A solli presioni i shtuar ndaj tatimpaguesve të ardhura shtesë në buxhet?

21 Tetor 2015, 17:42Ekonomia TEMA

Nga Gjergj Erebara

 

Plani i qeverisë për të rritur të ardhurat buxhetore përmes luftës kundër evazionit fiskal duket se nuk solli asgjë pozitive gjatë muajit shtator, bëhet e ditur nga statistikat e të ardhurave dhe shpenzimeve të publikuara nga Ministria e Financave.

Sipas bilancit zyrtar të publikuar nga Financat, të ardhurat gjatë muajit shtator qenë 30.5 miliardë lekë, gati 4.1 miliardë më pak se sa plani i rishikuar dhe 5.5 miliardë më pak se sa plani fillestar.

Qeveria shqiptare nisi në shtator 2015 një fushatë të gjerë kundër informalitetit në ekonomi, fushatë që solli arrestimin e disa dhjetëra qytetarëve të akuzuar se kanë kryer aktivitet ekonomik të paregjistruar në tatime si dhe duke ashpërsuar masat represive për evazionin fiskal. “Ne jemi në luftë me informalitetin”, deklaroi kryeministri Edi Rama në fillim të shtatorit.

Problemi i qeverisë lidhet me faktin se rritjet e taksave dhe tatimeve të kryera në fillim të vitit 2015, si rritja e taksës së qarkullimit mbi naftën me 10 lekë litër apo rritja e akcizës së cigareve me 20 lekë për paketë nuk sollën rritjen e pritshme në të ardhura. Qeveria pati shpresuar që të ardhurat e saj do të rriteshin me 13 për qind këtë vit. Por në korrik, qeveria e ndryshoi planin për vitin 2015 duke e ulur parashikimin e të ardhurave me 4 për qind. Ndryshimet duket se nuk janë të mjaftueshme. Edhe përkundrejt planit të reduktuar, deficiti në të ardhura vijoi të rritet. Deri në fund të shtatorit, të ardhurat e qeverisë janë 5 për qind më të larta se sa një vit më parë, me tendencë përkeqësimi gjatë muajve të fundit. Kështu, pavarësisht taksave të rritura, të ardhurat për muajin shtator u rritën në bazë vjetore me vetëm 0.7 për qind.

Gjatë muajit shtator, policia njoftoi për dhjetëra të arrestuar për mospagesë taksash, përfshirë arrestimin e dy berberëve, një parrukiereje dhe disa tregtarëve të deleve, si pjesë e masave ekstreme që synojnë mbledhjen e të ardhurave tatimore. Përgjatë të gjithë muajit shtator, administrata tatimore dhe ministria e Financave publikuan njoftime për rritje marramendëse të numrit të bizneseve të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, biznese që supozohej se më herët punonin pa taksa si dhe për shumëfishim të numrit të faturave fiskale të prera nëpër pikat e shitjes me pakicë.

Në tetor, Ministria e Financave deklaroi se kishte ndër mend të ndalonte fshatarët të shisnin prodhimet e tyre vetëm te blerësit me shumicë dhe jo ku të mundnin si tani, duke kërcënuar me konfiskimin e mallrave.

Për fat të keq, këto lajme për suksesin e fushatës anti-informalitet, nuk u konvertuan në rritje të të ardhurave buxhetore.

Duke pranuar këtë realitet, Ministria e Financave tha në një deklaratë se “sipas treguesve fiskale të konsoliduar, ende paraprakë, (për arsye të njohura tashmë), ecuria e të ardhurave për periudhën është poshtë nivelit të pritshëm.”

Ministria nuk bëri të ditur nëse mendon se është e arsyeshme të vijohet me përndjekjen me burg të tatimpaguesve të vegjël, pavarësisht se këto masa arsyetohet se përveçse nuk po i rrisin të ardhurat, po shkaktojnë një klimë të panevojshme terrori si dhe dyshohet se po rrisin praktikat predatore dhe gjobëvënëse të administratës tatimore ndaj bizneseve.

Shtrëngohen shpenzimet

Për momentin, rritja e deficitit në të ardhurat e qeverisë në krahasim me planin, nuk ka shkaktuar ndonjë problem me deficitin e përgjithshëm të buxhetit, i cili është shumë më i ulët nga parashikimet. Shkaku për këtë është se bashkë me deficitin në të ardhura, qeveria ka shtrënguar dorën apo nuk ka qenë në gjendje të kryejë investimet publike të parashikuara, gjë që i ka mbajtur shpenzimet e përgjithshme në nivele të ulëta.

Plani i shpenzimeve kapitale të qeverisë është realizuar vetëm në masën 50 për qind në fund të shtatorit, gjë që sugjeron se një pjesë e konsiderueshme e investimeve të këtij viti nuk do të realizohen. Shpenzimet totale të qeverisë prej 297 miliardë lekësh për periudhën janar-shtator 2015 janë në të njëjtin nivel me shpenzimet e vitit 2014.

Mosrealizimi i shpenzimeve të qeverisë, ndonëse shërben për të mos lejuar rritjen e borxhit publik të vendit, gërryen gjithashtu në masën e rritjes ekonomike për këtë vit.

 

6 komente në “A solli presioni i shtuar ndaj tatimpaguesve të ardhura shtesë në buxhet?”

  1. sokol says:

    a more legenat e Rilindjes.i kerkobi taksat te ata qe shesin kepuce e domate se te Koco Kokedhima e bizneset e medha ju nxjerrin perjashta me shqelma.e njejta situate dhe ne dogana.u zgdogsnuan 50% me pak cigare se e njejta periudhe vjet.gjithkush e di pse.u lidhen prap urat e korrupsionit dhe ky Edi bythmuti ben gam gam kot.Lsi po ja fut ujin nen rrogoz dhe nga Ilid Meta I mbush breket.keni degjuar te futet ne burg per evazion ndonje pronar I firme te madhe pervecse ndonjerir per korentin apo ndokush qe shet kepuce te vjetra anas rruges.turp per ne qe shpresuam te ky idiot me shale te gjata.me e pakta qe mund te bente ishte procedimi penal I Saliut per ata qr u vrane per ti dhene pushtetin Edi Kokaines me 21 janar.ai vend nuk behet dhe pike

  2. ILIRIA says:

    Presioni i shtuar dhe i ekzagjeruar si dhe ligjet ekstreme dhe pa llogjike duke mos qene ne porpocion me demin e krijuar d.m.th. ne qofte se ben nje dem 100 mij leke edhe gjoba apo demshperblimi te jete 3 fish apo 5 fishi i demit qe shkon 300 mije deri ne 500 mije leke por jo 5 milion apo 100 milion sepse ne kete menyre jo qe nuk beheni partner me bisnesin por po beheni katilet dhe vjedhesit me te medhenj me ane te gjobave dhe do ta coni te gjithe bisnesin ne falimentim total brenda 2 vjetesh dhe do kerkoni taksapagues pastaj por sdo gjeni as votues per te fituar perseri dhe do beni ate qe do tja falni prap SALI RUMPALLES dhe do te mbeteni vetem me FULLHANET dhe GJYQTARET se bashku me SEKSERET DHE PRESIDENT sakatin prandaj duhet te filloni me uljen e taksave cmimeve dhe TVSH qe te filloje ekonomia te rritet pastaj merruni me gjobat ndan te varferve dhe te pa mbrojturve sic jane bisneset e vogla dhe te mesme. Faleminderit

  3. W says:

    Kush e di çfarë cv ka kjo drejtoresha jonë e tatimeve?
    Në një kërkim të shpejtë që bëra në vendet e tjera dilte që goxha cv kishin drejtorët andej.
    Psh ai i malit të zi ishte me goxha experience dhe me tituj.
    Kjo e jona më thamë që vetëm të bërtasë di.
    Normal, kur ske arsye dhe manaxhim do fillosh dhunen.

  4. pop says:

    Lufta nfaj informalitet i rrit apo jo te ardhurabeshte pyetje injorantesh dhe jo ekonomistesh. Sigurisht qe formalizimi i rrit te ardhurat. Por te jesh kunder formalizimit dhe te fshihesh nga mosarketimi i te ardhurave apo renia e te ardhurave ngabrenia e xhirosh nga biznesi eshte nje turp. Formalizimi eshte për te qene te ghithe te barabarte. Po une qe paguaj taksa me biznesin tim cjam? Po te flase ky erebara edhe per ata qe paguajne nga biznesi apo nga paga. Reforma eshte e domosdoshme dhe eshte strategjike.

  5. pop says:

    Sinqerisht nje opinion ordiner…

  6. Antares says:

    Do behet edhe me keq. Prisni deri nga Shkurti apo Prilli dhe pastaj te bejne bilancet. Njerezit po largohen ne menyre te frikshme, dhe shume biznese do ti vene drynin. Investimet e reja po shkojne me shpejtesi drejt zeros. E kemi thene edhe me pare, qe kjo qeveri po ja fut vetes ne radhe te pare. Nuk do te kete me taksapagues per te vjelur dhe mjelur dhe keta majmuna qe e bejne ekonomine si repart ushtarak, do te mbeten qe te tatojne vetem njeri tjetrin. Prisni edhe ca muaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje