Njësia administrative e Farkës ka qenë ndalesa e dytë e turit të Bashkisë së Tiranës për konsultimin me banorët të projekt-buxhetit të vitit 2016. Nënkryetari i Bashkisë, Arbjan Mazniku në nisje të fjalës së tij theksoi se qëllimi i këtij turi është pikërisht bërja pjesë e banorëve të njësisë përkatëse e vendimmarrjes për mënyrën sesi dhe ku duhet të fokusohet buxheti i kësaj zone për vitin e ardhshëm.
“Mënyra se si kemi dashur ta përqasim këtë çështje është pak a shumë si në rastin e një familje, ku edhe Bashkia është si një familje e madhe ku jetojnë të gjithë qytetarët e Tiranës dhe në momentin që ka një buxhet, një sasi të caktuar parash që duhet të shpenzohen për buxhetin, gjëja më e mirë për të bërë është që të gjithë njerëzit që janë pjesë e kësaj njësie të diskutojnë sëbashku se cilat janë prioritetet dhe mënyrat se si ata duan të shpenzojnë paratë”, tha Mazniku në fjalën e tij duke theksuar se ky është dhe një angazhim i premtuar gjatë fushatës.
Ai gjithashtu vuri në dukje se ky projektbuxhet është i ndikuar edhe nga situata financiare në të cilën administrata e shkuar la Bashkinë e Tiranës. Lidhur me këtë situatë ai ka bërë një pasqyrë të gjithë gjendjes së rënduar financiare në të cilën u gjet Bashkia, ku borxhi arrinte në afro 4 miliard lekë, ndërsa janë kontraktuar investime që janë kalojnë me disa fish mundësitë që kishte bashkia për të shpenzuar për këtë zë. “Në vitin 2015, Bashkia kishte planifikuar 7 herë më shumë investime se buxheti vjetor i Bashkisë në investime, pra ishin planifikuar që të shpenzoheshin 70 lekë dhe në fakt kishin në dispozicion për të shpenzuar vetëm 10 lekë. Sipas këtij koncepti do të duheshin 7 vjet që Bashkia të kishte mundësi që të paguante shpenzime të cilat i kishte marrë përsipër në 2015”, tha Mazniku ndërsa evidentoi edhe një sërë zërash buxhetor që kanë krijuar një borxh të madh.
Duke u përqendruar te projektbuxheti konkret i kësaj njësie ai bëri të ditur se ai i ka dhënë rëndësi projekteve me impakt direkt në zhvillimin e Bashkisë së Tiranës. Një prej tyre është projekti i rigjenerimit urban i pazarit të Ri dhe sheshit “Avni Rustemi”. “Ne kemi në projekt shumë ambicioz, sëbashku me Fondin Amerikan të Zhvillimit por edhe me qeverinë shqiptare, për ta rehabilituar të gjithë sipërfaqen e tregut e për ta kthyer në një skemë multi-funksionale, ku edhe tregu të funksionojë si treg por do të ketë edhe një hapësirë rekreative që mund të përdoret nga qytetarët pasdite, ashtu siç janë këto hapësira moderne në shumë qytete evropiane.”, – tha Mazniku.
Një tjetër projekt i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2015 të Bashkisë, është edhe ai i Parkut Qendror të Tiranës, i cili zhvillon një zonë të qytetit që për shumë kohë është lënë pas dore. “Hapësira nga Stacioni i Trenit e cila shkonte në drejtim të lumit të Tiranës e më pas kthehej në të majtë është zona në të cilën ka filluar investimi për zgjerimin e bulevardit, zgjatimin e bulevardit me 2 km të tjerë dhe në atë territor do të krijohet edhe parku i ri qendror i Tiranës, duke i dhënë një hapësirë të madhe qytetit, me shumë funksione rekreative por edhe me një “mushkëri” tjetër që i shtohet qytetit në krahun tjetër si dhe një zonë e re zhvillimi moderne për qytetin e cila do i shtojë jo vetëm ekonomisë së qytetit por edhe konceptit se si është organizuar qyteti një funksion të madh e të rëndësishëm”, – shtoi Mazniku.
Unaza e Vogël e Tiranës, dhe Parku i Liqenit janë gjithashtu dy projekte të tjera për të cilat projektbuxheti i vitit 2016 parashikon investime konkrete. “Projekti i Unazës së Vogël të Tiranës është i hartuar që nga plani i parë urbanistik i qytetit të Tiranës i vitit 1920, pra ka pothuajse 100 vjet që ka qenë si projekt dhe nuk është mbaruar asnjëherë. Unaza e Vogël do të na japë mundësinë që i gjithë trafiku që vjen nga rruga e Kavajës, e Durrësit, Unaza dhe nga rruga e Elbasanit, gjithashtu nga rruga Hoxha Tahsin dhe e Dibrës, i gjithë ky trafik të qarkullojë në Unazë të Vogël, duke mos pasur nevojë të hyjë në qendrën historike të qytetit”, – theksoi nënkryetari i Bashkisë. Ai gjithashtu bëri të ditur se ka nisur procesi i shpronësimit të pronarëve të godinës së INSIG, e cila deri më sot ka qenë bërë pengesë për vijimin e këtij projekti.
Mazniku është ndalur edhe tek një plan konkret me katër hapa për shëndoshjen e gjendjes financiare të Bashkisë së Tiranës dhe që ka të bëj kryesisht me ristrukturimin e administratës si dhe me forcimin e sektorit të tatimeve. “I pari ka të bëjë me ristrukturimin e Bashkisë së Tiranës riorganizimi i funksioneve që Bashkia bën, në mënyrë që këto riorganizime të jenë më efiçiente dhe që ato para që Bashkia ka t’i përdorë më mirë dhe duke nxjerrë maksimumin e mundshëm. I dyti ka të bëj me forcimin e administratës tatimore. I treti është krijimi i agjencisë së re për parqet e rekreacionet. I katërti është krijimi i agjencisë së re Tirana Parking që do të jetë një agjenci e cila do të menaxhojë parkimin në qytetin e Tiranës që do të krijojë një sistem të menaxhuar të sistemit të parkimit”, – u shpreh Mazniku.
Ndërsa Drejtoresha e Buxhetit të Bashkisë, Jonida Halili, ka prezantuar projektet konkrete që prekin Njësinë Administrative të Farkës, ku më i rëndësishmi është krijim i terminalit jug-lindor të autobusëve. “Një projekt i ri që vjen në njësinë e Farkës është terminali i ri i autobusëve i cili do të zgjidhë gjithë problemin e transportit publik të njësisë, duke përfshirë këtë njësi në masterplanin e transportit të cilën Bashkia është duke e hartuar aktualisht”, – tha Jonida Halili.
Gjithashtu ajo bëri të ditur se sa i përket kësaj njësie bashkia do të ndërhyjë në vazhdimësi, në mirëmbajtjen, sistemimin, rehabilitimin e të gjitha objekteve arsimore e rrugëve. “Konkretisht, do të ndërhyhet në katër shkolla e katër kopshte të njësisë administrative Farkë, do të merren masat për sigurimin e ngrohjes për stinën e dimrit. Kemi një plan për pajisjen e një pjese të mirë të njësisë me ndriçim dhe veçanërisht me zgara e puseta. Farka do të jetë një nga njësitë administrative që do të jetë shumë e përfshirë në projektet për mirëmbajtjen e parqeve memorialë të cilat do të realizohen nga agjencia jonë e parqeve dhe rekreacionit”, – tha Jonida Halili.
Për projektet konkrete të Njësisë Administrative Farkë, Bashkia e Tiranës ka parashikuar 130 milionë lekë që do të shpenzohen për nevojat e zonës. Në fund të këtij takimi u prezantua dhe administratori i ri i Njësisë Farkë, Mateo Shaba, pasi Admir Abrija që mbajti deri tani këtë pozicion do t’i bashkohet ekipit të Bashkisë së Tiranës.
Patjeter se atje jane vilat e VIP-ave
Pse nuk i njoftoni qytetaret kur beni prezantimin? Apo e keni me frike se mund te ju pyesin per gjera te veshtira?