Jose Mourinho deklaroi se “ishte puthur” dhe pajtuar me Diego Costën pas sherrit të tyre gjatë ndeshjes së të martës midis Maccabi Tel-Aviv dhe Chelsea-t. Mourinho shkëmbeu fjalë të ashpra me sulmuesin gjatë fitores 0-4 në Champions League ndaj izraelitëve. Pas ndeshjes “The Special One” tha: “Doja që ai të bënte një lëvizje në fushë, të cilën ai nuk e bëri. U zhgënjeva që ai nuk ndoqi udhëzimet e mia dhe reagova. Edhe ai bëri të njëjtën gjë. Gjatë pushimit të pjesë së parë shkëmbyem ca të puthura dhe ca përkëdhelje dhe çdo gjë është në rregull.”
Jose Mourinho nuk do të ketë në dispozicion për ndeshjen e së dielës, kapitenin John Terry, i cili u dëmtua në kavilje dhe u detyrua të largohej nga fusha e lojës me barelë. Mourinho, i cili pa të dëmtohej edhe Ramires gjatë seancës stërvitore në Tel Aviv deklaroi se përgjegjësia ishte e gjendjes së mjeruar të fushës. Trajneri i “bluve” të Londrës tha: “Fusha ishte në një gjendje shumë të keqe. Kur John Terry largohet nga fusha me rezultatin 0-1, atëherë do të thotë që është vërtet i dëmtuar. Departamenti im mjekësor është mjaft i aftë. John është një djalë i veçantë me një dëshirë të madhe për t’u rikuperuar sa më shpejt. Megjithatë nuk mendoj se do të jetë gati për ndeshjen ndaj ‘spërsave’.”/ Telesport