Befas të gjithë flasin për luftën; politikanët dhe komentuesit, diplomatët, ushtarakët, historianët e epokës bashkëkohore dhe ekspertët e islamit me kualifikim tërësisht të ndryshëm, gjermanë dhe francezë. Armiku është zbuluar. Është terrorizmi, i drejtuar nga «Shteti Islamik». Por kjo duket të jetë gjëja e vetme e sigurt, që mund të ofrojë ky konflikt asimetrik mes komunitetit modern dhe një sekti të vrasësve serikë.
Pikësëpari duhet të kursehemi nga vetëmashtrimi se lufta e shpallur tani paskësh shpërthyer fundjavën që shkoi në Paris apo në fillim të vitit me sulmin e një bande vrasësish kundër revistës «Charlie Hebdo». Sepse menjëherë pas 11 shtatorit 2001 presidenti i Amerikës shpalli me thirrjen e tij fatale «luftën kundër terrorit» dhe intervenoi në Afganistan dhe Irak. Që nga atëherë bien bomba, fluturojnë dronë dhe godasin të pafajshëm dhe të fajshëm.
Shpesh kur bëhet fjalë për konflikte mund të përcaktohet mjaft qartë se si dhe kur kanë filluar. Shumë më vështirë mund të jetë t’u japësh fund atyre. Organizma amorfe si «Shteti Islamik» për shkak të mënyrë se si e kuptojnë vetveten nuk mund të përfitohen për armëpushime apo marrëveshje paqeje – madje ato nuk mund të garantojnë as respektimin e kapitullimit të pakusht. Për të luftuar «Shtetin Islamik» në të vërtetë mbetet vetëm zhdukja e tij, por ende askush nuk mund të tregojë se si mund ta mbijetojë këtë strategji rendi ynë kushtetues. Përvoja përkatëse – dhe të tmerrshme – ka bërë presidenti i SHBA-ve George W. Bush kur u hodh në luftë a fitimtar dhe pa fund të dukshëm.
Kërcënimi nën të cilin vuan perëndimi nuk është vetëm artikull importi nga orienti islamik. Shtetet perëndimore janë të involvuara si furnizuese, sidomos për shkak të vëllazërisë me armë me Arabinë Saudite, ideologjia shtetërore fetare dhe praktika e besimit e së cilës vetëm në nuanca dallojnë nga «Shteti Islamik». Hipokrizia perëndimore është kontraproduktive. Ndonëse gati të gjithë atentatorët e 11 shtatorit 2011 ishin me origjinë nga Arabia Saudite, Bushi e mbuloi Irakun me luftë, një shtet që s’kishte të bënte asgjë me sulmet e 11 shtatorit. Peter Ustinov, i cili nuk ishte vetëm një komediograf i talentuar, por kishte sens edhe për satirë, njëherë kishte thënë: terrorizmi është luftë e të varfërve, lufta është terrorizmi i të pasurve.
Në krizën akute Perëndimi së paku ka zbuluar një të vërtetë të ditur: kur duhet zgjidhur probleme apo shmangur konflikte, nuk mjafton të flasësh vetëm me ata që mendojnë njëjtë si ti. Duhet folur edhe me palën tjetër, me njerëz që deri më tani konsideroheshin kundërshtarë apo përfaqësonin interesa të ndryshme. Kësisoj, presidenti rus Vladimir Putin befas nuk është më vjedhësi i Krimesë, por partner i sigurisë, pëlqimi dhe armët e të cilit janë të nevojshme. Kryetari turk Recep Tayyip Erdogan, deri më tani i shkuar vëngër si autokrat, brenda natës është bërë mik i pëlqyer. Ai së paku mund të dirigjojë një pjesë të valëve të refugjatëve, të cilët aktualisht po mbërrijnë në Europë. Edhe Republika Islamike e Iranit nuk qëndron më në qoshe, por zë vend gati në të gjitha tavolinat e konferencave ndërkombëtare. Madje edhe thirrjet e pandërprera «Asadi duhet të shkojë» janë ndalur. Roli i tij i ri është i një personi, i cili është i nevojshëm nëse synohet që Siria të qetësohet.
Nuk mund të bësh gabimin më të madh se sa të besosh në propagandën që e bën vetë. Por loja me iluzione është pasion i prijësve të mendimit perëndimor. Për çdo ditë të vërtetat e pakëndshme po deformohen. «Shteti Islamik» sigurisht nuk ka të bëjë asgjë me mësimet e Kuranit, por është një karikaturë kriminale. Natyrisht IS nuk është rritur në truallin shpirtëror të një feje tjetër botërore. Por përse i nënshtrohen kaq shumë myslimanë sunitë sundimit të tij të tmerrshëm? Sepse ata e shohin atë në të vërtetë si diçka të keqe, por jo si shumë më të keqe se regjimet e tyre të paafta, të korruptuara, tradicionale.
Se në mesin e qindra-mijëra refugjatëve nuk ka agjentë dhe atentatorë potencialë të IS këtë përballë aftësisë organizative të «Shtetit Islamik» nuk dëshiron ta besojë askush, përveç ekspertëve gjermanë të sigurisë. Në perandorinë e legjendave hyn edhe versioni se këta refugjatë na qenkan imun kundër joshjeve të islamit radikal, sepse ata pikërisht prej tij po ikin. Në fakt shumica prej tyre po kërkojnë një jetë më të mirë në Europë, gjë që askush s’mund t’i akuzojë për këtë.
Lufta kundër terrorit deri më tani duket si luftë civile. Ndonëse atentatorët kur kryejnë krimet e tyre thirren në kalifin e tyre në Siri, ata prapëseprapë janë shtetas të Europës – kryesisht francezë dhe belgë. Se çfarë duhet të bëjnë shtetet e tyre të reja me ta, nëse arrihet që të mposhten dhe të izolohen, këtë nuk e di njeri. Sulmi i fundit kundër një hoteli në Mali tregon taktikën që francezët, të cilët dominojnë atje, të mos kenë kohë as për të marrë frymë.
Çështja e së ardhmes shtrohet edhe më shumë për dhjetëra-mijëra luftëtarë besimi trushpëlarë në Siri dhe Irak kur njëherë të mposhtet «Shteti Islamik» me potencialet e tij shumë të kufizuara ushtarake. Ata nuk do të zhduken nga faqja e dheut. Shanset për risocializimin e tyre duken të vogla, si në Europë ashtu edhe në Lindjen e Afërt. Riedukimi i terroristëve të penduar, siç po përpiqet Arabia Saudite me përpjekje të mëdha, zakonisht dështon. Kësisoj, islamistët prominentë sauditë menjëherë pas lirimit të tyre u zhdukën në nëntokën jemenite.
Viktimat e Parisit do të zhduken në kujtesën e shumë njerëzve. Një shtet i madh ia dal mbanë me këtë tragjedi. Çfarë mbetet është jouniteti i madh në kampin perëndimor mbi qasjen që duhet pasur ndaj problemeve themelore, të cilat na i kanë rikujtuar sulmet. Në këto probleme Europa mund të shkatërrohet.
Rudolph Chimelli, gazetar shumëvjeçar i «Süddeutsche Zeitung», shkoi në vitin 1964 si korrespondent në Bejrut, prej nga për tetë vjet raportoi mbi zhvillimet në rajon – nga Turqia deri në Afganistan, përfshirë Iranin, Siujdhesën Arabike dhe Sudanin. Në vitin 1972 për shtatë vjet mori postin e korrespondentit në Moskë. Që nga viti 1979 jeton në Paris – si korrespondent, komentues, analist dhe ekspert i çështjeve gjeostrategjike. Chimelli ka raportuar edhe nga India, Ruanda dhe Haiti.
thene ndrishe,korraku nuk behet rob……..bisht qeni!
Kete gazetarin Chimelli e kam ndjekur te emisioni “Kioske” ne TV5. Eshte i zgjuar dhe i ekuilibruar. Edhe ne kete shkrim po kete qendrim mban. Qe Perendimi eshte pergjegjes me veprimet dhe mosveprimet e tij, per lindjen dhe forcimin e monstres ISI-s. Dhe shprehja e Ustinovit eshte brilante.