Shoqëria kosovare, "shoqëri" periferike

5 Nëntor 2015, 16:05Blog TEMA
Shoqëria kosovare, "shoqëri" periferike

 

Nga Fadil Maloku, sociolog

Shoqëria e pasluftës e Kosovës duket se, duke iu ekspozuar shumë formave të presionit dhe ekzaltimit, iu ekspozua edhe një fenomeni të ri, i cili në sociologjinë bashkëkohore njihet si fenomen i “periferizimit”.

Kur të analizohet në kontekstin e zhvillimeve aktuale, mendoj se fenomeni i “periferizimit” nuk duhet të vihet edhe gjithaq në analogji me termin e përdorur nga Imanuel Wallerstein mbi “qendrën dhe periferinë”, pasi jam i bindur se procesi i “periferizimit” në rastin e Kosovës, përveç kriterit të raportit të “qendrës” me “periferinë”, i ka edhe disa specifika të veta të reja, që kujtoj se kolegët tanë të rinj në të ardhmen do të duhej t’i identifikonin dhe elaboronin më qartë dhe më thukët.

Tash për tash, po më duket se ky koncept u adresohet më shumë raportit të ndryshimeve sociale, sidomos atyre kulturore sesa atyre juridike e politike që janë duke ndodhur pa ndal në të gjitha poret e jetës në Kosovën e pasluftës.

Pra, cilësimi social, ekonomik e kulturor si një kualitet i ri sociologjik kujtoj se mund të shfrytëzohet pa mëdyshje si një parametër i denjë për ta shpjeguar e ilustruar fenomenin në fjalë. Them kështu edhe për shkak se Kosova si gjeografi, mentalitet, kulturë e, padyshim, edhe si etnopsikologji, aktualisht është në fazën e një procesi shoqëror të absorbimit, në të njëjtën kohë edhe të identifikimit me vlerat perëndimore që kushtimisht nënkupton respektimin e kriterit që Wallerstein merr për bazë të kualifikimit të raportit në fjalë.

Pra, meqenëse Kosova gjendet në një fazë të atillë emancipimi e, padyshim, edhe ndikimi nga agjencitë e reja teknologjike e shkencore që, përveç ekspansionit të bujshëm premtues ekonomik, përmbajnë edhe fenomenin e ikjes apo fluktimit nga ambienti rural në atë urban (shkaku i rrezikut nga skamja, amullia), pra, një procesi tjetër të identifikimit me sistemin e ri vleror perëndimor, atëherë fenomeni i “periferisë” në raport me “qendrën” është e natyrshme të marrë dimensione të reja që tani nuk është e thënë të posedojë ekskluzivisht vetëm atributet e raportit global me atë lokal. Raporte, këto që kujtoj se pa hezitim e pasurojnë, përveç sfondit, edhe vetë procesin e ri që është duke u zhvilluar në kontekst të rrethanave të reja, pra atyre të tranzicionit.

Ky “fakt” i ri dirkemian është pikërisht ai elementi apo kriteri i ri që kujtoj se e pasuron konceptin e “periferizmit” dhe përgjithësisht situatat e ngjashme nëpër të cilat jodomosdoshmërisht është e thënë, kalojnë shoqëritë e tranzicionit, ku Kosova mund të shërbejë si një kampion tipik i ilustrimit dhe i përjashtimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje