Etrit Berisha do më shumë hapësirë, ja pesë klubet që e kërkojnë

16 Janar 2016, 14:13Sport TEMA

Portieri i kombëtares së Shqipërisë ka pikë mesatare më të larta se ajo e zëvendësuesit (rol që mban te Lazio), por hapësirat e kufizuara kushtëzojnë në fund të fundit të ardhmen e tij. Klubi lacial po përshpejton kujdesin për Lovre Kaliniq. Nga ana e vet, kroatët e Hajdukut nuk kanë ndërmend të shkojnë poshtë kërkesës prej 3.5 milionë eurosh, por drejtori sportiv, Igli Tare, është ende i mbërthyer në shifrën 2.5 milionë euro. Edhe kundër Bolonjës, Etrit Berisha do të jetë titullar.

Shqiptari do të mbrojë për të katërtën herë radhazi portën e Lacios, meqë Marchetti është i lënduar që në sfidën kundër Sampdorias. Pronar i portës bardhekaltër është Marchetti, Berisha zëvendësi i tij. Cilësia e Marchetti është jashtë diskutimit. Ai është portieri me mbështetjen më të madhe te Lazio, përveç të qënit një lider në dhomat e zhveshjes. Por, kur luan Berisha, bardhekaltrit janë shumë më mirë. Numrat thonë që, nëse lexohet me ftohtësi, ka një ndryshim të dukshëm në performancën e Lazios.

Në 16 ndeshje të luajtura nga Marchetti në sezon, kryeqytetasit kanë patur një mesatare prej 1.13 pikë për lojë dhe kanë pësuar 22 gola (1.38 për ndeshje), me një total prej 8 humbjesh, 3 barazimesh dhe 5 fitoresh. Kur ka luajtur me Berishën në portë, 15 sfida në përgjithësi, skuadra e Piolit ka përparuar me 2.20 pikë për ndeshje dhe ka pësuar 17 gola (1.13 për ndeshje), me një bilanc të përgjithshëm prej 10 fitoresh, 3 barazimesh dhe vetëm 2 humbjesh. Sigurisht, duke analizuar numrat, del në përfundimin e pashmangshëm se portieri i kombëtares së Shqipërisë duhet të jetë më i inkurajuar nga kontekste të ndryshme.

Berisha ka luajtur pothuajse në të gjitha ndeshjet e Ligës së Europës, ku konkurrenca është gjithmonë e madhe dhe Lazio tregoi versionin e vet më të bukur. Në kampionat, ndryshe nga Marchetti, i cili e gjen veten duke mbrojtur portën në kohën më të keqe të Lazios, shqiptari po luan javët e fundit, që kanë të bëjnë me “ringjalljen” e ekipit të Piolit. Kjo nuk do të thotë, megjithatë, se numri një i kombëtares së Shqipërisë është një portier i besueshëm dhe me cilësi të padyshimta.

Me pritjet e tij në ekipin kombëtar u quajt edhe “heroi i Atdheut” nga Kryeministri Edi Rama, pas kualifikimit historik në Kampionatin Europian. Pikërisht, në funksion të kësaj, Berisha do të donte të kishte më shumë hapësirë. Në këtë kuptim, rinovimi i freskët i kontratës së Marchettit nuk është një shenjë e mirë për të. Kjo është arsyeja pse ish-portieri i Kalmarit po shqyrton mundësinë e lëvizjes diku tjetër. Ai e kupton qartë, gjithashtu, se operacioni për të arritur te Lovre Kaliniq, portieri i Hajdukut, bëhet për të gjetur zëvendësuesin e Marchetit.

Fillimisht, ideja e drejtorit sportiv, Igli Tare, ishte për ta mbajtur atë në Romë deri në fund të sezonit, por nevojat e Berishës po e shtyjnë menaxherin të provojë sistemimin e shqiptarit në këtë merkato janari. Në lojë është kombëtarja e Shqipërisë, që kërkon një portier me aktivizim të plotë, ndaj Berisha mund të gjejë strehim diku tjetër. Informacionet janë se e kërkon Verona, Chievo, Bruges, Panathinaikos dhe Granada./Telesport

1 komente në “Etrit Berisha do më shumë hapësirë, ja pesë klubet që e kërkojnë”

  1. Berisha duhet te largohet nga Lacio per te patur me teper aktivizim ne skuader tjeter.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje