Alban Meha nuk rresht së marri vlerësime në Turqi. “Bombarduesi”, i pagëzuari kështu nga mediat e këtij vendi, mesfushori mitrovicas, është përfshirë në formacionin më të mirë të gjysmës së parë të sezonit në Superligën Turke, krahas emrave të tillë si Nani, Topal, Gomez dhe Eto. Specialistët e marrë me këtë “seleksionim”, të ngarkuar nga Federata Turke e Futbollit, kanë përftuar një 11-she më të mirë në bazë të skemës 4-4-2. Lojtari i kombëtares sonë figuron si mesfushori i majtë më i mirë.
“Alban Meha është transferuar nga fillimi i sezonit te klubi i Konyasporit, i ardhur nga Paderborni (Gjermani). Ai zbuloi në gjysmën e parë të sezonit potencialin e madh që ka, duke fituar admirimin e të gjithëve me futbollin që ka luajtur,” – shkruan gazeta e qytetit me të njëjtin emër si klubi ku luan shqiptari. Ky vlerësim vjen pak ditë pasi mitrovicasi u përfshi në formacionin perfekt të lojtarëve të afruar gjatë merkatos së verës në Turqi, sipas Goal.com (version turk).
Golat dhe pasimet për gol (asistet) e veçuan atë nga lojtarët e tjerë të ekipit. Meha është i dyti për asistet në Turqi, me 5 të tilla. Më mirë se ai, me 1 asist më shumë, është holandezi Wesley Sneijder. Po ashtu, lojtari në fjalë është përfshirë nga FIFA edhe në “Top 10” ekzekutuesit më të mirë në botë të goditjeve të lira. Superliga Turke është përforcuar në sezonet e fundit me shumë lojtarë cilësorë. Në këtë kampionat, përveç Alban Mehës, luan edhe Sokol Cikalleshi, me Instanbul Basaksehir. Meha nuk e luajti ndeshjen e fundit të vitit që shkoi, për shkak se pati një lëndim të lehtë.
Ai e ka kaluar atë dhe prej datës 4 janar ndodhet në Antalia, duke u stërvitur së bashku me skuadrën e tij. Synimi është i qartë: të mbetet “violinë e parë” te Konyaspori dhe në Turqi, duke folur me vepra e jo me fjalë, duke e çarmatosur në të gjitha drejtimet Xhani Der Biazin, për ta marrë me kombëtaren në finalet e “Euro 2016”. Kuptohet, nëse 59-vjeçari nga Sarmede i qëndron deklaratës së tij, se do të përzgjedhë lojtarët me më shumë minuta aktivizim në klubet ku luajnë, paraqitjen e tyre atje, jo të tjerë që janë gati të paguajnë./ Telesport
Hysaj ka dale 4 here ne formacion e javes ne itali. Ju nuk e keni permend hic