Një vezë në dorë, një diplomë në xhep

3 Nëntor 2015, 11:31Blog TEMA

Nga Gerina Mulla

 

Gjatë një pasditeje vjeshte u organizua në oborrin e Fakultetit të Drejtësisë ceremonia e ndarjes së diplomave. Fjalimet mallëngjyese të krerëve që drejtojnë shkollën u ndoqën nga muzika që sfondonte mprapa euforisë së studentëve të cilët po bëheshin gati të mbanin në dorë kartonin e jetës por që ende nuk ishin bërë gati me faktin se cfarë do bënin me atë karton nga tani e tutje.

Mes zabullimës së fjalime vërehej krekosja, e ndjellë nga posti, e zyrtarëve të lartë që i jepnin zemër gjeneratës së re ndërsa falenderimet fluturonin nëpër oborr si zogj të harbuar, bashkë me kapelet e uniformës. Krerë që zotëronin artin e të folurit në publik, hokatarë dhe qëndrestarë, autoriteti i të cilëve të bëje të mendoje se asnjëri prej tyre nuk kish kaluar ndonjëherë nëpër brazdat e anktheve studentore. Ata mbanin fjalime me zërin e fuqishëm të dikujt që nuk njeh apo nuk ka njohur ndonjëherë dobësinë e turmës; frikën e pashmangshme që ndjehej përtej podiumit, përtej muzikës, përtej kapeleve të hedhura, përtej falenderimeve, ngazëllimeve dhe përtej buqetave me lule, frikën e një gjenerate që po del nga dyert e një institucioni për t’u futur në dyert e dyshimta të zyrave të punës. Them të dyshimta sepse nuk e di nëse celsi (diploma) do hap bravat e dyerve të hekurta e të egra të jetës. Mund të jenë dyert e zyrave, por mund të jenë edhe dyert e kafeneve apo më keq dyert e avionëve për t’ja mbathur një herë e mirë nga ky vend, me apo pa kartonin e diplomës në dorë.

Ashtu si për c’do të re tjetër të sapodiplomuar dilema e qëndrimit në një vend me turbullira po aq të qarta sa edhe vetë dilema s’ka si të mos më përkund, si fëmijë i panginjur, në kolovarësen e frikës për atë cka pritet të ndodh në vazhdim. A do më ndihmojë të gjej një punë diploma ime? A do më ndihmojë të kap ëndrrën? A do më bëjë një femër të zonjën t’i tregojë vendit tim sa shumë e dua dhe sa e gatshme jam t’i shërbej kokëulur dhe mendjeshtruar? Apo do më shfaqë para syve pështjellimin e një të ardhmeje me kafenetë deng të mbushura, ku duart e mijra të rinjëve të papunë llastojnë pa u lodhur ekranin e një telefoni që ofron socializim dhe modernizëm por jo dije dhe përvojë.

Sakaq pa dashur, e ardhmja e diplomës ia lë vendin kafesë, cigares, telefonit, facebookut por jo punës. Përse ndodh kjo? Përse të rinjtë nuk hedhin dot në ajer telefonat sic hodhën kapelet ditën e diplomës ? Cfarë mungon? Vullneti për të punuar? Paaftësia e universiteteve për të nxjerë në tregun e punës fuqi të denja punëtore? Apo një sistem i ndershëm e përzgjedhës në bazë të vlerave dhe jo në bazë të aftësisë për të patur miq apo më keq akoma në bazë të aftësisë paguese? Cfarë calon dhe cfarë nuk shkon sic duhet në këtë vend? Përse euforia e ditës së diplomimit ia lë gjithëherë vendin ca ditëve të amështa pa nerv, pa passion, pa vrull ? Duke i lënë kështu shteg dilemës për paqartësitë e reja dhe sfidat e reja që shtron atdheu.

Mos ndoshta studentët duhet të jenë pjesë e një plani të mirëprojektuar qeveritar sipas të cilit nuk do dalin cdo vit aq studentë sa dalin thasë me patate, por numri i të diplomuarve do i përgjigjet tregut të punës, në një përpjestim të shëndetshëm ku oferta përkon me kërkesën. Në mes të llurbës kuptohet më mirë nevoja për pastërti, ndershmëri dhe seriozitet. Prandaj them e mendoj mos ndoshta rash në kurthin e një makinerie të gabuar që nxjerë student të grirë tamam si ajo makineria ku futen copa të befta e të tulta mishi derisa në enën vendosur përbri makinerisë del mishi i grirë për të gatuar qofte. Po sikur universiteti im të ketë qënë një makineri grirëse e cila merr copa të shendetshme studentësh dhe i grin e i grin, e vazhdon i grin duke I bërë pjesë te një turlie të amësht shoqërore ku ata në fund nuk do vlejnë më shumë sesa qoftet.

Sapo kam dal nga bankat e shkollës dhe nuk di nëse vec diplomës në xhep duhet të mbaj edhe një vezë në dorë, simbol të zhgënjimit dhe neverisë ndaj atyre që morën përsipër të zhgaravitin të ardhmen time. Jam një e papunë në dilemë, së cilës i duhet të vrasë mendjen për të ardhmen e saj, apo për shkaqet përse ky vend e bën atë të paqartë për gjithkënd.

Jam në e re, e pashpresë, me një pyetje të tmerrshme në kokë.

Përse duhet të ve në dyshim dashurinë që ndjej për këtë vend, për vendin tim, për tokën time, që ka marë rrokullimën vetëm për shkak të njerëzve gabim që prej shumë vitesh drejtojnë këtë vend? Nëse pushtetarët si pendestarë rrëfejnë sa herë dashamirësinë për të ndryshuar a duhet vërtetë t’i besoj? Përse të mos marr gjërat e mia, dhe bashkë me to uniformën e diplomimit, dhe bashkë me uniformën diplomën e pavlerë, dhe bashkë me diplomën iluzionet e humbura dhe të shtegëtoj, e të le mprapa lëtyrën e tokës sime. Të rrugëtoj përmes vizionit të ardhmërisë dhe dhimbjes së shkuar drejt vendeve ku zyrtarët ndoshta nuk do jenë më pak të krekosur, por do jenë më të ndjeshëm dhe më të përgjegjshëm për misionin e tyre…

4 komente në “Një vezë në dorë, një diplomë në xhep”

  1. shoku shpati1 says:

    Mezi paskan pritur mileti te bejne karriere me vezet e tjetrit. Deri tani vetem ai shitesi i vezeve ka ngelur pa shkruajtur. Pse nuk e merrni ne interviste ju Tema TV (hahaha) se ju jeni te papare per keto gjera? Sa veze u shite? Cfare ngjyre kishin vezet? Sa te medha ishin? A ishin veze bio apo jo? Kur i kishin pjellur pulat ato veze? Cfare forme kishin vezet? Sa ishte cmimi i nje veze? A u bere ulje cmimi per blejre me shumice? A e mendove se vezet do perdoreshin si mjet balistik kunder Rilindjes? Si e ka emrin pula(t) qe beri vezet? A u shqye shume bytha e pules qe beri keto veze?

  2. bobi says:

    Shkrim brilant dhe i paster, urime per shqipen e persosur.

  3. kaqi i zi , 100 % antikamunist says:

    Per fatin tend te keq asnje siguri punesimi ose zhvillimi jetesor nuk te vjen prej kartonit te diplomes.Shqiperia eshte e tejmbushur me juriste ,ekonomiste ,mesues ,infermiere me diploma pa asnje vlere.Mosnderhyrja e shtetit solli kete gjendje te pashprese.

  4. titi says:

    Shko, shko, se do te gjesh “mirekuptim” pertej tokes tende te “letyre” ne vendet e tjera… Cfare kujton ti, se je ne nje vend qe te pret te dera e te ofron kontrate pune, apo se keshtu eshte pertej vendit tend? Shko, shko dhe provoje, nuk te pengon sot askush, por boll fole keq, vepro mire dhe me pune te thjeshte e te ndershme, se ajo te sjell te mira. Por kot nuk na thone te huajt, “shqiptaret nuk e kane qejf punen…, nuk duan te punojne, ose duan fitime te lehta qe t’i pijne kafeneve”. Besoj se e di qe gjermanet kane ngrene me vite patate te ziera dhe kane punuar sa u ka rene bretku pas Luftes II Boterore per ta ribere vendin e tyre, apo nuk e di? dhe nuk kane pare e zgjedhur se cfare pune te bejne, apo nuk e di? Dhe sot, e mbajne dhe e respektojne vendin e tyre fort, se e gatuan vete dhe ua kane percjelle kete ndjesi te rinjve. Po ne cfare respektojme? Kemi respektuar ndonje hap apo reforme te ndermarre ne te mire te shtetit tone, apo me mire, ne te mire te vetes sone? A e dijme ne se deri ku eshte shteti dhe sa te kerkojme nga shteti, dhe ku nis e jotja, privatja, inicitiava ndertuese dhe jo shkaterruese apo denigruese? Ne dijme vetem te denigrojme vendin tone, duke mos kuptuar se keshtu denigrojme vetveten. Por, cfare po ben ti per kete vend, a ia kemi bere ne kete pyetje vetes? Ta fillojme njehere me kete pyetje, se pergjigjen do ta gjejme, do te vije ne rast se shikojme perreth dhe fillojme te veme ne pune mendjen dhe duart, pa u stepur dhe pa cingeritur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje