Tre të rinjtë, Gazmend Dervishi, Bruno Shehu dhe Dritan Nikolli, të cilët u arrestuan pak ditë më parë se dyshohet që do të kryenin një vrasje në Shijak, nuk i kanë pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Durrësit.
Para trupit gjykues, i cili përfaqësohej nga gjyqtarja Anita Mici, mësohet se tre të arrestuarit i kanë hedhur poshtë pretendimet e prokurorisë, duke u shprehur se nuk kishin për qëllim të vrisnin asnjë person dhe pistoleta që iu gjet në automjet nuk ishte funksionale. Ata kanë pohuar gjithashtu se armët i mbanin për vetëmbrojtje dhe nuk kishin synime të tjera.
Masa e sigurisë në ngarkim të tre shtetasve u krye me dyer të mbyllura, me kërkesë të prokurores, e cila nuk donte të cenonte hetimin. Duke marrë parasysh faktin se konsiderohen persona me rrezikshmëri të lartë dhe duke u përpjekur për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme nga shënjestra e atentatit që ata kishin për qëllim të kryenin, policia kishte angazhuar forca të shumta për të kryer transportin nga paraburgimi deri në gjykatë.
Përgjimi
Organi i akuzës do të kërkojë prova të tjera për të vërtetuar akuzat e ngritura për tre të arrestuarit, të cilët akuzohen për vrasje të mbetur në tentative dhe armëmbajtje pa leje. Përgjimet me anë të metodave speciale të hetimit janë provat e grumbulluara deri më tani nga agjentët e grupit hetimor.
Pas vrasjes së dy të rinjve te “Torra Veneciane” dhe rrëmbimit të Gazmend Collakut, policia dhe prokuroria po mbanin nën vëzhgim persona të përfshirë në rrjete kriminale, mes tyre edhe tre të arrestuarit. Gjatë mbajtjes nën përgjim, sipas policisë, tre të arrestuarit kanë diskutuar dhe planifikuar për vrasjen e një shtetasi në Shijak, raporton Panorama.
Nga hetimet rezulton se në dijeni të ekzekutimit të objektivit ishin edhe persona të tjerë, të cilët kanë dhënë urdhrin për të kryer vrasjen. Sipas grupit hetimor, personi që ka urdhëruar vrasjen dhe objektivi kishin përplasje të hershme me njëritjetrin, për shkak të influencës së zonave të trafikut të lëndëve narkotike në Holandë e Spanjë. Ndërsa nga ana e familjarëve të të arrestuarve akuzat hidhen poshtë, duke thënë se emrat që po përmenden po i fusin në hasmëri pa shkak.
Nuk ka komente.Eshte e kuptushme se nuk i lexon njeri,sepse permbajtja nuk nderthuret aspak me titullin….