Kur politika shitet për “kavie” mediatike

30 Dhjetor 2015, 16:55Blog TEMA

Nga Evis Nasto

 

Në historinë e presidentëve amerikane, Xhimi Karter është cilesuar ndër kaviet më të pafat të shënjëstruar nga mediat në SHBA për shkak se rrëshqiste në gabime të njëpasnjëshme si në politikën e brendshme qoftë dhe në atë të jashtme, duke njollosur reputacionin. Aq sa në Amerikë mediat kritike nisën ta quanin Karterin me pseudonimin “president kikiriku”. Ajo periudhë konsiderohej e artë per median në Shtetet e Bashkuara të Amerikes që ndihej e gjithëpushtetshme pasi i impononte administratës temat e ditës dhe qëndronte në epërsi ndaj klasën politike. Karteri mund të cilësohet si rasti emblematik i kavies mediatike. Afërmendsh shumë larg krahasimit me kryeministrin Edi Rama, jo për çështje gabimesh sesa për stilin e marrëdhenieve me ‘mure të larta’ me gazetarët apo edhe për rrethanat krejt të ndryshme socio-ekonomike në të cilat punon media shqiptare.

E megjithatë kryeministri yne u prezantua si kavie mediatike në mbrëmjen e fundivitit me gazetarët si dhe shprehu bindjen se do të vijoj të mbetet kavia kryesore e medias. Me doza të forta ironie kreu i qeverisë shtoi se do të priste me kërshëri që “media të zbulonte symbyllurazi të gjitha paramendimet dhe prapramendimet e tij…” Dhe nuk është çudi që media vërtet të hulumtojnë këtë qenie kryeministrore, duke mos pasur gjë tjetër më të mirë për të bërë. Çfarë mund të bëj një media tek e fundit kur gazetarët janë rob të një page të vonuar, punojnë në të zezë si skllevër të padeklaruar dhe në mungesë të një statusi a sindikate që të mbroj të drejtat e tyre, ata vihen në shërbim të interesave ideologjike dhe financiare. Në këto kushte hapsira e raportimit gazetaresk ngushtohet tek konferencat për shtyp, performancat skenike në foltoren e kuvendit si dhe tek sinjalet që palët politike u dërgojnë njëri-tjetrit në distancë. Sinjale që stërhollohen me pas në lexime e interpretime analistësh në studio, për t’u përgenjeshtruar brenda minutit më të vetmin argument që politikani e përdor kurdoherë për të dal nga bataku: MOHIMIN.

Është e zymtë të shikosh peisazhin mediatik në këtë mënyrë dhe të njëjtësosh punën e gazetarëve në një emërues të vetëm. Pavarësisht kushteve të sipërpërmendura ekzistojnë gazetarë të cilët sfidojnë komunikimin institucional dhe propagandën e ulët partiake, por ata nuk lejohen të lene gjurmë domethënëse pasi margjinalizohen ose për faktin se nuk merren me politikën- ushqimin e përditshem që shqiptarët zgjedhin të konsumojne, ose sepse lihen në periferi të informacionit qeveritar. Të jesh gazetar “rebel” në ditët e sotme nënkupton të ndëshkohesh duke t’u mohuar aksesi në qarqet ministrore. Rregulli i vënë në jetë nga këshilltari për mediat i kryeministrit britanik Tony Blair, Alastair Campbell në strategjinë e komunikimit qeveritar është që në të ashtuquajturat ‘informativ briefing’ të pranohen vetëm gazetarët e konsideruar miq. Dhe për një gazetar “të pallatit” sikurse do të shprehej italiani  Marcello Foa, humbja e kontakteve me burimet më të mira ministrore është më e keqja që atij mund t’i ndodhë. Burime të tilla janë gjeneruese të të ashtuquajturave scoop-e, ato që bejnë emrin e gazetarit në një shoqëri ku politika mbetet kryefjalë e ditës.

