ketu parasysh privilegjet qe ato kane,por me te vetmin ndryshim :Nuk bejne te njejten jete si ne, ose femijet e tyre krahasuar me jeten e femijeve tane.Lind Pyetja : C’fare kane me shume se ne ata? ose femijet e tyre ndaj femijeve tane ? Kuptohet : Privilegji I te qenit ne pushtet.Vazhdo te vjedhesh se populli ha m….ne tre vakte.Me vjen keq se te njejten gje kam bere dhe une qorrazi dikur e ne nje kohe dhe me shume me vjen keq se e kam bere per forcen shpresedhenese te shqiptareve qe ne fillimet e saj sic ishte PD-ja,ideja per te cilat ne jete ajo erdhi dhe jo per rrugen ku ajo shkeli,duke njohur nga afer soj- sorollopet.Kjo nuk do te thote qe une nenkuptoj :Jane mire keto specialiste-matrapaze,por keqardhje per PD-ne ku na ktheu realisht ne kohen e PP-se.Ik nga PS-ja se e ke strehen te sigurt te PD-ja,Mundesisht ne pozicion minister,deputet apo pijanec,pavaresisht kush je dhe me te kaluaren qe ke ,duke lene kontibuesit ne meshire te fatit, karshi servileve qe I paraqiteshin Berishes.A e kuptoni qe ne Shqiperi eshte mbytur zeri real democrat ? A e kuptoni qe ne parlament per nje vote ne nje votim, extrakomunistet u bene te djathte ?A e kuptoni qe ne 8 vjet pushtet u falen dhe u sakrifikuan te gjithe demokratet reale per pushtet ne interesa te percaktuara ?Ose duhet te jepet pergjigje pse iu fal gjithe ai pushtet LSI-se dhe mori gjithe ato deputete qe ne numer (jo ne emra) ishin te PD-se.Per te gjitha keto ndodhi duhet te dale pergjegjesi qartesisht para demokrateve reale shqiptare se pikerisht ato qe kontribuan me shume qene ne hije per 8 vjet nga mema parti shterpe me cica te thara per to,pasi extrat e pine si BOlla.Me vjen keq cfare ndjek cdo dite ne Albanian channels ,se per mua dhe femijet e mi rrofte USA,mundesisht kush te zbrese aty,ne shkallen e fundit te avionit qe takon token,ka privilegjin te gjunjezohet dhe te puthe ate(token e premtuar ) ne hapin e pare qe do beje.Ose ndodh te disa ” te diplomuar “ku shumica e tyre qe e bejne kete jane fillikat dhe thone : ” Mbarova ne USA ne specializimin ” dhe po shkoj te vjedh atje se ketu duhet pune dhe perkushtim lale.Se fundi :Emri dhe Adresa e dhene jane te sakta dhe jo te rreme,pasi nuk me ben pershtypje te shprehem per te verteten, te pakten per ato qe kam perjetuar vete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje