Policia e Shtetit ka bërë mundur arrestimin e 5 personave të cilët vidhnin ujin e pijshëm nga rrjeti i shpërndarjes dhe e përdornin atë për qëllime fitimprurëse siç është edhe biznesi i lavazheve.
Arrestimi është bërë pas denoncimit që ka bërë në polici ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë, e cila ka bërë dhe konstatimin e shpërdorimit të paligjshëm të ujit të pijshëm.
Sipas UKT-së të 5 personat e arestuar kishin ndërhyrë në rrjet, duke e dëmtuar atë për të marrë ujin e destinuar për konsumatorët familjar në Bashkinë e Tiranës dhe për ta përdorur për larjen e automjeteve në lavazhe.
Por këto nuk janë rastet e vetme të denoncimeve nga ana e UKT-së, e cila pasi ka bërë një verifikim të situatës në terren ka konstatuar edhe ndërhyrje të tjera të cilat gjithashtu i ka denoncuar në organet e rendit. Raste të cilat Policia e Shtetit po punon për verifikimin dhe zbulimin e autorëve të tyre.