Fjalimi i plotë në gjuhën shqipe, i Sekretarit Amerikan John Kerry

3 Dhjetor 2015, 00:19Rajoni TEMA
Fjalimi i plotë në gjuhën shqipe, i Sekretarit Amerikan John

Zoti kryeministër.

Ju faleminderit shumë për këtë mikpritje kaq të ngrohtë dhe bujare këtu.

Po i shoh gjithë këto shenja, flamuj. E pash edhe posterin, i cili dukej aq fuqishëm, aq impresiv. Dhe, po ashtu, Gardën e Nderit kur erdha, dhe me të vërtetë është shenjë e miqësisë dhe respektit, dashurisë për vendin tonë. Prandaj, jam shumë mirënjohës për gjithë këto gjeste. Dëshiroj t’iu falënderoj edhe në emër të të gjithë atyre në Shtetet e Bashkuara të cilët e kanë për zemër Kosovën, dhe për të gjithë atë udhëtim të përbashkët që e kanë bërë, një udhëtim të rëndësishëm në të cilin kemi respekt dhe dashuri të ndërsjellë.

Jam shumë i lumtur që jam këtu në Prishtinë, dhe ju kërkoj ndjesë paraprakisht të gjithëve për këtë vizitë të shkurtër, pasi që Kosova meriton një vizitë më të gjatë nga Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, dhe do ta ketë një të tillë. Ju premtoj se do të kthehem kur të kem pak më shumë kohë.

Por, mendova se është e rëndësishme, meqenëse jam duke shkuar në Beograd, dhe do të takohem me kryeministrin e Serbisë, i cili është pjesë e dialogut, dhe dëshirova që të flas me të dy palët e dialogut.

Mendova se është me të vërtetë e rëndësishme që të vija këtu, të sigurohem që Kosova e kupton se ne kemi respekt dhe jemi të përkushtuar për këtë proces.

Për këtë arsye, në emër të Presidentit Obama, ju sjell përshëndetjet e tij dhe përkushtimin e fuqishëm dhe të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Republikën e pavarur të Kosovës.

Siç e tha edhe kryeministri, sapo e përfunduam një takim shumë produktiv. Gjatë kësaj kohe që e patëm, së bashku me zëvendëskryeministrin Thaçi dhe me zëvendëskryeministrin Stojanoviq, folëm për një varg çështjesh, çështje ekonomike, të sigurisë, të tranzicionit, të demokracisë, të sfidave në Kuvend, si dhe folëm edhe për mundësitë.

E dimë se ka një popullatë të re këtu, nën moshën 30 vjeç. Ndoshta 60 për qind e popullatës është nën moshën 30 vjeç, dhe njerëzve ju duhen vende pune dhe kanë nevojë për vende pune. Dhe unë jam këtu që të them që edhe kryeministri dhe zëvendëskryeministrat janë në rrugë të duhur për t’i dhënë ato mundësi.

Nevojitet pakëz durim, punë, dhe natyrisht këto duhet të ndodhin. Por fakti qëndron se ka mundësi të shumta për kosovarët, për njerëzit e këtij rajoni, dhe ka shumë mënyra që kombet tona t’i përmbushim ato mundësi, nëse punojmë bashkërisht.

Siç e përmendëm pasdite sot, Kosova me të vërtetë ka arritur përparim të fuqishëm në rrugën e integrimeve të plota euroatlantike.

Dhe nënshkrimi i kohëve të fundit i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, paraqet një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Këto të arritura janë rezultate të drejtpërdrejta të gatishmërisë së Kosovës për të bërë progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja me Serbinë.

Dhe jemi të vetëdijshëm që Marrëveshjet që Kosova ka nënshkruar, nuk janë të lehta, kanë qenë vendime të vështira politike. E kuptojmë këtë. Por aftësia për të marrë vendime të zorshme, që janë të nevojshme për të mirën e vendit, quhet lidership.

Dhe unë jam këtu sot, për t’iu përcjell respektin e Presidentit Obama dhe të popullit amerikan për lidershipin që po i bënë të gjitha këto zgjidhje.

Shtetet e Bashkuara janë shumë të kënaqura që udhëheqësit e Kosovës e kanë treguar gatishmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre, për t’i bërë gjërat, të ndryshojnë gjërat, gjatë dialogut me Serbinë.

Ne i mbështesim këto përpjekje.

Mos u gaboni, ne nuk do të mbështesnim asnjë marrëveshje, e cila do ta kërcënonte sovranitetin, sigurinë apo pavarësinë e Kosovës.

Kemi investuar tepër shumë, ne vetë, së bashku, në të ardhmen e Kosovës, për ta vënë në rrezik.

Për këtë arsye jam shumë i lumtur që kemi një numër të të rinjve këtu, që janë një shembull i shkëlqyeshëm i investimit tonë të përbashkët për të ardhmen tuaj.

14 nga më shumë se 1000 gra dhe burra që kanë marrë pjesë në programe të ndryshme të shkëmbimit, mes Kosovës dhe SHBA-së, janë këtu sot. Dhe do ta kem rastin që t’i përshëndes, pasi të përfundoj këtë fjalim.

Por, në mesin e këtyre të diplomuarve, siç janë për shembull Sali Shoshi, i cili ka marrë pjesë në njërën prej programeve për udhëheqësi, tash është i përkushtuar për ruajtjen e trashëgimisë së pasur multietnike kulturore të Kosovës. Kjo është puna e tij. Këtë e ka zgjedhur ai vetë. Dhe Saliu është duke udhëhequr përpjekjet për restaurimin e Kalasë së Prizrenit, projekt i cili është i financuar nga Ambasada Amerikane dhe Qeveria e Kosovës.

Një anëtare tjetër është Nora Latifi, e cila pasi ka marrë pjesë në programin tonë të Fulbright-it, tash punon tek Instituti GAP, njëra prej organizatave më me ndikim që promovon zhvillimin ekonomik të këtij vendi.

Shtetet e Bashkuara nuk do të mund të jenë më të lumtura, se sa kur shohin aq shumë gra dhe burra, sikurse Saliu dhe Nora, që përvojën e tyre në vendin tonë, e përdorin për ndërtimin e një Kosove më të fuqishme dhe më me prosperitet.

Dhe për ta siguruar Kosovën me prosperitet dhe më të sigurt, nevojitet punë e madhe, punë e mundimshme.

Kosovarët kanë arritur shumë në vitet e fundit, por nevojitet edhe më shumë përkushtim nga ana e të gjithë qytetarëve për sundimin e ligjit, për lirinë e shprehjes, dhe të drejtën për protesta paqësore, të cilat janë të drejta fondamentale për çdo demokraci .

Por dhuna është e papranueshme. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë vendi ku ka debat domethënës për politikat publike, ku njerëzit mund të dëgjojnë njëri-tjetrin në paqe, pa marrë parasysh sa e kundërshton idenë, ose ke një ide tjetër vetë.

Liria e shprehjes do të thotë se njerëzit kanë të drejta ta thonë atë që e mendojnë, edhe nëse nuk ju pëlqen juve. Por kjo pastaj sjell ide tjera, përpjekje të reja për të ndihmuar që të gjendet një mes i përbashkët. Dhe gjetja e këtij mesi të përbashkët është shumë i rëndësishëm.

Për shembull, senatori McCain dhe unë vijmë nga dy parti të ndryshme. Të dy kemi qenë kandidatë për president nga dy parti të ndryshme, me dy prapavija të ndryshme. Por kemi gjetur rrugën e përbashkët për të punuar bashkë, që ta hedhim prapa luftën e Vietnamit, në mënyrë që të kemi marrëdhënie të plota diplomatike me këtë vend me të cilin kemi qenë në luftë.

Prandaj, ne e kuptojmë për çfarë jeni duke u munduar, që ta lini luftën prapa dhe të shkoni drejt së ardhmes.

Por, më lejoni të qartësoj: debati duhet të bëhet në demokraci, në veçanti në Kuvend, që duhet të jetë tempull i demokracisë, vend i respektit. Nuk është vend ku duhet të hidhet gaz lotsjellës, apo edhe të bëhen kërcënime.

Të gjitha partitë duhet të dënojnë përdorimin e dhunës në jetën publike, dhe t’i përkushtohen angazhimit në mënyrë paqësore dhe konstruktive, për t’i zgjidhur dallimet e tyre për interesin e vendit.

Prandaj, një e ardhme demokratike për Kosovën, kërkon që çdo qytetar të trajtohet në mënyrë të drejtë, pa marrë parasysh qëndrimet e tij apo të saj, sa i përket çështjeve të ndryshme, apo edhe pozitës së tyre në jetë, pa marrë parasysh etninë, gjininë, apo orientimin seksual.

Kjo po ashtu kërkon që Kosova të përmbush zotimin për themelimin e Gjykatës Speciale, në mënyrë që të zgjidhen të gjitha ato pohimet e viteve të konfliktit, njëherë e përgjithmonë, dhe që kombet vetë të pajtohen.

Kërkon, po ashtu, që udhëheqësit kosovarë ta kundërshtojnë korrupsionin, dhe të insistojnë që të gjitha rastet korruptive të hetohen, dhe kushdo që gjendet fajtor duke abuzuar me besimin e publikut, të dal para drejtësisë.

Shtetet e Bashkuara do t’i qëndrojnë Kosovës përkrah në të gjitha këto përpjekje, dhe që nga koha e pavarësisë së Kosovës, jam krenar që mund të them se kombi im ka investuar pothuajse një miliard dollarë në ndihma të ndryshme për Kosovën, në qeverisje, demokraci, paqe, zhvillimin ekonomik, në sundimin e ligjit, apo ndihma humanitare apo ndihma të tjera.

Kemi punuar ngushtë me Kosovën për adresimin e çështjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe të terrorizmit, dhe të luftëtarëve që kthehen nga Siria, nga fronti DAESH.

Dëshiroj që të them se Kosova ka vënë një shembull të fuqishëm në rajon, duke arrestuar disa njerëz të profilit të lartë, dhe duke miratuar ligje të fuqishme, dhe siç ia përmenda edhe vetë kryeministrit më herët, pjesëmarrja e Kosovës në Samitin e Presidentit Obama në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Kosova po jep një shembull të fuqishëm me arrestime të profilit të lartë dhe me legjislacion edhe më të fuqishëm.

Por, natyrisht, më duhet që ta them se nevojitet që të punohet edhe më shumë, nga të gjithë ne. Sapo u ktheva nga një takim në Bruksel me NATO-n, ku folëm gjerë e gjatë për mënyrat se si duhet të mundohemi edhe më shumë, të punojmë edhe më shumë, për shkatërrimin e ISIS-it. Jemi të përkushtuar për ta realizuar këtë gjë.

Më vjen mirë që e kemi ritheksuar rëndësinë e një dere të hapur për në NATO, me ftesën për pranimin e Malit të Zi, fqinjit tuaj.

Duhet që të punojmë bashkë për të luftuar premtimet false të ISIS-it, dhe premtimeve false për lavdi që ekstremistët përdorin për të joshur të rinjtë, në një jetë e cila nuk çon askund. Është një rrugë qorre.

Me Kosovën e drejtuar kah Evropa, me një infrastrukturë më të mirë dhe me një sistem më të fuqishëm të drejtësisë, atëherë Kosova do të tërheq më shumë investime të huaja.

Njerëzit që i kanë paratë dëshirojnë të dinë se ku po i dërgojnë ato para, dhe dëshirojnë që të kenë besim në sistemin e drejtësisë, besim në kontrata, dhe se çfarëdo ndryshime në to, do të zgjidhen në mënyrë të drejtë, dhe nëse investojnë para, atëherë do të kenë rastin më të mirë për të bërë para, duke krijuar vende të punës, duke ndarë prosperitetin e tyre me ata që i fitojnë ato vende pune.

Pra, partneriteti i ri me kompaninë amerikane, e cila quhet “Contour Global”, për zëvendësimin e Termocentralit “Kosova A”, me një termocentral më të pastër “Kosova C”, është një shembull i rëndësishëm se çfarë mund të bëjmë bashkë.

Folëm edhe për shembuj të tjerë, si gjëra që mund t’i bëjmë për të inkurajuar rritjen e bizneseve të vogla dhe zhvillimin e tyre.

Shtetet e Bashkuara gjithmonë janë në favor të zgjidhjeve të reja për energji të ripërtëritshme dhe të ripërdorueshme. Për këtë, kemi qenë në Paris duke negociuar. Dhe unë do të kthehem sërish në Paris për të vazhduar negociatat në ditët në vijim, sepse kjo është një prej prioriteteve dhe objektivave më të rëndësishme strategjike që i kemi në botë tash.

Duke i përmbushur nevojat e menjëhershme të Kosovës për energji elektrike, ne besojmë se “Kosova C”, me bashkëpunimin tonë, do të prodhoj shumë më pak ndotje, dhe 30 për qind më pak emetim të gazit që aktualisht prodhon “Kosova A”. Kështu që Kosova do të jap kontributin e saj në luftën globale të të gjitha kombeve që janë të përkushtuara për t’u marrë me çështjen e ndryshimeve klimatike.

Por, përveç kësaj, vijnë edhe punët e reja, të cilat janë të teknologjisë së lartë. Të gjithë ata që kanë shkuar për t’u edukuar jashtë, këta të rinjtë do të tërhiqen që të kthehen dhe të ndihmojnë në rritjen dhe forcimin e Kosovës në një vend stabil, demokratik dhe multietnik.

Kjo është pikërisht e ardhmja që e meritoni, dhe e di që është e ardhmja për të cilën Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara që të punojnë me juve, që ta përmbushni.

Prandaj, më lejoni që t’iu them në fund, se nga Prishtina do të shkoj në takimin ministror të OSBE-së në Beograd, dhe e mirëpres një ditë kur Kosova do të jetë po ashtu aty, si anëtare e plotë dhe e barabartë.

Zoti kryeministër.

Edhe njëherë ju faleminderit shumë juve dhe zëvendëskryeministrave për mikpritjen tepër bujare dhe të ngrohtë.

Më e rëndësishme se sa ardhja ime këtu, është partneriteti që e kemi për të ecur përpara.

Jemi shumë krenar për gjithë atë që e kemi arritur, dhe shpresojmë se do të vazhdojmë të punojmë së bashku me ju që të kemi tregime edhe më të mira në të ardhmen, në ditët dhe vitet në vijim.

11 komente në “Fjalimi i plotë në gjuhën shqipe, i Sekretarit Amerikan John Kerry”

  1. Tironci says:

    Isa mustafa osht tradhtar

    1. nacionalisti says:

      Albin Kurti

      AGJENT I UDB

  2. Ire abc says:

    Sa drite larg eshte amerika nga ne…Pse nuk po del Krasniqi e te ti thote sekretarit qe si duhen mend e tyre…Sidoqofte fale tyre ne jemi nje komb me dy shtete si aakusb tjeter ne bote.

    Flm,mr.Kerry!

  3. KORÇARI says:

    Nisën Pordhët me rigon, gjoja ne nuk duam të keqen e Dardanisë, por nga ana tjetër ju mirë bëtë që firmosët Zajdenicën, e cila zhduk Shqiptarët por ngre Sërbët, por nga ana tjetër Zhduket identitei Shqiptar i Dardanisë dhe krijohet një Komb i Ri BASTARD i cili do quhet KOMBI KOSOVAR,

  4. mira says:

    Kush eshte i zoti te perktheje dhe ta thote shqip, shqip fare, paragrafin ” Dhe jemi te vetedijshem qe mareveshjet qe Kosova ka nenshkruar nuk jane te lehta, kane qene vendime te veshtira politike e kuptojme kete Por aftesia per te marre vendime te zorshme qe jane te nevojshme per te miren e vendit quhet lidership. Kush e perkthen, do jete burre shteti(jo si saliu)
    Une per vete kisha keto komente per z Xh Karry.
    Po te jene vendimet ne te mire te vendit nuk kane perse te quhen vendime te veshtira. Po te jene jo ne te mire te vendit atehere nuk duhet te merren Vendime lidership jane kur vendimet merren nga lidershipi i vendit per vendin dhe jo ne dem te vendit.
    Z. Kary thote se ka bashkepunuar me senatorin McCain megjithese ne parti te ndryshme per te miren e vendit. Respekt qe ka bere kete gje.Edhe ne do desheronim qe partite ne Kosove te bashkepunonin per te miren e vendit. Po qeveria ne Kosove nuk ka bashkepunuar me opziten ne kuvend ashtu si sekretari thote se duhet bere. Nese qeveria nuk bashkepunon, por merr vendime tinzare, pa perfillur jo nje deputet-senator,po nje opozite te tere qe perfaqeson popullin qe e ka zgjedhur, atehere ajo nuk ka vepruar si Z Karry dhe senatori McCain, po si nje qeveri mafioze dhe jo demokratike.
    Zoti Karry thote qe te gjithe partite duhet te denojne perdorimin e dhunes ne jeten publike. A i ka pare filmimet e dhunes te tipit Milosheviciane qe perdori policia e qeverise se Kosoves kunder protestuesve paqesore? A quhet protesta paqesore jete publike?

    Me vjen mire qe shprehet se nuk do mbeshtese asnje mareveshje qe prek sovranitetin sigurine apo pavaresine e Kosoves.
    Ate po ben opozita, Eshte ne nje linje me Z sekretar amerikan qe nuk po lejon qe te behen mareveshje qe prekin sovranitetin sigurine dhe pavaresine e Kosoves. Po nese Z Karry do ishte senator ne opozite dhe qeveria e tij do vepronte ne menyre arrogante, tinzare,pa perfillur opoziten,dmth dhe Z Karry, a nuk do mendonte se kjo do ishte sjellje e nje qeverie te nje shteti tipik diktatorial fashist ..komunist?
    Jam e sigurte se Zotin Karry nuk e kane informuar qe qeveria e Kosoves mareveshjet e kontestuara nuk i shtroi fare ne parlament dhe i kaloi ne menyren me te shemtuar, mafioze, jo te ndershme.
    Pikerisht ato mareveshje prekin ato qe permend Z Karry, sigurine, sovranitetin dhe pavaresine Se po te mos ishin marevshjet te tilla do te kalonin ne parlament hapur, me transparence, dhe do te ishte populli i Kosoves qe do bente vleresimin dhe OK.
    Kjo ka detyruar opoziten te veproje ne ate menyre per te sensibilizuar opinionin, mbasi jo si ne amerike, opinioni mbahet ne terr informativ, me media te blera nga pushteti.
    E kuptojme situaten dhe rendesine e stabilitetit ne rajon qofte ajo dhe pak ne kurriz te demokracise. Por ajo qe nuk kuptoj eshte se perse gjithmone kete barre te rende duhet ta mbaje gjithmone Shqiperia e varfer,Kosova e brishte dhe me e varfer. (kujtoj armet kimike qe shtete te fuqishme anetare te NATOS, edhe prodhuese te tyre, hoqen kurrizin menjane dhe kete barre dhe “borxh te pashlyer” ja lane Shqiperise) Kjo nuk shkon.
    Pyetjen e fundit qe kisha :sa do jete stabiliteti ne kurriz te demokracise aq me teper ne vende qe akoma nuk e kane formuar ate dhe jo vetem nuk po ndihmohen po po pengohen per hir te interesave me te medha?

  5. Akilis says:

    Kryeministri Kerry i thote,Kryetarit te Bashkise se Amerikes Kosoves me gisht qe,degjo po nuk ben ashtu sic te urdherojme ne vuri gishtin kokes.

  6. Odise says:

    Eshte nje vizite historike dhe nje mbeshtetje e Madhe per popullin shqiptar.FLM SHBA per ndihmen, perkrahjen ne rimekembjen e Kosoves.Jemi e ngeli me Ju perjetesisht.

  7. Mal Uka says:

    Te falem nderit z.Kerry per fjale te zgjedhura me aq shume lavdata
    per qeveritaret qe po e rjepin pasunine dhe po e vorfnojne e saktojen
    te ardhmen e rinise e vendit Neve si popull budalle nuk po shofim
    miresine e qeveritarve qe kan bere klane e me familjarizem e kan
    uzurpu krejt pasurine dikure shoqerore dhe e kan bere prone te tyre vetanake Z. Kerry shume te falem nderit qe fole e i lavdove keta qeveritare te nershem dhe e kritikove dhe i cilesove qytetaret
    te korruptuar e se ata qe skan buk e prespektive per jete jan shume
    te poshter keshtu numri i atyre te poshtrive qe nuk po kan buk me hanger
    po e leshojne vendin dhe sot dy te tretat e qytetarve jan neper bote
    te shperndar si zojt e qyqes !Pra qeveritaret jan te mire qysh po thu Ti
    Z. Kerry po qytetaret skamor jan te poshter se pse nuk kan vdeke uni hala
    Z. Kerry Ju jeni shume demokrat dhe jeni ne gjendje me nxjerr prej zarfi
    e me e ba presidente nje gru qe se kan njofte as kojshija !
    Kryesorja Z. Kerry Qeveritaret kokan tpa korruptuer dhe duhet ta luftojne popullin fukara shume te korruptuer se po e thithe ajrin
    e han buken thate e pa kulem mbi kry Faliminers Shume Zoti Kerry
    Se valla te paskem dashamire e mos ti pafshim syte ma kurr !
    Edhe Zajednica Republika serbska ne kosove qenka pshtim per kosoven
    Faliminers se na e kini ngjite doren si ma rrast as vete serbija
    sna ka respektu Udha e mare Kerri!

  8. Niko says:

    fjalim i bere kryekeput nga njerez qe e njohin realitetin aktual ne Kosove dhe ky sekretari amerikan s’ka lidhje fare me fjalimin. Ai eshte vec lexuesi! Shqiptaret duhet te lidhen fort pas VETVENDOSJES, sepse eshte levizja qe mbron te drejtat e tyre pa kushte. Me pak fjale fjalimi vazhdon te thote duroni o shqiptare deri sa t’ju marri vdekja, se s’kemi kohe dhe nge te merremi me ju. Ndoshta Amerika nuk i jep me rendesine e meparshme Kosoves, sepse lobi shqiptar ne Amerike ka mbeshtetur hapur dhe qartas republikanet. Ndoshta nuk mund te presim me shume nga administrata e demokrateve te Obames. Mbase zonja Klinton do ishte me ndryshe edhe pse demokrate.

  9. FLAMUR_VLORE says:

    ISA MUSTAFA -SALI BERISHA —TRADHTARET E SHEKULLIT TONE

  10. Uji i ftohte says:

    Faleminderit perjetesisht Amerike.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje