DRAFTI/ Si do kryhet kontrolli i gjyqtarëve të korruptuar dhe kur nis shkarkimi i tyre

27 Dhjetor 2015, 11:26Kronika TEMA

Prokurori dhe Gjykatë Speciale kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është një nga propozimet kryesore të draftit të ndryshimeve kushtetuese për reformën në Drejtësi. Në dokumentin e plotë,  në nenin 53 të ndryshimeve kushtetuese parashikohet një strukturë e posaçme antikorrupsion me prokurorë të pavarur nga Prokurori i Përgjithshëm, që zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve. Madje, do të jenë prokurorët e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion që do të kenë në varësi Byronë Kombëtare të Hetimit.

Monitorimi ndërkombëtar

Por drafti për ndryshimet kushtetuese përcakton edhe monitorimin ndërkombëtar të Drejtësisë. Neni 2 i kapitullit ‘Vlerësimi kalimtar i kualifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve’ shpjegon përbërjen dhe detyrat e këtij misioni.

“Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit është një bashkëpunim ndërmjet Komisionit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe asistencës ndërkombëtare dypalëshe. Ky Mision ka të drejtë të emërojë vëzhgues ndërkombëtarë në të dyja shkallët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ai kryesohet dhe vepron nëpërmjet Komisionit Europian që koordinon ndihmën ndërkombëtare”, thuhet në projektin për ndryshimet kushtetuese.

Vëzhguesit ndërkombëtarë do të jetë filtri kualifikues i çdo vendimi të komisioneve që do vlerësojnë gjyqtarët dhe prokurorët. “Vëzhguesit Ndërkombëtarë mund ta dërgojnë çështjen për shqyrtim në Komisionin e Pavarur Alternativ të Shkallës së Parë ose në Komisionin e Zgjeruar të Shkallës së Apelit, sidomos në rast se ata e konsiderojnë të paarsyeshëm vendimin e propozuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ose nëse konstatojnë tregues të mjaftueshëm dhe bindës që vendimi i propozuar është i papërshtatshëm, nuk mban parasysh fakte ose prova të rëndësishme, nuk bazohet në ligj, ose është rezultat i një ndikimi të papërshtatshëm”, thuhet në draft.

Shkarkimet

Drafti për ndryshimet kushtetuese zbulon kohën gjatë së cilës do të bëhet pastrimi i Drejtësisë nga të korruptuarit dhe të paaftët. Drafti përcakton periudhën 1 janar 2016 deri më 31 dhjetor 2019 gjatë së cilës do të bëhet pastrimi i radhëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk duhet të jenë në drejtësi. Për këtë, gjyqtarët dhe prokurorët do të analizohen nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në bazë të performancës dhe justifikimit të pasurisë së deklaruar prej tyre.

Të gjithë komisionerët do të kenë të njëjtin status me atë të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, gjatë gjithë mandatit dhe një pagë bruto prej 600.000 lekësh në muaj. Në sitë të këtij komisioni do të kalojnë të gjithë gjyqtarët, përfshi anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, prokurorët, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, si dhe këshilltarët e tyre.

Gjyqtarët ose prokurorët që do të vlerësohen nga ky komision mund të dorëhiqen nga detyra, vlerësimi ndaj tij pushon menjëherë, pavarësisht nga koha e dorëheqjes, si përpara, ashtu edhe gjatë kohës së vlerësimit. Personat nën vlerësim që dorëhiqen nga detyra, nuk mund të shërbejnë si gjyqtarë në ndonjë shkallë gjykimi, si prokurorë, si anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ose Prokuror i Përgjithshëm, për një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Pasuria do të jetë një tjetër kriter vlerësimi për personat e drejtësisë./Panorama

2 komente në “DRAFTI/ Si do kryhet kontrolli i gjyqtarëve të korruptuar dhe kur nis shkarkimi i tyre”

  1. lekua says:

    Kur ka shume zhurme, s’ka per te ndodhur asgje. Ka humbur shpresa se do denohen hajdutet dhe kriminelet. Po ashtu zevendesimi i projuroreve dhe gjyqtareve, po ndodhi reforma, do te zgjase dei ne vitin 1919! Per tre vjet ata bejne kerdine dhe pastaj japin vete doreheqjen. Keshtu qe asgje s’eshte ne rregull. Reforma duhet te ishte tornado qe ti merrte perpara dhe njerzeve tu rikthehej shpresa. Shqiperine do ta bllokoje vetoja e Serbise per ne BE, e cila do futet me perpara. Dhe hidhni vallen saliberishjane deri ne vdekjen natyrale te tij.

  2. Daja Nuhi says:

    Tre po ti tham une, i njef tane Shkodra:

    Arben Zefi
    Besnik Hoxha
    Andri Ymeri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje