Harito në Bruksel, diskuton për afrimin e Shqipërisë në Tregun Unik Dixhital

15 Tetor 2015, 10:18Politika TEMA

 

Tregu Unik Dixhital është një mundësi e mirë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deklarata është bërë nga Zv.Presidenti i Komisionit Europian, Andrus Ansip gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministren për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito.

Harito dhe Ansip kanë diskutuar për arritjet e Shqipërisë në sektorin e inovacionit, në implementimin e sistemeve të reja teknologjike, të cilat synojnë t’i presin rrugën korrupsionit dhe të afrojnë Shqipërinë me tregun unik dixhital europian. Ministrja e Inovacionit është ndalur veçanërisht në progresin në Shoqërinë e Informacionit, duke cituar kapitullin 10 të Acquis Communautaire, të cilin Shqipëria e ka adoptuar sipas direktivave më të fundit të BE-së.

Harito ka folur më pas mbi dy nga reformat më të rëndësishme të Qeverisë Shqiptare, reformën në Administratën Publike dhe reformën e Shërbimeve Publike. Sipas ministres Harito, me këto dy reforma synohet të arrihen standardet europiane në profesionalizimin e Administratës Publike edhe në ofrimin cilësor të shërbimeve në sportelet e shtetit për qytetarët shqiptarë.

Nga ana e tij Ansip përgëzoi reformat e ndërmarra dhe theksoi se projekti i Komisionit Europian mbi Tregun Unik Dixhital do të shërbejë si një shtysë e fuqishme për zhvillimin ekonomik, si dhe kapërcimin e kufijve fizikë mes shteteve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje