Qeveria hap tenderin për hidrocentralin e Poçemit

3 Shkurt 2016, 19:58Politika TEMA

Nga Gjergj Erebara

Një njoftim pak rreshta i gjatë i publikuar në faqen në internet të Agjencisë së Prokurimit Publik më 1 shkurt, Ministria e Energjisë shpalli hapjen e tenderit për koncesionin e hidrocentralit “Poçem”, duke njoftuar se palët e interesuara kanë kohë deri më datë 17 mars të këtij viti për të dorëzuar ofertat e tyre. Sipas njoftimit të APP-së, hidrocentrali i Poçemit do të jetë në kuotën maksimale 70 metra mbi nivelin e detit ndërsa qeveria nuk ka publikuar deri më sot asnjë të dhënë tjetër teknike.

Qeveria pati marrë vendim në 29 korrik 2015 për të pranuar një koncesion të pakërkuar nga kompania Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi, duke i akorduar asaj 8 pikë bonus në tenderin që pritet të zhvillohet tani.

Pranimi i propozimit për koncesion të pakërkuar ka vlerë të dyshimtë ligjore për shkak se kjo formë koncesioni përdoret për asete të cilat qeveria nuk është e vetëdijshme që ekzistojnë ndërsa për hidrocentralin Poçem, qeveria shqiptare ka qenë e vetëdijshme për mundësinë që nga vitet 1970, kur u hartuan edhe planet e para. Në një rast të tillë, formula e koncesionit që duhej të përdorej është ajo e tenderit për koncesion të kërkuar nga qeveria, ku asnjë kompani nuk ka bonus.

Hidrocentrali i vjetër

Qeveria aktuale ka zbatuar standardet më të ulëta të transparencës në dekadën e fundit, pasi qeveria socialiste 2003-2005 si dhe ajo e Partisë Demokratike 2005-2013, së paku në rastin e dhënies së koncesioneve për hidrocentrale kanë publikuar minimalisht të dhënat bazë të hidrocentralit, përfshirë masën e pritshme të investimit dhe fuqinë e instaluar. Asnjë informacion i tillë nuk është dhënë nga qeveria aktuale as në rastin e hidrocentralit të Poçemit, ashtu edhe në rastin e hidrocentralit Katund i Ri.

Skema e vjetër e planit për shfrytëzimin e Vjosës për energji elektrike.

Gjithsesi, hidrocentrali i Poçemit është pjesë e një projekti të vjetër që synonte të shfrytëzonte kaskadën e lumit Vjosa për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Në projektin fillestar, hidrocentrali i Poçemit do të shfrytëzonte forcën rënëse të ujit nga niveli 65 metra mbi det në nivelin 42 metra mbi det ndërsa në shpalljen e koncesionit, kuota maksimale e shfrytëzimit raportohet të jetë 70 metra mbi nivelin e detit. Projekti fillestar i HEC Poçem parashikonte fuqi të instaluar prej 50 MW dhe prodhim vjetor prej 200 milionë kWh.

Nëse projekti i ri do të ruajë të njëjtat parametra, ky hidrocentral do të realizojë një prodhim të barabartë me rreth 4 për qind të prodhimit mesatar vjetor të Shqipërisë prej 4.5 miliardë kWh.

Kaskada e Vjosës sipas projektit të hartuar në kohën e komunizmit, lejon ndërtimin e nëntë hidrocentraleve nga kufiri 350 metra mbi nivelin e detit ku Vjosa hyn në territorin e Shqipërisë deri në kuotën 9 metra mbi det pranë Selenicës në rajonin e Vlorës.

Shqetësime mjedisore

Ndërsa Vjosa është lumi i fundit i madh i pashfrytëzuar për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri dhe ka potencial për të prodhuar rreth 2 miliardë kWh energji elektrike, e barazvlefshme me 44 për qind të prodhimit aktual, gjatë viteve të fundit janë ngritur shqetësime serioze për pasojat mjedisore që mund të ketë ndërtimi i këtyre hidrocentraleve. [Fotogaleri, Rafting]

Një organizatë mjedisore ndërkombëtare e njohur si River Watch ka bërë thirrje që Shqipëria të anulojë planet për ndërtim hidrocentralesh dhe të shpallë Vjosën park kombëtar të mbrojtur duke shfrytëzuar lumin për ekoturizëm.

Një grup aktivistësh mjedisorë shqiptarë prej kohësh kanë organizuar protesta kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Kryeministri Edi Rama pati premtuar para banorëve të zonës se do të ndalonte ndërtimin e tyre, por vendimi për dhënien e bonusit të koncesionit erdhi vetëm pak javë pas këtij premtimi.

7 komente në “Qeveria hap tenderin për hidrocentralin e Poçemit”

  1. maximus says:

    pa e shkateruar gjithe shqiperine, nuk ikin bastardet, si te ps-se ashtu edhe te pd-se, sa per djeni lumi vjosa eshte i vetmi lume ne europe qe deri tani rjedh ne rrjedhen e saj natyrore pa asnje pengese, shkateroheni edhe kete lume o bastardet e shqiperise, se edhe ky ka ngelur pa u vene dore.

  2. Ing.Raso says:

    Kush është kjo kompani? një tjetër ‘kompania kamion’? A ka parë ndonjë pushtet fabrikë hidro se permasa? Ose në një tjetër skandal Ministri i Ekonomisë?

  3. Di says:

    Duhet reagim qytetar si ne rastin e armeve kimike. Po na vjedhin e po na shkaterrojne komplet.

  4. Iliria says:

    nuk e kuptoj perse vetem firma turke, po firmat europiane ku jane?

  5. IFC says:

    A theksohet qe ne skemen e kaskades te Vjoses nuk do te kete permbytje per ndertimin e digave dhe sa eshte kostoja e tyre? kush e merr persiper shlyerjen e kesaj kostoje? Shteti apo privati? Nese e merr shteti atehere do te kemi nje BEG te dyte, pas HEC Kalivacit. Kjo do te thote qe skemat e meparshme para ’90 (Instituti) dhe SOGREAH bien dhe jane te pazbatueshme realisht. Duhet nje zgjidhje reale te kaskades qe te mos kete permbytje, te sistemoj lumin dhe te jete vend punesimi per banoret e tij.

    Projekte dhe studime te tilla (sic paraqitet ne figure dhe ne studimin e SOGREAH) kane efekte shkateruese per mjedisin (biodiversitetin) dhe te njejten efekt si burimet fosile, per mos te thene me keq akoma. Cudi se si mund te pranohen te ndertohen diga te larta ne terrene karstike.

    Vjosa ka vetem nje konfigurim: tipin runoff dhe kjo nuk eshte e panjohur. Per rrjedhoje edhe propozimi turk i pakerkuar eshte vecse nje plagjiature

  6. IFC says:

    A theksohet qe ne skemen e kaskades te Vjoses nuk do te kete permbytje per ndertimin e digave dhe sa eshte kostoja e tyre? kush e merr persiper shlyerjen e kesaj kostoje? Shteti apo privati? Nese e merr shteti atehere do te kemi nje BEG te dyte, pas HEC Kalivacit. Kjo do te thote qe skemat e meparshme para ’90 (Instituti) dhe SOGREAH bien dhe jane te pazbatueshme realisht. Duhet nje zgjidhje reale te kaskades qe te mos kete permbytje, te sistemoj lumin dhe te jete vend punesimi per banoret e tij. Projekte dhe studime te tilla (sic paraqitet ne figure dhe ne studimin e SOGREAH) kane efekte shkateruese per mjedisin (biodiversitetin) dhe te njejten efekt si burimet fosile, per mos te thene me keq akoma. Cudi se si mund te pranohen te ndertohen diga te larta ne terrene karstike. Vjosa ka vetem nje konfigurim: tipin runoff dhe kjo nuk eshte e panjohur. Per rrjedhoje edhe propozimi turk i pakerkuar eshte vecse nje plagjiature.

  7. Eshte i vetmi lume ne rrjedhen e tij por jo vetem kaq eshte edhe i vetmi lume qe vjen kristal si nga Greqia ashtu edhe vazhdimin ne Shqiperi.
    A e dini pse ? Sepse per fat te mire nuk rrjedh ne trojet Kosovare si Drini ku hedhin mbeturinat dhe eshte katandisur ne nje SOS ekologjik.
    Kulture tipike orientale, turkoshake, gati IS.
    Me vjen keq qe e them por faktet jane fakte dhe flasin vete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje