Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ka konstatuar një sërë vleresimesh pozitive në Progres-raportin e Komisionit Europian për vitin 2015, sa i perket politikave sociale dhe te punesimit. Në një dalje të posaçme nga selia e Kryeministrisë, ai ka theksuar se Raporti i Progresit për Shqipërinë i 2015-ës, vlerëson përparimin për mirëqenie dhe mbrojtje shoqërore, përpjekjet për një shoqëri gjithëpërfshirëse, punësim të denjë dhe aftësi më të larta profesionale.
Duke iu referuar pikërisht gjetjeve të Raportit, Klosi theksoi se në të është vlerësuar rritja e kapaciteteve për ndërmjetësimin në punë me hapjen e 14 zyrave të reja të punësimit të riorganizuara sipas modelit të ri të shërbimeve të punësimit. Ai bëri të ditur gjithashtu se për vitin 2016 do të vijohet edhe me hapjen e 5 zyrave të tjera të punës. Sipas tij, në 2015-ën janë realizuar rreth 25% më shumë ndërmjetësime në punë, si dhe rritje të numrit të punonjësve në programet e nxitjes së punësimit, me theksin te gratë dhe vajzat, te më të varfërit dhe ata me aftësi të kufizuara, si dhe personat e komunitetit rom e atij egjiptian. “Vwrehet qw papunwsia ndonwse ende e lartw, ka pësuar një rënie nga 18.2 % në katërmujorin e parë të vitit 2014 në 16.9 në katërmujorin e parë të vitit 2015”, – tha Klosi.
Për sa i përket reformës së pensioneve, ministri Klosi theksoi se Raporti ka një opinion pozitiv, ku theksohet progresi i bërë në këtë skemë dhe në kuadrin e mbrojtjes së emigrantëve shqiptarë, të cilët jetojnë e punojnë në vende të tjera, me elementë të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. “Këtu ka një zhvillim të dukshëm të procesit të koordinimit të sistemeve të sigurimeve shoqërore me vendet e tjera. Gjatë vitit 2015 janë ratifikuar marrëveshjet e mbrojtjes shoqërore me Luksemburgun dhe Maqedoninë, janë zhvilluar negociatat për marrëveshje të mbrojtjes shoqërore me Gjermaninë dhe Austrinë, si dhe janë në proces ratifikimi marrëveshjet me Hungarinë, Rumaninë dhe Republikën Çeke. MMSR ka programuar punën për hartimin e marrëveshjeve të reja me Kosovën, Bullgarinë, Kroacinë, Mbretërinë e Spanjës, Indinë, shtete të cilat kanë shprehur interes për fillimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes shoqërore”, – tha Klosi.
Ai ka evidentuar gjithashtu suksesin që ka pasur lufta kundër informalitetit në tregun e punës, e cila në vetëm 2 muajt e fundit ka bërë të mundur futjen në skemën e sigurimeve shoqërore të mbi 100 mijë personave. Një tjetër fushë e veprimtarisë së MMSR-së, ku sipas Klosit raporti evidenton arritje është edhe Arsimi Profesional. “Dy vitet e fundit kemi 40% më shumë nxënës në vitet e para të shkollave të mesme profesionale. Janë trajnuar në kurse profesionale rreth 80% më shumë se në 2013”, – shtoi Klosi, ndërsa theksoi se po punohet edhe për përmirësimin e legjislacionit që do bëjë nxitjen më të madhe të të rinjve drejt një edukimi profesional.
Në deklaratën e tij referuar pikërisht gjetjeve të Progres-raportit, Klosi theksoi arritjet në reformën e Ndihmës Ekonomike, duke rritur transparencën dhe shmangur abuzivitetin me rreth 20 për qind. Një tjetër reformë e cila është përmendur nga ministri në fjalën e tij ka qenë edhe ajo e sistemit të vlerësimit të aftësisë së kufizuar (PAK), e cila ka arritur që të ulë me rreth 5 % abuzivitetin. “Është dizenjuar një proces i ri i vlerësimit multidisiplinor të aftësisë së kufizuar, duke rishikuar kriteret e vlerësimit dhe përcaktimit të aftësisë së kufizuar. Me synim integrimin e personave me aftësi të kufizuara (PAK) u zyrtarizua gjuha shqipe e shenjave, u punësuan dhjetëra PAK përmes programeve të punësimit, u rrit numri i studentëve me aftësi të kufizuara në universitete, si dhe po punohet për eliminimin e barrierave për integrimin e PAK”, – tha Klosi. Ai ka përmendur edhe reformat e shërbimeve sociale, si dhe barazinë gjinore, ku gjithashtu është shënuar progres.