Ja letra e Bilal Xhaferrit drejtuar Enver Hoxhës, kundër Kadaresë

11 Nëntor 2015, 09:49Kulturë TEMA

Fragment nga libri “Kadare i denoncuar”, zbardhet letra e plotë, e përfolur se nuk ekziston

Nga Dashnor Kaloçi

 

I dashur shoku Enver

-Romanin “Dasma” unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent…

…U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur…?!

Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzoj me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjiator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi…?!

Bilal Xhaferr Hoxha

Dokumenti në fjalë, ashtu si dhe ai para-ardhës, është një nga më të rëndësishmit e këtij libri, jo vetëm pse publikohet për herë të parë, dhe deri më sot askush nuk e ka bërë të ditur ekzistencën e tij, (të paktën në shtyp publikisht), por dhe që hedh dritë mbi disa çështje dhe probleme shumë të përfolura të cilat kanë vite që “ziejnë” në të ashtuquajturin “çështja  Kadare-Xhaferri”. Bëhet fjalë për letrën që Bilal Xhaferi i ka dërguar Enver Hoxhës, (me shkrimin e tij), lidhur me problemet e mëdha dhe pengesat që i dolën atij, direkt pas diskutimit që bëri në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë në Tiranë, ku sulmoi Kadarenë për romanin “Dasma”. Edhe pse lidhur me këtë problem, janë bërë me dhjetëra artikuj në shtypin e përditshëm, brenda dhe jashtë Shqipërisë (shtypi i diasporës), si dhe disa libra, (“Dosja K”, Shaban Sinani, dy botime, vitit 2005 dhe “Një enigmë me disa të panjohura. Rreth dosjes Bilal Xhaferri”, Aida Tuci, viti 2014), ekzistenca e kësaj letre nuk është përmendur as aluduar kurrë. As nga Kadareja, në të gjitha intervistat që ai ka dhënë për këtë çështje publikisht në shtyp, ku nga pyetjet e gazetarëve, e ka sqaruar gjatë atë ngjarje?! Ashtu siç shihet dhe nga letra në fjalë midis rreshtave, Bilal Xhaferri ka qenë në një gjendje tejet dëshpëruese, apo më saktë depresive, kur ka vendosur që të ulet dhe të formulojë një letër për Enver Hoxhën, duke i kërkuar ndihmë atij për gjendjen tejet të vështirë ku ndodhej?! Ka shumë arsye që mund ta kenë shtyrë Bilalin për të ndërmarrë atë hap. Versioni i parë, është ai i ndonjë prej shokëve të tij të ngushtë me të cilët mund të jetë konsultuar për hartimin e asaj letre që ai i ka dërguar Enver Hoxhës, por ky version bie pa u ngritur mirë. Dhe kjo për faktin, se askush prej tyre, si Bedri Myftari, Namik Mane, Moikom Zeqo e ndonjë tjetër që përmenden në letër-informacionin e Rita Markos, të cilët dhe faktikisht kanë qenë miqtë më të ngushtë të tij në atë kohë, nuk kanë folur kurrë për ekzistencën e asaj letre, të paktën publikisht. (Bedri Myftari prej dy vitesh ka ikur nga kjo jetë, Namik Mane është prononcuar disa herë në media për këtë problem, por jo për letrën, ndërsa Moikom Zeqo i ka qëndruar larg kësaj ngjarje dhe nuk ka folur kurrë për këtë gjë, të paktën publikisht…?!). Tjetër fakt interesant, është se as punonjësit e aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, sektori i letrave, që janë marrë me atë punë, nuk janë prononcuar kurrë për të?! Të paktën publikisht në shtyp. Dhe nisur nga këto fakte e deduksione, të paktën për miqtë e ngushtë të Bilalit, bie automatikisht version se kanë pasur dijeni për letrën në fjalë. Kjo gjë bëhet më e besueshme edhe për faktin se shokët e tij më të ngushtë, (Bedriu e Namiku), nuk e patën mbështetur apo inkurajuar Bilalin edhe për diskutimin që ai do mbante në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit “Dasma” të Kadaresë. Të paktën kështu është shprehur publikisht në shtyp Bedri Myftari, disa vjet para se të ndahej nga jeta. Dhe kështu mbetët që, me shumë gjasa, ideja dhe nxitja për hartimin e dërgimin e asaj letre në adresë të Enver Hoxhës, Bilalit mund t’i ketë ardhur nga ndonjë prej funksionarëve të lartë partiakë apo shtetërorë që ishin mbështetësit e tij dhe që përmenden edhe në letrën e hartuar nga Rita Marko. Të cilëve Bilali mund t’u ketë shkuar për t’u kërkuar ndihmë apo më saktë ndonjë mendim apo sugjerim, për të dalë nga situata tejet e vështirë dhe ndoshta pa shpresë në të cilën ai ndodhej. Dhe kjo më si miri duket edhe nga letra në fjalë, ku ai flet për gjendjen e tij tejet dëshpëruese. Sa që mendon edhe vetëvrasjen, madje tejet tragjike, (duke u hedhur në rrotat e trenit…?!). Versioni që Bilali ka pasur shtytje apo indicie për hartimin dhe dërgimin e letrës në adresë të Enver Hoxhës nga ndonjë prej funksionarëve dhe zyrtarëve të lartë, (miq apo të tij mbështetës, që përmend Rita Marko në letër-informacionin e tij), bëhet dhe më i besueshëm, pasi vetëm ata mund të kenë pasur dijeni për letrën e Rita Markos dhe rrezikun që i kanosej pas mbërritjes së asaj letre në Komitetin Qendror?! Dhe ata mund t’i kenë thënë: “Bilal, nuk ka rrugë tjetër, nuk ke se çfarë të humbash më, shkruaji Enverit se ndoshta….”?! Por duket se ata kanë gabuar dhe kanë futur në qorrsokak dhe Bilalin, pasi po të kemi parasysh se si rrodhën ngjarjet më tej, Enveri nuk është prekur fare nga ajo letër…as nga përbetimet e Bilalit se “është margaritar i partisë”?! Madje përkundrazi, me shënimin që ka lënë me dorën e tij, duket se e ka “fundosur” më keq Bilalin, duke e shtyrë me thellë në honin ku ai po gremisej. Por po të shohim anën tjetër të medaljes, nuk është me e mirë situata edhe për Kadarenë?! Pra; denoncimi që Bilali i bën kolegut të tij shkrimtar, Ismail Kadaresë, tek Enver Hoxha, gjithashtu nuk mund të ishte pa pasoja. Ashtu si të gjitha dokumentet e tjera të këtij libri, edhe letrën e Bilal Xhaferit drejtuar Enver Hoxhës, po e japim të plotë.

I dashur shoku Enver

Unë që po ju drejtohem me ketë letër jam një punëtor. Ju shkruaj për një çështje që është çështje jete për mua, bile akoma më shumë se i kalon kufijtë e jetës sime personale dhe tani vetëm ju jeni njeriu që do ta zgjidhni përfundimisht e me drejtësi.

T’ju tregoj me dy fjalë biografinë time.

Babai im ka qenë në radhët e Ballit dhe është pushkatuar ne fillim të vitit 1945. Megjithatë, pavarësisht nga rasti i tim eti, familja jonë, duke filluar që nga Hoxha Tasimi, ka qenë një familje patriote.

Unë jam rritur jetim. Kam hyrë në punë që kur isha fëmijë dhe sot kam 17 vjet që jetoj e punoj në gjirin e klasës punëtore, si punëtor i thjeshtë në prodhim. Nuk kam mundur që të marr arsim dhe të kryej studime, por duke punuar në mënyrë autodidakte jam përpjekur të grumbulloj pak njohuri dhe të stërvit dorën në letërsi artistike. Si rezultat i përpjekjeve të mia, vitin e kaluar u vu në qarkullim një vëllim i imi me tregime dhe u botua edhe një vëllim me poezi, gjithashtu Shtëpia Botonjëse “Naim Frashëri”, përgatiti për të futur në shtyp një roman, të cilin e shkrova me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut.

Shkurtimisht kjo është biografia ime. Dhe tani që të mos ta zgjas dhe të mos ju shkurtoj minutat tuaja të shtrenjta, po vij te çështja për të cilën vendosa t’ju shkruaj.

Në pranverën që shkoi, u organizua në Tiranë një diskutim letrar rreth romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare. Atje u ngrita dhe unë të shfaq mendimet e mija. Fola kundër këtij romani. Si pasojë, ndodhi një skandal që mori më vonë përpjesëtime të bujshme. Shoku Fadil Paçrami që foli pas meje, njoftoi sallën që unë kisha babanë të pushkatuar dhe më deklaroi mua si armik, kurse romanin “Dasma” vlerësoi lart. Me autoritetin e tij ai përcaktoi qëndrimin që do të mbahej më vonë kundrejt meje.

Më pushuan nga puna. U ndalua vënia në qarkullim e vëllimit tim me poezi dhe romani im u tërhoq nga shtypi. U morën edhe masa të tjera kundrejt meje. Kështu ngjarjet ndoqën ngjarjet dhe tani unë ndodhem në një gjendje ku shpresa e vetme jeni vetëm ju, është gjykimi juaj.

Nuk dëshiroj të kundërvihem kundër një anëtari të Komitetit Qendror, siç është shoku Fadil Paçrami, as nuk dua ta paraqes veten si një viktimë e pafajshme, por megjithatë në ndërgjegjen time unë nuk jam i bindur që ta quaj veten fajtor, dhe, gjithashtu, akoma nuk jam i bindur që të pranoj se kundrejt meje janë sjellë më drejtësi Partie, me drejtësi proletare. I thonë një fjale: “Jepja pëllëmbën tjetrit, sipas faqes”.

U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur. Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzoj me idetë e mëdha të partisë, duke i përdoruar si prestigjiator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi.

Lexuesi e ka ndjenjën e së vërtetës dhe të realitetit dhe kërkon një letërsi të vërtetë dhe realiste. Ai di ta dallojë atë që shkruhet nën flakën e fantazisë së një shkrimtari, prapa së cilës flakë zvarriten hije mendimesh të shkapërdisura, zvarriten kapituj të mbështetur në rërë simbolesh e konvencionesh të errëta, të mbështetur në pajandime frazash me kuptime të paracaktuara, të dyfishta.

Romanin “Dasma”, unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent. Nuk ngul këmbë që vetëm si them unë duhet të jetë dhe që vetëm unë duhet të kem plotësisht të drejtë, po sidoqoftë mendimet që kam shfaqur, jam në gjendje t’i mbroj gjer te presja dhe te pika e fundit kundër interpretimeve të shtrembra që u janë bërë. Atje unë nuk bej aluzione, por flas hapur, saktë dhe direkt, duke marrë në analizë të metat e romanit.

Diskutimi im është bërë me shkrim dhe ekziston si dokument. Le të merret ai në shqyrtim dhe le të thirrem unë që të jap llogari për ato që kam thënë atje. Jam i bindur gjer në vdekje se e drejta është me mua për sa i përket thelbit dhe qëllimit të kritikës sime kundrejt romanit “Dasma”, dhe gjithashtu për sa i përket çështjeve të veçanta më të rëndësishme që trajtoj unë në atë kritikë.

Unë jam punëtor dhe kam shtatëmbëdhjetë vjet që punoj me djersën e ballit. Kam punuar si minator, hekurkthyes, hidraulik, punëtor krahu në bujqësi, në ekspedita gjeologjike dhe në fabrika si teknik ndërtimi, në punime rruga–ura dhe vullnetar që në aksionet e para. Kështu në gjirin e klasës punëtore po kaloj gjithë rininë time. Ndokush mund të përmend babanë tim të pushkatuar. Megjithatë, prapë se prapë, unë jam punëtor. Mua nuk më ka rritur dhe nuk më ka edukuar babai im, të cilin nuk e mbaj mënd dhe nuk e njoh, por më ka rritur dhe më ka edukuar klasa punëtore. Dhe në qoftë se duhet të flitet për atësinë time, unë jam bir i klasës punëtore i brumosur me idealet e saj. Unë vij drejt për së drejti nga zemra e kësaj klase.

Këtu jam rritur që kur isha fëmijë i njomë, këtu njoha gëzimet dhe hidhërimet e jetës, këtu mësova të shkruaj, të dashuroj dhe të urrej, këtu gjeta frymëzimin, heronjtë, gjuhën, subjektet dhe motivet. Pavarësisht nga gabimet e mia të mundshme, pavarësisht pastaj nga antipatia dhe opinion i keq që mund të kenë persona të veçantë kundrejt meje, unë mbetem gjer në fund bir i klasës punëtore dhe i Partisë së saj të punës. Në qoftë se ka njerëz që e kanë ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe kundrejt partisë, unë jam nga ata që e kanë margaritar. Unë kam dhënë prova për këtë, në çfarëdo kushtesh që jam vënë, kam dhënë prova në punën dhe qëndrimin tim si njeri, si qytetar dhe si punëtor kam dhënë prova me veprën time modeste letrare, ku pasqyrohet shpirti im, mendimi im, qëndrimi im ndaj çështjeve të popullit dhe të socializmit.

