Siguria publike/ Tahiri: Subjektet, të detyruara të vendosin kamera

25 Janar 2016, 11:15Kronika TEMA

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka prezantuar në komisionin parlamentar të sigurisë kombëtare projektligjin për sigurinë publike.

Sipas Tahirit, projektligji për sigurinë publike garanton masa parandaluese për krimin.

Projektligji gjithashtu, detyron bizneset dhe subjektet e tjera të marrin masa sigurie për ambientet e tyre, siç është edhe vendosja e kamerave, por edhe polici private.

Përmes këtij ligji, Ministria e Brendshme synon të rrisë efektivitetin në parandalimin e veprave të ndryshme penale dhe një pikë e rëndësishme në këtë pjesë janë kamerat e sigurisë si një detyrim për ambientet e parashikuara në këtë projektligj.

Argumentet e Tahirit

Kemi biseduar shpesh mbi masat që marrin e duhet të marrin institucionet në tërësi për të garantuar sigurinë e jetës, shëndetit e pronës. Ne shpesh kemi mbrojtur bindjen se përpjekja për ta bërë vendin më të sigurt nuk është kurrë një sipërmarrje ekskluzive e Policisë së Shtetit. Ashtu siç gjithmonë kemi theksuar se gabimisht drejtohet gishti tek Policia e Shtetit, sa herë ka një ngjarje që cenon shëndetin, jetën apo biznesin e qytetarëve, veçanërisht në rastet kur përgjegjësia për ta bërë vendin më të sigurt është shumëdimensionale.

Ky ligj shërben si gur themeli për të garantuar përgjegjësinë solidare të e gjithë aktorëve në një shoqëri (qofshin institucione publike apo sipërmarrës privatë, biznese apo qytetarë), duke bashkuar forcat dhe energjitë për sigurinë e përbashkët. E nga ana tjetër shërben për të parandaluar faktorët nxitës  të informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit.

Ju marr një shembull, para disa kohësh, në Fier në mos gaboj, një qytetari që punonte si kambist iu grabit një shumë lekësh në rrugë. Është shembulli ekzemplar për të kuptuar se si marrja e measave paraprake të sigurisë mund të shmangte një ngjarje kriminale. Do të thotë: nëse ky person do të bënte një transfertë bankare të parave nuk do të kishte ngjarje kriminale, por nëse merr 100 milion lekë me vete dhe shkon nga Tirana në Fier sigurisht që ekspozohet ndaj rrezikut.  Ky është një shembull për të treguar se si marrja e masave paraprake ndihmon në garantimin e sigurisë së jetës, shëndetit dhe pronës së qytetarëve.

Në këtë kuadër, ky ligj shtron bazat për të garantuar më shumë siguri për qytetarët e bizneset, duke ndarë përgjegjësinë për ato masa paraprake sigurie që kërkohen nga qytetarët dhe biznesi respektivisht. Janë disa kategoritë e subjekteve që, mbi bazën e këtij ligji, brenda një afati të caktuar të arsyeshëm kohor, detyrohen të marrin masa shtesë sigurie. Këto kategori  bazohen

–          mbi temperaturën e kriminalitetit në vend;

–          mbi shpërndarjen gjeografike të tij;

–          mbi analizën e elementit kriminal që bën Policia e Shtetit;

–          mbi natyrën e vetë aktivitetit tregtar që ushtron një njësi biznesi;

–          mbi orarin kur zhvillojnë aktivitetin dhe një sërë kriteresh të tjera që përfshihen në mënyrë konkrete në ligj.

Supozojmë: detyrohen të marrin masa shtesë sigurie subjektet që e kanë selinë ose mjediset e punës apo e ushtrojnë aktivitetin tregtar në vende të ekspozuara ndaj rrezikut të shtuar për sigurinë, sipas vlerësimit të analizës që bën Policia e Shtetit:

–          subjektet që kanë mbi 50 punonjës apo frekuentues në të njëjtën kohë dhe që janë të ekspozuar ndaj rrezikut;

–          subjektet që ushtrojnë aktivitetin tregtar gjatë natës, nga ora 23:00 deri në 6:00 të mëngjesit.;

–          subjektet që merren me transportin e lëndëve të rrezikshme apo me transportin publik;

–          subjekte që kanë aktivitet ekonomik ose xhiro financiare që i kalon 10 milion lekë të reja;

–          subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në lojërat e fatit;

–          dhe një sërë subjektesh të tjera, veçanërisht subjektet që administrojnë mjedise të hapura ose të mbyllura për fëmijë (si shkolla, kopshte apo këndë lojërash).

E gjithë kjo gamë subjektesh, në vlerësimin tonë, duhet të ketë më shumë vëmendje jo vetëm nga shteti por edhe nga sipërmarrësit apo vetë qytetarët, për të garantuar siguri apo masa paraprake sigurie në ushtrimin e aktivitetit të tyre. Projektligji përcakton llojet e masave të sigurisë.

Pavarësisht se në publik më shumë zhurmë ka bërë çështja e kamerave të sigurisë, ligji nuk trajton vetëm ato. Kamerat e sigurisë janë një ndër elementët për sigurinë e shtuar publike, por ligji ka edhe elemente të tjerë si kontraktimi i një policie private, aplikimi i mjeteve teknologjike për të garantuar më shumë siguri dhe një sërë elementesh të tjerë në mënyrë që puna e Policisë të jetë më e lehtë dhe policia, institucionet në tërësi, qytetarët dhe biznesi të bashkëpunojnë siç ndodh në çdo vend të botës, për t’i bërë qytetet, komunitetet dhe jetën e qytetarëve më të sigurt.

Ky ligj shton në themel elementët bazë për të pasur një jetë më të sigurt në vendin tonë. Unë ju thashë një rast, por ka plot ngjarje të tjera kriminale të cilat mund të ishin evituar në rast se gjithçka do të kishte funksionuar siç duhej e do ishin marrë masa paraprake.

Ky ligj shtron bazën për këto që sapo unë thashë. Sigurisht ka shumë për të bërë pasi ne besojmë se nuk mjafton vetëm Policia për ta bërë Shqipërinë më të sigurt. Për këtë ne besojmë se duhet kontributi qytetar, i shoqërisë, i biznesit. Policia është në punë dhe në kapacitetin maksimal të saj dhe është kjo arsyeja se pse në vitin 2015 ne kemi numrin më të vogël të vrasjeve në historinë e shtetit Shqiptar. Është kjo arsyeja se pse kemi numrin më të vogël të veprave penale, është kjo arsyeja që ne kemi rezultatet më të mira të Policisë së Shtetit. Por për të shkuar akoma më tutje duhet bashkëpunimi i të gjithë aktorëve: i qytetarit, autoriteteve vendore, institucioneve (qofshin të zgjedhura siç është pushteti vendor apo qëndrore) të cilat kanë kontribut themelor në garantimin e sigurisë për jetën dhe shëndetin e qytetarit dhe të pronës gjithashtu.

Unë mbetem i hapur për pyetje. Ky është një ligj i domosdoshëm për kushtet e reja të zhvillimit të shoqërisë. Është një projektligj i vonuar, pasi vendet e tjera kanë praktika të konsoliduara të ndarjes së përgjegjësisë për të garantuar siguri ndërmjet  individit dhe institucioneve. Në kuadër të luftës ndaj terrorizmit, masat e sigurisë janë themelore për ta bërë jetën më të sigurt dhe për të shtuar premisat për parandalimin e paligjshmërisë dhe kriminalitetit.

Ngjarje kriminale do ketë sa të ketë njerëz në këtë botë. E rëndësishme është që parandalimi nga njëra anë dhe drejtësia apo përmasa ndëshkuese në ngjarjet kriminale nga ana tjetër, të jenë aty dhe të funksionojnë siç duhet, për ta bërë jetën e qytetarit  dhe komunitetit më të sigurt.

2 komente në “Siguria publike/ Tahiri: Subjektet, të detyruara të vendosin kamera”

  1. sabri rrapo says:

    po keta te rinjte qe rrine nate e dite ne pub, te armatosur me thika e pistoleta i kontrollon njeri, me detektor apo me sy?

  2. A says:

    Qeveria aktuale e EDI RAMES nuk don te beje asgje. Vetem te rrite taksat dhe cmimet dhe deri tani nuk ka hapur nje vend pune. Ne nje kohe qe pat premtuar qe nder kater vjet ne qeveri do te hapi 300’000 vende pune. Qeverive te tilla qe nuk bejne asgje dhe qe jetojne ne kurriz te popullit quhen kerpurdha parazite dhe qeveri dembele.
    Duke qene se nuk eshte e zonja te beje asgje, deri edhe punet e vehta si p.sh. ruajtjen e rendit dhe qetesise publike, ku per dite dhe per nate, vriten, priten, vjedhje, grabitje e kercenime, tani kerkon t’ja faturoje shume shpenzime privatit duke marre deri polici private qe te ruhet, bile duke vendosur kamera me detyrim me ligje.
    Pra, kamerat dhe policine po i vendosim vete, atehere del se cfare na duhet policia e shtetit dhe sherbimet sekrete.
    Ore debil SAIMIR TAHIRI, minister i thencin i rendit dhe mbredshem, ke ndermemd te punojsh dhe te vendosish situaten nen kontroll, jo vetem fjale, pallavra dhe brockulla.
    Deri tani kjo palo “RILINDJE”, kjo palo “PS”, keto palo “EDI RAMA” + “SAIMIR TAHIRI”, kuptohet me rendin dhe qetesine keni ndermend te beni ndonje gje.
    Tani i bie qe 4(KATER) familjet qe u vrane pjesetaret e familjeve te 21 JANARIT te ngrejne dhe te paguajne nga xhepi POLICI PRIVATE, ZBULUESE dhe SEKRETE sepse ju deri tani nuk keni bere asgje, vetem premtime boshe.
    Edhe njehere ore EDI RAMA dhe SAIMIR TAHIRI pervishuni punes dhe pervishni krahet se nuk kemi nevoje mendimet dhe llafet e juaja pa bereqet. Ikni more derdimen. Se deri tani nuk keni zgjidhur asgje. Yt llafolog te ndyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje