Shqipëria do të luajë për herë të parë në një Europian, por ka zhvilluar gjithsej 27 ndeshje me kundërshtarët e Grupi A, Francën, Rumaninë dhe Zvicrën. Në 18 përballje të vlefshme për kualifikueset e Europianit dhe Botërorit, kuqezinjtë nuk kanë fituar asnjëherë.
Në faqen e saj zyrtare, UEFA i ka kushtuar rëndësi statistikave të Kombëtares sonë përballë kundërshtarëve me të cilët do të luajmë në qershor në Francë.
Shqipëri – Zvicër (11 qershor, ora: 15:00, Lens)
Në përballjet për kualifikueset e Europianit, Shqipëria ka luajtur dy herë me Zvicrën duke arritur një barazim dhe duke humbur një herë. Ndërsa për kualifikueset e Botërorit, me Zvicrën jemi ndeshur katër herë dhe i kemi humbur të katërtat. Shqipëria nuk ka zhvilluar asnjë miqësore me Zvicrën.
– Zvicra nuk ka humbur në asnjërën prej gjashtë ndeshjeve të zhvilluara me Shqipërinë, duke fituar pesë. Përballja e fundit mes Zvicrës dhe Shqipërisë u luajt për kualifikueset e Botërorit. Shqipëria humbi 2-0 në Luzern dhe 1-2 në Tiranë. Xherdan Shaqiri, që është me origjinë shqiptare, shënoi në të dy ndeshjet.
– Disa prej lojtarëve të Shqipërisë luajnë për skuadrat helvetike, duke përfshirë tre tek kampionët e Bazelit (Shkëlzen Gashi, Taulant Xhaka dhe Naser Aliji) dhe tre te Zyrihu (Berat Gjimshiti, Burim Kukeli dhe Armando Sadiku).
– Taulant Xhaka, që ka lindur në Zvicër, zgjodhi që të luajë me Shqipërinë, ndërsa vëllai më i vogël, Graniti, për Zvicrën.
Shqipëri – Francë (15 qershor, ora: 21:00, Marsej)
Shqipëria është përballur 6 herë me Francën, në katër raste për kualifikueset e Europianit, ndërsa dy të tjera janë miqësore. Përderisa për kualifikuese nuk kemi fituar asnjëherë, duke i humbur të gjitha, në dy miqësoret e fundit kuqezinjtë kanë rezultat pozitiv, duke fituar një ndeshje dhe një duke barazuar.
– Shqipëria barazoi 1-1 në Renes para se të fitonte përballjen e dytë në Elbasan 1-0 falë golit të Ergys Kaçes në sfidat që llogariten si miqësore në kualifikueset e fundit të EURO 2016.
– Franca ka fituar të katër takimet e fundit të vlefshme për kualifikueset e Europainit me një goldallim +10.
– Fitorja më e thellë e Francës ndaj Shqipërisë u regjistrua në kualifikueset për EURO 1992, ku “gjelat” triumfuan 5-0 me Franck Sauzee dhe Jean-Pierre Papin që shënuan të dy dopietë.
– Kapiteni dhe lojtari me më së shumti paraqitje me fanellën e Kombëtares, Lorik Cana luan në kampionatin francez te Nantes, bashkë me një tjetër kuqezi, Ermir Lenjani.
Shqipëri – Rumania (19 qershor, ora: 21:00, Lens)
Shqipëria dhe Rumania janë përballur mes vete në 17 raste, 6 herë për kualifikueset e Europianit, dy për ato të Botërorit dhe kanë zhvilluar 9 miqësore.
– Shqipëria ende nuk e ka mposhtur Rumaninë në një ndeshje për kualifikueset e Europianit ose Botërorit, ku në 8 përballje kanë barazuar vetëm dy herë.
– Përballja e fundit mes Shqipërisë dhe Rumanisë u luajt në maj të vitit 2014 kur mbrojtësi i krahut të majtë, Razvan Rat, shënoi golin e vetëm dhe të fitores për Rumaninë në atë sfidë të zhvilluar në Zvicër./TCh
E ku pyesim ne per statistikat ?
-Ne I thyem statistikat me ndeshjen ne Armeni. Nuk kishim fituar ndonjehere ne transferte aq lehte dhe aq thelle , por fituam. As me luksemburgun dhe Lihtenshtejnin nuk e kishim bere dot kete , por ja qe e beme.
-Sic ka thene I madhi Gani , Franca duhet te kete frike nga ne se “.. mund ta pesoje si Brazili ne boteror…”. Se ne Frances I kemi marre 4 pike … ne miqesore.Asnje skuader tjeter nuk e ka bere kete. Keshtu qe Francen e kemi buke me djathe per mengjes.
-Sa per Zvicren , ne nuk pyesim per statistikat. Brenda Zvicres kemi 6 lojtare shqiptare. Keshtu qe do ta marrim kalane nga brenda , sepse ata lojtare do te luajne ne favorin tone. Ky do te jete nje akt patriotik , qe e kemi pare edhe ne filmat patriotike me Ismail Qemalin.
– Edhe per Rumanine nuk vlejne statistikat. Aty do perdorim ndonje strategji sekrete qe vetem Ganiu e di. Por I kemi disa te dhena. Para ndeshjes miqesore me Gjeorgjine , xha Ganiu tha se do te bente disa eksperimente. Ne fund te ndeshjes e kuptuam se kush ishte eksperimenti : E leme kundershtarin te shenoje 2-3 gola , dhe ne fund pasi e kemi vene ne gjume bejme permbysjen e madhe. Me Gjeorgjine per pak se nuk e realizuam , por dolem vetem barazim , megjithate duke kujtuar se Gjeorgjia eshte vendi I 10 ne bote ( nga fundi ) , atehere mund te themi se me Rumanine do ia dalim plotesisht.
Flini te qete o njerez dhe mos u merrni me statistikat e UEFA-s , daljen nga grupi as nuk e diskutojme fare.
Po te ishte per statistikat, edhe Zvicra nuk do ishte e konsiderueshme pasi futbolli ne kete vend eshte ngritur shume ne 20 vitet e fundit