I dashur shoku Enver.

Unë e kuptoj mirë domosdoshmërinë për të zhvilluar luftë ndaj armikut të klasës, si dhe mprehjen e vigjilencës në kushtet aktuale të thellimit të revolucionit tonë, por njëkohësisht e di se Partia nuk gjykon thjeshtë në bazë të konceptit patriarkal të gjakut dhe nuk mund të më dënojë mua për babanë tim. Unë dua të gjykohet për jetën time. Le të më bjerë mbi kokë dënimi më i rreptë i Partisë dhe i popullit, në qoftë se kam devijuar nga çështja e Partisë dhe popullit dhe në qoftë se këtë e kam bërë me ndërgjegje dhe me qëllim, po kot së koti, pa faj, jam i bindur se nuk do të dënohem nuk do flakem tutje. Me këtë ndjenjë të palëkundur bindje dhe besimi, ju drejtohem juve që jeni njeriu më i dashur dhe më i drejtë për të gjithë ne.

Pse t’ua fsheh, shoku Enver? Jam në një gjendje të rëndë, plot ankth dhe dëshpërim dhe më duket sikur më kanë mbetur vetëm dy rrugë në jetë: ose të më jepet përsëri e drejta e botimit, e drejta që t’i shërbej çështjes së Partisë dhe popullit, ose të hidhem nën rrotat e trenit, se nuk duroj dot që të vegjetoj kot, në një jetë pa kuptim, larg problemeve të mëdha të kohës, larg artit tim.

Mbetem në pritje me shpresën tek ju.

Këtë mbrëmje të vitit tëri, ju uroj jetë të gjatë dhe forca të reja, ju uroj të jetoni edhe më shumë se 60 vjet të tjera.

Me respekt të thellë

Bilal Xhaferr Hoxha

Kullë 31.12.1969

(Shënimi i Enver Hoxhës mbi letrën e Bilal Xhaferrit: Ndonjë autokritikë …nuk bën pse lakrat që ka në kokë, për të cilat drejt është kritikuar, dhe jo se i bën kritika “Dasmës”.

Si shumë e nënvlerëson çështjen e babës, çështje që del gjerësisht e kritikuar te pjesa për “Dasmën” për ideologji…As që vlen t’i përgjigjesh

Arkivi Qendror i Shtetit. Po aty. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror të PPSH-së, (Struktura) Dosja 584-585. Viti 1967, 1969. Fl. 1-180-214

27 komente në “Ja letra e Bilal Xhaferrit drejtuar Enver Hoxhës, kundër Kadaresë”

  1. Dean says:

    Upssssssss……,”disidentet” Shqiptar paskan qen te frymezuar nga Realizmi Socialist.
    “E ka fajin Kadareja” ……..lol.

    1. Anim says:

      Pra I bie që Xhaferri të jetë realisht njeriu I ri komunist – pra si bir ballisti të pushkatuar behet me proletar dhe komunist se vetë komunistët. Por më duket se kjo ka të beje me shumë me primitivitetin dhe dashakeqjen e Homo Albanicus që duket se ka ekzistuar edhe perpara komunizmit dhe e gjen po aq, në mos me shumë, të theksuar sot ku shtysa kryesore është perpjekja per ti bërë të keqen tjetrit pa pasur asnjë kufi e masë në kete dhe duke perfunduar pastaj si viktimë e asaj që ke dashur ti shkaktosh tjetrit.
      Duke mos pasur fort konsiderata per Kadarenë nga and tjeter, duhet thene se ai ka shpetuar PAQ thjesht sepse I ka pasur krahet mjaft të ngrohta….. Pasi në atë regjim normalisht e pësonin si akuzatori ashtu edhe “i akuzuari”.
      Kjo leter duket mjaft tragjike- por me teper per keta lloj indivdlësh dhe shoqërie të shëmtuar që kemi krijuar…

  2. Adi says:

    Çfare kafshe ky Xhaferri e mohon Babain per Partien

  3. dulla says:

    popull pa shtylle kurrizore tashme e dine edhe bebet e poralindura, ku bashkia i ka borxh nje pesemije lekeshe,njerzit e ndershem e patriote u ndeshkuan me vrasje burgosje dhe internime ndersa te tjeret jetuan si kokra e molles perfshi dhe kadarene e talentuar dhe te moralshem per pjesen postdiktature

  4. hajdari says:

    Tani ky Bilali do kete dale me siguri si disident ! Disident funks, si puna e Kasem trebeshines

  5. maks says:

    sipas shkrimit ky bilali paska qene spiun sepse ka spiunuar kardaren

  6. Sofia says:

    …. çami mbetet gjithmone i pabese.

    1. Dielli says:

      Ik or qelbesire, yyyyyyyyt rrospjar.

  7. Shqiptari i Kosoves,krahines se Shqiperise says:

    Kur pati ardhur nje plak nga Shqiperia,ne bisede e pyesnim per jeten e shqiptarve dhe udheheqesit e Shqiperise,por ai e prekte murin duke na bere me dije se,edhe ky degjon!Vertete,ne u befasuam edhe pse dinim se edhe ne Kosove ka regjimi jugosllav spiune.

  8. tasimi says:

    Te gjithe Ju ja fusni kot!
    Kritika e Bilalit per romanin Dasma ishte shume e drejte.Romani Dasma eshte romani me i dobet i Kadarese,bile me i turpshmi.
    Bilali ne ate mbledhje tha:Ndryshe nga sa paraqitet ne romanin Dasma,ku del se femra shqiptare e ka fituar emancipimin duke shkuar aksioniste ne hekurudhe,e verteta eshte ndryshe.Femra shqiptare emancipimin e ka fituar qe me Noren e Kelmendit qe vrau pashain turk duke i hyre ne cader.E ka fituar me Shote Galicen,qe plumbin nga plaga e mare ne lufte kunder Serbise e nxori me plumb.E tj,e tj…Romanin e beri pleh,sic e meritonte.
    Kadareja qe ish mesuar qe te gjithe ti benin temena,si sot,u ngrit e i tha salles:E shikoni kete qe shan romanin tim?Eshte i biri i nje te deklasuari te pushkatuar nga Partia.E tj,e tj….
    Keshtu foli dhe Fadil Pacrami.
    Duke patur nje biografi te tille dhe luften hakmarrese te Kadarese,qe e dine te gjithe,Bilali ka qene i detyruar ti shkruaje Enverit,si e vetmja shprese per ti shpetuar hakmarrjes se Kadarese dhe servileve te tij.
    Dhe lufta,hakmarrja dhe persekucioni i Bilalit nga Kadareja,jo vetem si kritik i tij,por dhe si nje talent i madh i letrave,ishte aq e madhe sa Bilali u detyrua te arratisej.

    1. anim says:

      Duket qe paske qene present gjate mbledhjes se Lidhjes zotrote…???
      Mua me duket se ky qyqar (Bilali) ne rastin me te mire nuk e ka kuptuar situaten dhe kontekstin sesi funksiononte debati dhe kritika ne Lidhje…pra kritike parimore mud te bente vetem Partia dhe “njerezit e besuar”.
      Se dyti mua me duket se Bilali eshte perpjekur te jete me i zellshem e parimor sec duhet dhe kjo do te kete qene edhe problemi i tij. per nje individ me “cen ne biografi” kjo nuk mund te falej lehte..nese sheh edhe citimin e E. Hoxhes ne ate leter.
      Se fundi ajo qe mua me shqeteson me shume (pa dashur te mbroje aspak kadarene ne kete rast) dhe qe eshte tipar mbizoterues i njerezve shqiptar ballkanik eshte personalizimi dhe perpjekja per te shkaterruar tjetrin me qelllimin shpesh meskin dhe dashakeqas. Pra nuk flitet kurre per moderim dhe perpjekje per te qene i balancuar ne kendveshtrime/kritika por e kunderta shpirt katrani dhe urrejtje ekstreme ku tjetri duhet shkaterruar e turperuar ne maksimum.
      Letra e shkruar “liderit” pastaj eshte tejet patetike dhe e turpshme per vete Bilalin dhe tregon deri ne cfare pike mund te arrije nje person pa shprese e se fundi edhe pa dinjitet ne nje regjim apo shoqeri primitive si ajo shqiptare. Pra nuk duhet te merremi me te shkretin Bilal pasi ai ka shkuar me te shumtet, por me fenomenin qe ende e gjen te shumefishuar ne shoqerine shqiptare …qe ne bankat e shkolles, ne cdo qelize te shoqerise e deri ne ambientet e larta politike e gjpja-intelektuale. Pra fenomeni i shkaterrimit te kundershtarit te supozuar deri ne turperim me cdo menyre dhe pa marre parasysh edhe vete-shkaterrimin qe kjo mund te sjell.

  9. Gjimnazistja e Asaj kohe says:

    Ju vertet ja fusni kot fare sepse jo vetem nuk keni lexuar Asgje shkruar nga B. Xhaferi, por as Dasmen e Kadarese qe eshte vepra me e dobet dhe pa asnje vlere e tij. Bilali ishte nje poet i ri, jashtezakonisht i talentuar, qe terbimi komunist i luftes se klasave dhe xhelozia e komunistit, deputetit komunist Kadare e shkatruan, i morren shpirtin, e detyruan te heshte dhe te perfundoje tragjikisht, pa asnje faj. Lexoni dicka prej tij dhe do me jepni te drejte dhe mos nxitoni te gjykoni te gjalle e te vdekur kur nuk e keni jetuar ate kohe dhe dini fare pak. Xhaferi duhet nderuar, ishte viktime e pafajshme sepse tha Mendimin e tij hapur dhe sepse ishte nje poet gjeni qe e deshen vetem te pafuqishmit e asaj kohe.

  10. joel shkodra says:

    Me e bukura e gjithe kesaj historie eshte se vete Kadareja romanin “Dasma” e quan me te dobtin e romaneve te tija, “piken me te zeze” te romaneve te tija dhe nuk don qe ta permendi as ai vete dhe askush. Bile edhe filmi qe u be mbi kete roman: “Perse bien keto daulle” u hoq menjehere nga qarkullimi.

  11. Lipe Gremi says:

    Bilali nuk i kishte nga vehtja e vet.Dashakeqsit e Kadarese gjithmonë janë munduar ta rrëzojne.Po a rrëzohet Mali?

  12. Aaaaa says:

    Mali? Ku mali? Si mali?
    Me nje vellim me poezi dhe u be mali?
    Une nuk e njoh ndaj nuk e shaj, por edhe per inat te sime vjerre (Kadarese:) ), nuk mund te shkoj me mullixhiun Bilal.

  13. Den says:

    Pak shume fytyra e atyre me biografi te keqe ne ate kohe qe te fiton ca pike dhe te reabilitonin veten,te fitonin qofte nje te drejte studimi te punonin qindin
    Beheshin 100 here me komuniste se vete komunstet
    Ne vitin 1991 dolen papritmas desidente,antikomuniste te betuar,qe ishin ata qe permbysen regjimin etj etj
    Nga nje ane keqeardhje se u detyruan te behen kameleone,por nga ana tjeter deformunan katakterin e tyre dhe sot kemi nje shoqeri hibride me antikomuniste te perbetuar te tipit berisha dhe te tipit ‘xhaferi’

  14. coc0snuti says:

    dul edhe nji disident i cuditshem
    antikomunist me bes ke enveri!
    o shqiptar
    o rrotkar!
    o shkerdhar
    kombetar!
    si nuk dul nji rob per s mari
    krejt shqiptaret,rrota kari!
    komb legen
    komb i pabes
    llapaqen
    pa mendt e kres
    qen kazonesh
    dhe zagar
    klysh mejhonash
    koqe kar!

  15. xhuve says:

    Bilalin e mori ne qafe Shuteriqi,ai e pompoi dhe e pergatiti kunder Kadarese,pastaj e la ne balte,dhe Bilali cau ferren dhe iku.Dasma e Kadarese nuk ishte ne ate nivel si veprat e tjera,por te shkruaje per realizmin socialist ishte mjaft eveshtire ,por Bilua cpati,i dhimbsej Partia dhe populli,mendoi se u be deti kos.Akoma dhe sot Bilua i shkrete iku kot,cpati?

  16. Vjosa says:

    Vete haka tek i zoti. E verteta vonon, por nuk harron.Ja cfare llumbi kane organizuare keqedashesit e Kombit Shqiptar per te goditur mbrojtesin me te madh , me te fuqishmin, me te pa epurin : KADARENE. Te hiqje qafe Kadarene , do te thote t’i hiqje nje mburoje te ketij Kombi.
    U vajti dem gjithe ai mundim , me DISIDENTET E rreme qe po demaskohen nje nga nje.
    _ Kasem Trebeshina, the meluesi i armes famkeqe te Sigurimit te diktatures komuniste. Disident !! Na doli se na paska pushkatuare nje djale 18 – vjecar partizan sepse na ishte treguare mendjemadh me komandantin …?! Dhe disident i komunizmit Kasua !Dhe cfare nuk shpif kuner Kadarese.
    Pastaj na shkrun nje liber ” Makami” ku na thote se eshte TURK. …..I vuri vulen…e turpit.
    _ Janulla Rrapi, nuk ia del dot me marifetet qe di ajo per te bere krushqi me Kadarene dhe nuk la gje pa shpifur per ta demtuare ate sa te mundete.Zanatin e kishte: Shpifese!. Po ku ta dinim ne populli se ajo shpifte.
    Per fat , studjuesit e arkivave , gjeten tere dosjet e Sigurimit ku Janulla kishte SPIUNURE, pra shpifur kuder dhjetra e dhjetra grave te gjora ruse, qe e mbyllen jeten neper burgje, vetem pse ishin ruse.
    – Dhora Leka, tjeter disidente. E vendosur kunder Kadarese. Dollen dokumentat , letrat , relcinet qe i bente Sigurimit ku denonconte Kadaren. E donte me cdo kusht ne pranga e pas hekurave Kadaren . U demaskua.
    -Rexhep Qosja. Edhe ky diku kish marre urdher , ta zbrazte njehere koburen kunder Kadares. Por nuk i ndezi. E megjithate , bencben e shkrep prap e prap nuk i ndez. Ka probleme me identitetin : nuk e di akoma se eshte Lindor….apo europian…?!
    – Bilal Xhaferri, Ky e ndriti fare. Disident. Antikomunist! Dhe denoncon kolegun e tij skrimtar, KADAREN, tek Diktatori ,se na shkruaka vepra antisocialiste ..!!
    A ka te tjere. !?
    Te dashur DISIDENTE ! Kemi mbi 40-vjet qe u degjojme per romanin ”Dasma”. 20- vjete te diktatures e denoncuate kete roman dhe shkrusin e tij ,si dekadent, me fryme Perendimore. Keni 20 e ca vjet shkruani se romani “Dasma ” eshte nje roman i realizmit socialist. Ndaheni mendjen. O njera , o tjetra.
    Thote mire nje komentues ketu siper: Duane te rrezojne Malin. Po a rrezohet MALI!

    1. joel shkodra says:

      Vetem na thuaj, o Vjosa, e ka dashur djalin e Janulles vajza e Kadarese, apo jo?

  17. demo says:

    ferri.Enver Hoxhes i ka shkruar vete Bilal Xhaferri.
    Kjo veper e turpshme e Dashnor Kalocit qe do te kamufloje Kadarene si viktime e kolegeve,eshte ne fakt nje permbledhje pergjimesh te sigurimit te shtetit ndaj shkrimtareve dhe artisteve,qe kane perfolur Kadarene,qe jane konfliktuar,qe jane gerricur me KaA nuk po kuptoni thelbin?Qe ne 1968 Bilal Xhaferri ka kuptuar qe ne vend te shkrimtarit,tek Ismail Kadare eshte nje prestigjator i letersise?.Me entuziazmon kjo gjetje ;”Vlerat qe i atribuohen jane vetem vlera ne dukje ,,,.duke perdorur si prestigjator tezat e partise,..vetem shkelqim se jashtmi,sa per te krijuar iluzion”. . Kur e vura re kete prestigjator te letersise nje 20 vjet te shkuara,kujtova se isha une zbuluesi,por Bilal Xhaferri e paska zbuluar pehlivanin Ali Xhixha,qe ne zanafille,ketu e 50 vjet me pare.Megjithate denoncuesi mbetet Bilal XhaNje dre i vetmuar qe e ndjekin zagaret ,ulerimat e cursave kendej matane,krismat e armeve ne cdo prite,lodhet e keputet dhe shkon e qendron para kryegjahtarit.Cfare prisni,o gjykates te trimerise,o hienat e demokracise,qe Bilal Xhaferri t`i shkruante Enver Hoxhes,:-Ti je tirani i Shqiperise dhe Ismail Kadare eshte zagari jot? E megjithete ai u arratis si burre!Per Ismail Kadarene si viktime e supozuar e regjimit,mbeten si deshmi e rralle fjalet e Nexhmie Hoxhes:-Vetem po te arrestohej Enver Hoxha,mund te arrestohej ismail Kadare!Ketu mbaron filmi i perndjekjes se Isit.
    darene,edhe kur e quajne “Qorri”,”Syzja”.Qenka mobilizuar nje agjenture e tere nen drejtimin e drejtorit te sigurimit Raqi,nje komitet qendror,Ramiz Alia dhe vete Enver Hoxha per ti qepur gojen kujtdo qe flet per kanakarin Kadare.Dhe te gjitha pergjimet ia kane percjelle Isit ne kohe reale.ISI i ka ditur keto zbulime qe i rizbuloi Kaloci.Por une kam degjuar qe cmimin Nobel ia japin shkrimtareve,jo prestigjiatoreve!

  18. eru says:

    Ky bir i denje i partise eshte dekoruar ne 3 maj 1995 nga Presidenti i Republikës (Sali Berisha) me medaljen “Martir i demokracisë” (Dekreti 1089) me motivacionin “Për përkushtim si publicist e politikan disident në luftën kundër komunizmit e diktaturës, për aspiratat e tij thellësisht kombëtare e demokratike”.

    50 vjet e bene historine si e deshen. Pas 50 viteve vazhdojne ta bejne po si e duan vete.

    Çfare ironie…

  19. Ed tironci says:

    Xhaferri ka qene LEI FENI SHQIPTAR!

  20. tori says:

    Xhaferri ka bere ate qe kane bere shume te tjere ne ate kohe,por ato qe ka bere Kadareja nuk ka asgje qe i lan.xhaferri qe te ecte perpara ishte i detyruar te bente dhe letra te tilla pasi kishte babain te vrare,po ata te tjere qe te tilla letra i benin nga qefi se pervec qe kishin biografi te mire ishin dhe te mbrojtur nga prejardhja krahinore me udheheqjen.Sot ne pseudo demokraci shikojme se si spiunojne Shqiptaret njeri tjetrin si brenda dhe jashte Shqiperise imagjinoni ne ate kohe.

  21. kucovllah says:

    Me gjithë respektin ndaj Kadaresë, romani ” Dasma ” ishte vepra më e dobët e tij, kjo pranohet nga të gjithë madje dhe nga vetë Kadare, me plot të drejtë si profesionist u kritikua nga Bilal Xhaferi.
    Pra absurdi i madh fillon që këtu, pse u duhej gjithë ajo “furtunë e jashtëzakonshme, dhe e paparë” kundra këtij djaloshi të talentuar, ku u përfshinë Enver Hoxha, Mehmet Shehu , Rita Marko e kompani për të mbrojtur një vepër kaq mediokër si romani ” Dasma”.
    Bilal Xhaferri në atë kohë mos harroni vlerësohej nga të gjithë, madje dhe nga vetë Kadare si një i “Hemiguej shqiptar”, me një talent të jashtëzakonshëm.(nuk vlerësohej dhe xhelozohej vetëm nga pseudo shkrimtarët )
    Sa për letrën që na seviret sot, nuk di sa e vërtetë është kjo, se në atë kohë Sigurimi shpikte kollaj lloj -lloj çudirash, mendoj se kjo ishte thjesht për të mbrojtur veten nga gjithë ai terror i Sigurimit dhe i Diktaturës nga eleminimi, siç e kishin pësuar jo pak te Mali me gropa, apo Spaçi i famshëm.
    Ky djalosh i ri kaq simpatik për të gjithë, u luftua me sukses nga Asfalia greke që vepronte “nën rrogoz” nga vllehët e tipit si Rita Marko etj, nga diktatori i çmendur Mehmet Shehu “që vrau veten si besnik i Enverit” dhe nga llumi i diktaturës që u kamufluan lehtësisht nga shërbimet sekrete greke që “bënin dasëm në Shqipërinë e Hoxhës” siç bëjnë dhe sot.
    Respekte veprës së Xhaferit, por fatkeqësishtsi gjithmonë në Shqipëri repsektohen antivlerat.

  22. tradita says:

    te oishe besim tek Enver Hoxha, tek meahira dhe drejtesia e tij eshte budallalleku me i madh. Kjo leter trondit besimin tim tek Bilal Xhaferri. Ikja dhe vdekja e tij mbesin mister. Mos eshet shfrytezuar nga Sigurimi i shtetit duke e bere bashke punetor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje