Rama në Kukës: 300 mln euro për fermerët që duan të investojnë

6 Dhjetor 2015, 13:46Ekonomia TEMA

Më 2 maj të këtij viti, kryeministri Edi Rama premtoi rikonstruksionin e plotë të një ndërtese për grumbullimin e bimëve mjekësore në Kukës. Sot shkoi sërish atje, ku rikonstruksioni ka përfunduar. Pas 6 muajsh, kryeministri gjeti një magazinë të re e moderne.

Me mbështetjen e qeverisë përmes AZHBR fermeri bëri të mundur shndërrimin e një ngrehine të rrënuar në një pikë funksionale të grumbullimit dhe përpunimit të bimëve mjekësore. Ai thotë se falë kësaj ndihme ka zgjidhur një problem që i vështirësonte funksionimin normal të biznesit të tij, ruajtjen e bimëve mjekësore në të gjitha sezonet, por kjo i ka krijuar kushtet edhe për zgjerimin e aktivitetit.

Ai tashmë ka dyfishuar kapacitet grumbulluese dhe si rezultat, edhe përfshirjen në mënyrë direkte dhe indirekte fermerëve të këtij rajoni në mbjelljen e bimëve mjekësore (rreth 1000 vetë). Me fermerët do të lidhen kontrata për dorëzimin e bimëve dhe kjo, sipas sipërmarrësit, do të rigjallërojë kultivimin e bimëve mjekësore në këtë rajon, që si specialitet të tij ka kultivimin e tyre. Përveç tregut vendas, bimët e përpunuara kanë si destinacion edhe tregjet europiane.

Tashmë, qeveria ka krijuar me buxhetin e ri Fondi Kombëtar i Garancisë për Bujqësinë. Përmes këtij organizmi, shteti do të marrë përsipër që të garantojë kreditimin me kushte të favorshme të të gjithë atyre që duan të jetojnë me punë në fshat.

Me Fondin e Garancisë të qeverisë prej 300 milionë euro, duke filluar nga viti i ardhshëm do të mbështeten të gjithë ata që duan dhe kanë plane të qarta biznesi për të investuar për të rritur kapacitetet e prodhimit, punësimit dhe eksportit.

“Është një ndërmarrje që do të sjellë punësim në një zonë që ne e dimë shumë mirë që e ka problem shumë shqetësues papunësinë. Nga ana tjetër është një model për të nxitur edhe të tjerët, pasi tanimë është një mbështetje që, duke filluar nga viti i ardhshëm, është në potencialin e rreth 300 milionë eurove brenda 3 viteve. Me mbështetjen e qeverisë dhe me garancinë e qeverisë, bankat do të mbështesin fuqimisht sektorin e bujqësisë për zhvillimin e fuqisë prodhuese,” u shpreh Kryeministri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje