Jesse Lingard ka qenë një nga zbulimet e sezonit deri tani, duke shkëlqyer me Manchester United, çka i ka dhënë edhe një grumbullim të paimagjinueshëm me kombëtaren e Anglisë. 22-vjeçari iu bashkua ekipit të Roy Hodgson, ditën e dielë, si pasojë e dëmtimeve të pësuara nga Michael Carrick dhe Jamie Vardy, dhe mund të aktivizohet në miqësoren e së martës ndaj Francës në “Wembley”.
Lingard është lënë në pritje të mundësisë që do t’i jepej në “Old Trafford”, pas katër huazimeve në klube të ndryshme të kategorisë së dytë, në tre vitet e fundit, por në momentin që ia dhanë shansin, ai e shfrytëzoi. Ai ka arritur të bëhet i preferuari i Van Gaal, duke lënë në stol Memphis Depay, të blerë për 33 milionë euro. Në fundjavën e kaluar, ai shënoi golin e parë në Premier League. Grumbullimi i Lingard me kombëtaren na bën të shohim edhe për futbollistët e tjerë që kanë “shpërthyer” sivjet…
Jamie Vardy (Leicester City)
Luante me amatorët vetëm tre sezone më parë, por sot Vardy është bërë golashënuesi më i mirë i Premier League dhe konsiderohet si një sulmues “modern”. Pasi ka shënuar në nëntë ndeshjet e fundit të kampionatit anglez, Hodgson nuk kishte si mos ta grumbullonte në kombëtare. Me 12 gola në 12 javë, Vardy është lideri i Leicester City që renditen në vendin e tretë. Nëse forma e tij vazhdon të jetë e tillë deri në qershor, atëherë mund të jetë sulmuesi titullar i “luanëve” në Euro 2016.
Anthony Martial (Manchester United)
Louis van Gaal i shqetësoi të gjithë tifozët e Manchester United kur u duk i dëshpëruar se nuk mori asnjë sulmues në merkato dhe në ditën e fundit pagoi 50 milionë euro për të marrë sulmuesin francez nga Monaco, Anthony Martial. 19-vjeçari ka pasur një fillim të shkëlqyer të karrierës në “Old Trafford” dhe deri tani ka shënuar pesë gola duke u shndërruar në idhullin e ri për tifozët. Janë të shumtë ata që mendojnë se francezi është ideali për të qenë qendërsulmuesi i “djajve”, jo Wayne Rooney.
Dele Alli (Tottenham Hotspur)
Pasi iu bashkua Tottenham nga MK Dons për 7 milionë euro gjatë kësaj vere, Alli u ambientua menjëherë në Premier League. 19-vjeçari ka treguar një formë të shkëlqyer dhe ka qenë një nga futbollistët më të mirë te skuadra që renditet në vendin e pestë dhe ka humbur vetëm ndeshjen e parë të kampionatit. Alli luajti ndaj Spanjës atë që do të jetë ndeshja e parë e një serie shumë të gjatë me kombëtaren anglez. Eshtë i shpejtë, pason shkëlqyeshëm dhe inteligjent në leximin e lojës. Nëse do të vazhdojmë me këto ritëm do të bëhet një nga mesfushorët më të mirë në botë.
Nolito (Celta Vigo)
Krahas “yjeve” të Barcelonës dhe Real Madrid, që shënojnë një mal me gola në La Liga është edhe sulmuesi i Celta Vigo, Nolito, i cili po luan sezonin më të mirë të jetës me shtatë gola në 10 ndeshje deri tani. Ai bëri një paraqitje epike në ndeshjen e fituar 4-1 ndaj Barcelonës. 29-vjeçari është bërë gjithashtu pjesë e kombëtares spanjolle. Gjatë verës ka pasur zëra se mund të shkojë te Barcelona dhe nëse ky transferim nuk do të ndodhë në janar, atëherë verën e ardhshme do të rifillojë telenovela e merkatos.
Borja Baston (Eibar)
Një i harruar te Atletico Madrid, 23-vjeçari Borja ka treguar një formë të shkëlqyer gjatë huazimit te Eibar, që aktualisht renditet në vendin e gjashtë të La Liga, duke qenë surpriza e sezonit. Me gjashtë gola të shënuar në 11 ndeshje, Borja fitoi edhe çmimin si “lojtari më i mirë” në La Liga, për muajin tetor. Ai luajti mirë edhe në sezonin e kaluar në Secunda Division ku shënoi 23 gola me fanellën e Real Zaragoza. Nuk ka dyshime që vitin e ardhshëm Diego Simeone do t’i jap një shans në “Vicente Calderon”
Sergi Roberto (Barcelona)
I panjohur për rivalët në Spanjë dhe jashtë kufijve forma e mirë e treguar rregullisht nga Sergi Roberto provoi se akademia e Barcelonës, “La Masia”, është ende e mbushur me talente. Trajneri Luis Enrique thuajse e largoi mesfushorin 23-vjeçar, gjatë merkatos së verës, por pasi u detyrua ta aktivizonte si mbrojtës të djathtë mori nga Roberto një përgjigje që nuk e priste. Aq mirë është paraqitur ai sa kanë filluar të qarkullojnë zërat se duhet të jetë në formacionin e Spanjës që do të luajë në “Francë 2016”.
Riccardo Saponara (Empoli)
Duke folur në fillim të sezonit, 23-vjeçari Saponara ishte “piketuar” nga disa klube si Liverpool, Juventus, Napoli dhe Everton. Megjithatë, të gjithë kishin dyshime sepse mesfushori kishte zhgënjyer në dy sezonet me Milan dhe u rikthye te Empoli, ku ka familjen e tij. Saponara e la pas shpine përvojën e hidhur në “San Siro” dhe e ka nisur sezonin me katër gola dhe tre asiste duke e mbajtur skuadrën e tij larg zonës së ftohtë dhe duke e bërë veten kandidat për të qenë në Euro 2016.
Maximiliano Moralez (Atalanta)
Atalanta po kalon një nga sezonet më të mira të historisë së saj dhe për këtë ka meritë të padiskutueshme mesfushori argjentinas Moralez. Ai ka shënuar dy gola dhe ka dhënë pesë asiste në këtë sezon ku mbi të gjitha ka qenë gjithmonë i vlerësuar me nota maksimale. Morale, 163 cm, është futbollisti më i shkurtët në Serie A, por kjo nuk e pengon që me topin të bëj magjira dhe të ëndërroj që një skuadër e madhe ta thërrasë.
Eder (Sampdoria)
Nuk është një surprizë të shohësh Gonzalo Higuainin e Napolit në krye të renditjes së golashënuesve të Serie A, por ai që e ka barazuar, me nëntë gola të shënuar, po kalon sezonin më të mirë të karrierës. Eder Citadin Martins i Sampdorias po ecën me një ritëm të frikshëm pasi në sezonin e kaluar shënoi 12 gola në të gjitha veprimtaritë. 29-vjeçari i lindur në Brazil ka filluar të grumbullohet rregullisht nga kombëtarja e Italisë. Nëse vazhdon me këtë ritëm do të jetë sulmuesi titullar i “axurrëve” në Euro 2016.
Yoshinori Muto (Mainz)
Pasi shënoi një mal me gola për Tokion në kampionatin japonez, disa klube të mëdha, përfshi Chelsea, nisin të hedhin sytë nga Yoshinori Muto, por ky i fundit i mbylli derën të gjithëve duke thënë se nuk ishte ende i gatshëm për të luajturën një klub të madh europian dhe zgjodhi të shkonte te Mainz në Bundesligë. Deri tani ka shënuar gjashtë gola në 11 ndeshje të luajtura në kampionatin gjerman, përfshi një tregolësh ndaj Augsburg, që e bëri atë japonezin e parë që shënon tre gola gjatë një ndeshje të Bundesliga.
Leroy Sane (Schalke)
19-vjeçari Sane ka qenë futbollisti më i mirë i Schalke në këtë fillim sezoni dhe është objektivi kryesor i Liverpool për merkaton e ardhshme. Ai mund të mbulojë disa role në sulm edhe pse maksimumin e jep në krahun e djathtë, atje ku e aktivizon edhe kombëtarja gjerman. Trajneri i Gjermanisë, Joachim Low e ka mes futbollistëve të preferuar. “Sane ka një dhuratë speciale nga Zoti, një “paketë” ku përshihet finesa, shpejtësia, forca dhe teknika.”
Kingsley Coman (Bayern Munich)
Ka shumë futbollistë që mund ta përmirësojnë më tej “armatën” e jashtëzakonshme të Bayern Munich, që ndoshta aktualisht është skuadra më e fortë në Europë, por Coman po bën pikërisht për këtë. Pas aktivizimeve me pikatore te Paris SG dhe Juventus, francezi shkoi te Bayern Munich për një huazim dy vjeçar dhe që në ndeshjet e para 19-vjeçari ka shkëlqyer. Trajneri Pep Guardiola është bërë tifoz me të, ndërsa Laurent Blanc e pranoi si një nga pishmanet më të mëdha në karrierë që e la të largohej.
Michy Batshuayi (Marseille)
Problemi që kanë tifozët kur sulmuesi i skuadrës së zemrës fillon të shënojë rregullisht është se klubet e tjera, në mënyrë të pashmangshme, do të përpiqen ta blejnë. Kjo është ajo që po ndodh te Marseja me belgun Batshuayi, i cili ka shënuar nëntë gola në 13 ndeshje, vetëm një më pak se rekordi personal i vënë në sezoni i kaluar. Arsenal, Chelsea dhe Manchester United kanë trokitur në derën e klubit francez që i ka vënë një çmim fiks 22-vjeçarit: 50 milionë euro./ Telesport