Agjencia vlerësuese Standard & Poor tha së fundmi se afirmoi renditjen ‘B /B’ të kredisë afatgjatë në monedhën vendase dhe të huaj për Shqipërinë.
Pritshmëria mbetet pozitive, tha Standard & Poor në një deklaratë.
Por sipas kësaj agjencie që kur qeveria e kryesuar nga Edi Rama mori detyrën në fund të vitit 2013, performanca e të ardhurave ka qenë e dobët, veçanërisht në taksat indirekte në vitin 2015.
Në përgjigje të kësaj – dhe për të qenë në përputhje me mekanizimin e financimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria ka marrë masa për të rritur formalizimin e ekonomisë dhe për të ulur evazionin fiskal.
Përveç kësaj, qeveria ka forcuar institucionet fiskale dhe menaxhimin financiar të sektorit publik. Deri më tani, reformat kanë në shënjestër sistemin e pensioneve, qeverisjes lokale, administratës tatimore, dhe sektorin e energjisë. Përpjekjet në sektorin e energjisë kanë qenë veçanërisht të suksesshëm në rritjen e të ardhurave dhe duke lehtësuar presionin mbi buxhetin e qeverisë qendrore, – thotë SP.
Agjencia pret që ndryshimi vjetor në borxhin e përgjithshëm të qeverisë së Shqipërisë si përqindje e PBB-së të përmirësohet me 2% mesatarisht në vitin 2015 -2018.
Në mënyrë të ngjashme, S&P supozon se borxhi neto i përgjithshëm i qeverisë do të ulet në rreth 62% të PBB-së në vitin 2018 nga pak më shumë se 70% në vitin 2015, duke përfshirë borxhin e garantuar dhe detyrimet e prapambetura komerciale. S&P ende e vlerëson borxhin neto të Shqipërisë të lartë.
S&P pret investime të larta, kryesisht nga hidrocentralet dhe projekti i gazsjellësit Trans-Adriatic Pipeline në 2016-2018. Agjencia pret që remitancat të mbeten poshtë 7% të PBB-së si rrjedhojë e krizës greke, por emigracioni që vazhdon do ndihmojë në diversifikimin e burimeve të remitancave.
Filialet e bankave greke kanë një prani të konsiderueshme në Shqipëri. Edhe pse autoritetet kanë marrë masa parandaluese kur është e nevojshme, në rast se përkeqësohen më tej kushtet në Greqi, besimi i depozituesve mund të lëkundet dhe po ashtu stabiliteti i këtyre filialeve. Megjithatë, degët shqiptare të bankave greke kanë relativisht pak fonde nga mëmat – thuhet në deklaratë. /Monitor