Albi Xhunga
Pas sulmeve terroriste në Paris, ku mbetën të vdekur 132 qytetarë të pafajshëm të Parisit e gjithë Bota e qytetëruar u solidarizua me popullin francez e me parizienët. Terrori është një formë e urryer lufte të cilën të gjitha shoqëritë e qytetëruara e përbuzin me neveri dhe e luftojnë me përkushtim. Ka disa dekada që terrori përpiqet të mbjellë frikën në shoqëritë perëndimore, por as ia ka arritur e as do t’ia arrijë. Nuk ka sesi disa qindra apo qoftë edhe mijëra terroristë trushpëlarë e të dëshpëruar të imponojnë vullnetin e tyre në shtetet më të forta të planetit ekonomikisht e ushtarakisht.
Me francezët dhe parizienët u solidarizuan në shumicën e tyre dërmuese edhe shqiptarët. Deklaratat e politikanëve, artistëve, gazetarëve, sportistëve etj., shprehnin dënimin me forcë të aktit, dhimbjen për viktimat dhe solidaritetin e tyre me popullin francez. Edhe shqiptarët e thjeshtë u solidarizuan në masë me popullin francez. Rrjetet sociale, veçanërisht facebook u mbush me mesazhe solidariteti, simbole të Francës e Parisit dhe me ndihmën e një aplikacioni fotot e profilit të përdoruesve u ‘’shkrinë’’ me flamurin francez.
Mirëpo këtë herë të binin në sy reagime të cilat këtë solidaritet me viktimat e aktit terrosit e quanin hipokrizi. Sipas tyre ishte shtirje e hapur që pas masakrave në Siri, Turqi, Irak e gjektë të solidarizoheshe vetëm me francezët dhe të lije në heshtje të tjerët. Kishte ndër to edhe reagime dashaliga, pothuajse miratim të terrorit, por unë nuk do merrem me këtë pjesë. Me këto reagime bën mirë të merret policia, së paku për t’i mbajtur nën vëzhgim të tillë njerëz. Ndërsa atyre që kërkonin llogari se përse ne, ‘’flamurmbajtësit francezë’’ solidarizoheshim vetëm me Francën dhe jo me të tjerët, si një prej ‘’flamurmbajtësve’’ kam dëshirë t’iu them dy gjëra.
Së pari: Viktimat e Parisit nuk ishin ushtarakë, nuk ishin politikanë. Ishin qytetarë të thjeshtë. Sado të mos jesh dakort (për ata që nuk janë) me politikat e Francës, asgjë nuk e justifikon vrasjen e tyre. Ata ishin njerëz të thjeshtë dhe nuk kishin asnjë ndikim në politikat e drejta apo të gabuara të shtetit Francez.
Së dyti: Krimet ndaj muslimanëve nuk më pengojnë të solidarizohem me viktimat e pafajshme franceze dhe krimet ndaj francezëve nuk më pengojnë të solidarizohem me viktimat e pafajshme muslimane.
Së treti: Është fare e natyrshme dhe shumë normale që ndienjën e solidaritetit ta kemi shumë më të fortë me njerëz e popuj me të cilët ndihemi më afër. Është e vërtetë se (siç thoni ju) bëhet fjalë për njerëz në të gjitha rastet, por nuk është e njëjta gjë një llahtari e ndodhur pranë teje, gjeografikisht, shpirtërisht, kulturalisht; me një tragjedi të ngjashme që ndodh diku në anën tjetër të Botës, në një shtet që ti nuk e njeh, nuk e ke shkelur, me kulturën e të cilit nuk të lidh asgjë. Shembull; Jo rastësisht në lajmet e mbrëmjes redaktori vendos shpesh herë të japë lajmin e vdekjes në aksident të 5 personave në vendin fqinj dhe të injorojë vdekjen e 50 të tjerëve po në një aksident të ndodhur në anën tjetër të globit.
Dhe për ta mbyllur do doja të përfytyronit sikur dikush ju qëllon me kallashnikov sepse qeveria shqiptare ka dërguar disa trupa në Siri (diçka shumë e mundshme për njw anëtar të NATO-s). Mendojeni dhe thuajini vetes tuaj si do ndiheshit…