Dhe i rikthehemi pyetjes së parë: Çfarë i mbetet atëherë gazetarëve? Të merren me para dhe prapamendimet e kryeministrit, me detajet e vogla, batutat e ditës që shkaktojnë të qeshura, dhe leksionet e tij të retorikës stilistike në parlament. Të gjitha të kuruara nga një zyrë shtypi që vendos çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Por megjithëse show organizohet gjatë gjithë vitit nga këto Zyra, paradoksi shkon më tej kur edhe në fund të vitit, në takimin e rezervuar për gazetarët, pushteti u përkëdhel sedren duke u thene atyre se ndihet viktimë-kavie e eksperimenteve mediatike, prej sulmeve të personalizuara padretësisht në adresë të “tij”.  Nëse nuk do të kisha lexuar një hulumtim të fundit mbi raportin e medias me politikën tek nje portal akademik “The Quaterly Journal of Economics” do të kisha besuar se kjo do të qe një qejfmbetje e vërtetë për ndonjë artikull apo kronikë të caktuar, por jo. Në këtë studim ishte arritur të gjendej  një lidhje shkakësore mes shigjetimit të medias nga politika dhe rritjes së paragjykimit ndaj medias mbi vërtetësinë e informacionit të raportuar prej saj. Në abstraktin e studimit evidentohej pikërisht fakti se raportimet “e padeshiruara” në media nga politikanët nxisnin këta të fundit të bënin kritika publike me qëllim reduktimin e besueshmërisë kundrejt një mediumi të caktuar, duke ushqyer me tej atë që në terminologjinë gazetareske njihet si “paragjykim mediatik” . Ndaj dhe fjalimi i kryeministrit mund ishte vërtetë i denjë për një vaki ngushëlluese sikurse e përkufizuan me shpoti disa pjesëmarres në atë pritje, por viktima për të cilën ata ishin mbledhur në dallim nga ç’dukej dhe ç’u tha nuk ishte kreu i qeverisë apo qeveritarët subjekt i raportimeve mediatike, por vetë gazetarët, të cilët prej kohësh janë detyruar të bëjnë kompromisin duke tradhëtuar misionin për të cilin ky profesion është krijuar që në krye të herës: të jenë qeni roje i pushteti në dobi të interesave dhe nevojave të popullit!

10 komente në “Kur politika shitet për “kavie” mediatike”

  1. G.Karagjozi says:

    Zj. Nasto keni shkruar nje Artikull-Analize qe mund te ishte nje Leksion i pranushem ne nje Auditor Studentesh dhe keta te fundit te orientuar nga Gazetaria. Lexusit te thjeshte do interesonte shume me teper ne se Ju si Profesioniste do tì benit Autopsine Kryeministrit Rama. Per shembull do ishte e kapshme dhe asimilushme per lexusin n.q.s Ju do argumentonit domosdoshmerine e kontaktit Rama-Media;ose eshte RAMA nje shou Maister,Egocentrik,i vete kenaqur,Arogant,a eshte ai i kompletuar si Kryeminister dhe ku jane te metat e Tij.Keto dhe te tjera si keto i interesojne Lexusit te thjeshte,i cili ka nevoje te formohet dhe nepermjet Medias tì montohen edhe dy Sy te tjere qe te jete ne gjendje te vleresoje cfar eshte Pozitive apo Negative tek Kryeministri dhe Qeveria e tij. Populli duhet te mesohet,te mos i thoje
    kembes dore dhe te mos duartokase Kryeministrin edhe kur:” fut duart ne xhep apo kruan Hunden”…

  2. nina says:

    shqetesim qe qendron dhe qe e njohin gazetaret kudo ndodhen.nje nga gazetaret ruse humbi jeten per te perballur me te verteten udheheqesin e vendit te saj.

  3. miri says:

    Zonje artikulli shume i dobet.Populli do qe gazetari te dije ti beje pyetje referusit kushdo qofte ai.Po ju pyesa e pyeti ndonje gazetar Ramrn cfare parashikon reforma ne drejtesi per vendimet skandaloze te marra nga gjyqetare te pa pergjegjshem .A mund te beje ligje kremineli hajduti vrasesi qe te denoje ate ,.Si mund te jete reforma gjithe perfshirese me ata qe vodhen rrugen durres kukes vrane 26 ne gerdec vrane 4 vete me duar ne xhepa ne 2janar apo ata qe shiten detin c jane keta gazetare keta jane krimba qe zvarrisen

  4. Interesant says:

    Thelbi i shkrimit: një i shtirur si kavie përballë atyre që e mendojnë veten kaviefagë, po që në fakt janë vetë kaviet e vërteta. Mund të jetë edhe kështu; është thjesht një këndvështrim.

  5. miri says:

    Zonje artikulli shume i dobet.Populli do qe gazetari te dije ti beje pyetje referusit kushdo qofte ai.Po ju pyesa e pyeti ndonje gazetar Ramrn cfare parashikon reforma ne drejtesi per vendimet skandaloze te marra nga gjyqetare te pa pergjegjshem .A mund te beje ligje kremineli hajduti vrasesi qe te denoje ate ,.Si mund te jete reforma gjithe perfshirese me ata qe vodhen rrugen durres kukes vrane 26 ne gerdec vrane 4 vete me duar ne xhepa ne 2janar apo ata qe shiten detin c jane keta gazetare keta jane krimba qe zvarrisen Zoterij te redaksise botojeni komentin dhe pergjigjen per autoren .Nuk kini asnje opsion per te mos botuar

  6. mira says:

    E keqja vertet qendron tek politika qe shitet per “kavie” mediatike, por ka gjera edhe me te renda ne median shqiptare.
    Edhe sikur te gjendej nje gazetar i pasur qe te mos priste rrogen e vonuar per te mbajtur veten apo dhe familjen dhe te mos ishte i detyruar te blinte “kavien “politike, a do gjente vend ku te botonte shqetesimin e tij dhe te plotesonte “misionin per te cilin ky profesion eshte krijuar qe ne fillim te heres:te jene qeni roje i pushtetit ne interes te nevojave te popullit” dhe te vendit.

    Eshte vertet e shemtuar kur Mero Baze qe e ka provuar ne kurrizin e tij perndjekjen e pushtetit, mbylljen e bizneset apo demet dhe presionet kundrejt tij dhe familjes se tij,( per te cilen e kemi mbeshtetur, heroizuar) te beje te njejten gje me komentues qe ashtu si ai dukur thonin hapur me fjalor brenda etikes, pa frike ate qe mendojne? Cfare duhet te presim nga gazetare qe jane te punesuar dhe ushqehen me ate profesion nga keto media?
    Nderkohe komente te nivelit te rruges dhe jashte cdo etike lejohen, mos duhet te kuptojme qe ato komente jo vetem nuk i prishin pune “politikes qe drejton?!.. financon?!.. gazeten por i vjen per shtat qe niveli te jete pikerisht ky dhe jo ai qe ve gishtin ne plage?
    Akoma me e dhimbshme dhe turpshme eshte se te gjithe mediat jane njesoj.
    Ku eshte ndryshimi NE THELB i medias demokratikase me “Zerin e Popullit”, “Bashkimi” “Zeri i Rinise”? …

  7. eni says:

    per mua ky shkrim eshte 1 shuplak e fort kundra interesave te ngushta te politikes. Media eshte e kapur si cdo hallk e pushtetit ne ket vendin ton. Luajn politikanet me ne dhe nuk kursejn talljen e ironine ne fund. Mire na e bejn sa koh qe rrim e bejm sehir dhe nuk reagojm. Media pastaj tregon gjendjen ku eshte katandisur kjo shoqeria jon

  8. eva says:

    Nuk kuptoj se cfar lidhje ka ky problem me te nderurin president te SHBA. Karter.A ka kuptim ky krahasim.mendoj se nuk eshte pa qellim. Pse nuk e krahason me talentin e ralle,per te prishur shtet Sali Berishen. Kjo po do ishte dicka. e nevojshme. Lereni Kryeminstri trim te bej punen e tij te veshtire ne interes te popullit shqiptare.

  9. Ermonda says:

    Artikull me mend,rrofshin gazetare te tille

  10. klint says:

    Evis, te pergezoj per shkrimin plot argument, me referime konkrete, me fakte, e zeza mbi te bardhe. Mbi te gjitha me vertetesi. Ku ka me mire se vertetesia. Dhe ku ka me mire se sa te gjesh nje artikull pa tia vlesh ta lexosh, ti perkushtohesh, ashtu sic ti bashke me ata pak gazetare te mirefillte dhe qe ne amerike quhen “allarounded”, qe dine fare mire se cfare eshte e drejte per tu thene, i perkushtohen gazetarise se paster, pa lajka, pa shpifje. Te faleminderit dhe suksese!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje