Beteja mes dy fiseve Çapja dhe Mema ka përfshirë edhe persona të tjerë në historinë e tyre të hakmarrjes.
Një prej tyre është edhe Gentian Beqiri.
Ai u vra në vitin 2012 në gjumë, edhe pse ruhej nga dy policë, duke qenë se ndodhej nën masën e “arrestit shtëpiak”.
Beqiri akuzohej nga fisi Çapja, se kishte marrë pjesë në vrasjen e Sokol Çapjas.
“Ma vranë djalin në gjumë, do të marr hak”.
Kështu ulërinte Hajrie Beqiri, atë mëngjes gushti të katër viteve më parë, kur vrasësit e ruajtën gruan e moshuar deri sa doli nga shtëpia.
Ajo shkonte përditë në treg, blinte ndonjë gjë dhe i gatuante të birit që i kishte dalë në “arrest shtëpie” dhe që ruhej edhe me policë në hyrje të pallatit.
Vrasësit hynë në familjen Beqiri, vranë Gentianin në gjumë dhe më pas dhunuan edhe të atin.
Genti ndërroi jetë në banesë, ndërsa babai i tij, një orë më vonë vdes në spital.
E njëjta gjendje ankthi si mbrëmjen e djeshme e pushtoi vendin edhe nga ajo ngjarje, por policia u mjaftua me arrestimin e dy policëve dhe më pas me akuzat se vrasjen e kishte organizuar dhe kryer në bashkëpunim Florenc Çapja, nipi i Sokol Çapjas, i cili ishte ekzekutuar në vitin 2005 në Elbasan.
Vrasja
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit.
Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.
Viktima, 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.
Pak para se të ndodhte krimi, nëna e viktimës ka dalë për të bërë pazar. Ka qenë pikërisht ky moment i shfrytëzuar nga autorët, të cilët duket se kishin menduar mjaft mirë edhe dialogun që do të bënin me policinë, në mënyrë që të arrinin të futeshin pa telashe në banesën e shënjestrës së tyre.
Fillimisht ata janë përballur me efektivin që ruante te porta hyrëse e pallatit. Por ata kanë arritur të ngjisin shkallët pa asnjë problem. Duket që polici ka menduar se dy personat e panjohur ishin mysafirë të ndonjë fqinji të personit që kishte nën ruajte.
Më tej, kur janë ngjitur në katin e pestë janë përballur me policin e dytë. Ata kanë nisur të flasin shumë miqësisht me të duke iu prezantuar si djem të tezes së Gentian Beqirit.
Njëri nga autorët ka pyetur policin roje nëse ishte “tezja” në shtëpi, teksa i ka bërë me shenjë që bëhej fjalë për hyrjen ku banonte familja Beqiri. Por ai u ka thënë dy të panjohurve se e zonja e shtëpisë sapo kishte dalë në treg për të bërë pazarë.
Në këtë moment, njëri prej tyre ka vazhduar dialogun duke i thënë policit roje se po shkonin të takonin “djalin e tezes”, Gentianin, pasi kishin kohë pa e takuar.
Autori i ka rënë derës së banesës, të cilën e ka hapur i babai i moshuar i viktimës, Nezir Beqiri. Dera e banesës ishte në një kthinë të sheshpushimit ku qëndronte polici rojë, i cili siç mësohet nuk ka vënë re asgjë të pazakontë.
Vetëm pak minuta ka zgjatur “vizita” e dy personave, të cilët kanë dalë nga banesa me hapa krejt normalë. Pasi kanë zbritur shkallët, ata kanë kaluar edhe policin e dytë rojë. Ky i fundit, i habitur nga vizita e shpejtë, i ka pyetur se pse kishin qëndruar aq pak.
Por pikërisht në këtë moment është zbuluar çfarë kishte ndodhur pasi të dy personat kanë vrapuar duke u futur nëpër rrugicat e lagjes. Policët kanë shkuar me të shpejtë në vend dhe konstatuan vrasjen e personit që ata e ruanin prej 2.5 vitesh, ndërsa përtokë pa ndjenja ishte edhe babai i tij, Nezir Beqiri, i cili dyshohet se është qëlluar në kokë me qytën e pistoletës që të mos jepte alarmin e krimit.
Sipas policisë, vrasja është kryer me pistoletë me silenciator, ndërsa viktima ka marrë disa plumba në kokë dhe në trup.
O Skipetare,A ka perfaqesues te popullit ky rreth ,qark,apo krahine qe quhet ELBASAN qe ta perfaqesoje ne ‘parlamentin e leshit te topallitì’ dhe si e ka emerin!? PSE NUK VRASIN DEPUTETIN ME QE AI NUK VRET VEHTEN PO VRASIN NJERI TJETRIN!?