Urdhrat e paligjshëm të shkarkimeve nga administratë shkaktojnë drama familjare dhe kosto të rënda për buxhetin e shtetit, por praktika e shumëkritikuar vazhdon të aplikohet nga institucionet qendrore dhe lokale.
Nga Klodiana Lala, BIRN
Jeta e Stak Pjetrit-baba i tre fëmijëve dhe teknik pyjesh në qytezën veriore të Fushë-Arrëzit u kthye përmbys më 12 nëntor 2012, kur eprorët i komunikuan urdhrin e pushimit nga puna. Pas tre dekadash në shërbim, ai e gjeti veten në listën e gjatë të të papunëve të Shqipërisë.
Invalid dhe i pashpresë, Pjetri iu drejtua Gjykatës Administrative për të kundërshtuar shkarkimin e tij. Gjatë periudhës 2-vjeçare të gjyqit, ai u përball me varfëri dhe konflikte familjare që përfunduan në divorc.
“Humbja e punës më shkatërroi familjen. Pasi më larguan, nisën grindjet për çështje ekonomike me gruan dhe në vitin 2014 u divorcuam,” thotë Pjetri për BIRN.
Më 17 qershor 2014, Gjykata Administrative e Apelit vendosi në favor të Pjetrit, duke e cilësuar të paligjshëm urdhrin e shkarkimit të tij. Në vendim, gjykata është ndalur edhe tek fakti se Pjetri ishte invalid, një rrethanë që duhej të merrej parasysh nga Shërbimi Pyjor në mbrojtje të kësaj kategorie.
Gjykata vendosi të dëmshpërblejë Pjetrin me 26 paga mujore, por babai i tre fëmijëve thotë se nuk do t’i mjaftojnë gjatë.
Historia e Stak Pjetrit nuk është një rast i izoluar në listën e gjatë të shkarkimeve të paligjshme nga administrata qëndrore apo lokale e Shqipërisë. Fati i tij është i ngjashëm me mijëra punonjës të tjerë, të cilët i janë drejtuar Gjykatës Administrative të Apelit për zgjidhjen e konflikteve të pushimit nga detyra.
Vetëm gjatë vitit 2014, në këtë gjykatë janë depozituar 5199 çështje nga personat e shkarkuar nga puna nga administrata qendrore apo lokale përgjatë viteve 2011-2013. Në të njëjtin vit, Apeli Administrativ ka vendosur pro të shkarkuarve në 969 raste, ka pushuar 34 padi dhe ka ndryshuar 616 vendime të gjykatave të shkallës së parë.
BIRN ka analizuar mbi 500 vendime të Gjykatës Administrative të Apelit për vitin 2014, të cilat trajtojnë konflikte të largimit nga puna gjatë viteve 2011-2013. Vendimet tregojnë se shkarkimet janë të përqendruara në kohën që pason zgjedhjet e përgjithshme parlamentare apo ato lokale.
Vendimet e Gjykatës Administrative të Apelit zbulojnë gjithashtu se qindra njerëz humbën punën si pasojë e urdhrave të kundraligjshëm, duke përdorur si argument ristrukturimin e institucioneve ose masat e diskutueshme disiplinore.
Për secilën prej këtyre shkeljeve, institucionet penalizohen me dëmshpërblime që shkojnë nga 6 deri në 20 paga mujore në dobi të paditësve, duke i shkaktuar fatura të kripura financiare buxhetit të shtetit.
Shkarkimet e paligjshme
Shqipëria-ndër vendet më të varfra të Europës ruan një normë të lartë papunësie, ndërkohë që shteti është ofruesi më i madh në tregun e punës. Administrata publike në Shqipëri punëson 96 mijë qytetarë në nivel qëndror dhe lokal.
Përgjatë dy dekadash, rotacionet politike kanë sjellë spastrime masive në administratën qendrore dhe atë lokale, duke shkaktuar drama personale të ngjashme me atë të Stak Pjetrit dhe politizim e paqëndrueshmëri të institucioneve publike.
Në vazhdimësi, vendet e punës në shtet kanë joshur një numër të lartë qytetarësh, ndërkohë që një pjesë e tyre janë rezervuar për militantët partiakë, si shpërblim për shërbimet e tyre.
Ky fenomen është kritikuar vazhdimisht në progres-raportet e Bashkimit Europian për Shqipërinë. Në vitin 2013, parlamenti shqiptar votoi me konsensus një ligj për nëpunësin civil të asistuar nga ekspertë të Bashkimit Europian, i cili premtonte mbrojtjen e administratës nga shkarkimet për arsye politike.
Megjithatë, mijëra njerëz humbën sërish punën e tyre edhe pas ardhjes së të majtës në pushtet.
Një botim periodik i Avokatit të Popullit tregon se 4093 punonjës janë larguar në mënyrë të paligjshme nga administrata publike në periudhën shtator 2013-maj 2015. Prej tyre, 1021 kishin statusin e nëpunësit civil ndërsa 3072 të tjerët trajtoheshin sipas dispozitave të Kodit të Punës.
Milena Harito, ministre e Inovacionit dhe e Administratës Publike i referohet Gjykatës Administrative në diskutimin sasior për të shkarkuarit në kohën e qeverisjes së majtë.
“Gjykata Administrative ka dhënë 273 vendime gjyqësore lidhur me paditë e nëpunësve civilë që pretendojnë largime të padrejta. Nga këto procese, 111 janë fituar nga institucionet dhe 162 nga paditësit,” i tha Harito BIRN.
Ministrja pretendon se pas hyrjes në fuqi të ligjit për nëpunësin civil, shkarkimet kanë qenë minimale, ndërsa pohon se paketa ligjore ofron garancitë e duhura për stabilitetin, depolitizimin dhe profesionalizmin e funksionarëve publike.
Qindra të shkarkuar që i janë drejtuar gjykatës mendojnë të kundërtën dhe në pjesën dërrmuese të rasteve, dalin të fituar mbi institucionet publike.
Mes vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit dominojnë rastet e shkarkimit për shkak të ristrukturimit të institucioneve. Gjithashtu, gjykata ka gjetur paligjshmëri në zgjidhjet e menjëhershme të kontratave të punës apo në afatet e lajmërimit.
Vendimet tregojnë se shkarkimet në administratë nuk kursejnë asnjë kategori; nga sanitaret e deri tek drejtuesit e lartë të institucioneve.
Finete Pali punonte prej 30 vitesh në lavanderinë e spitalit të Shkodrës, kur e thirrën në drejtori bashkë me disa kolege. Në prag të pensionit, atë e njoftuan se vendi i saj i punës ishte shkurtuar.
“U bëra shumë keq. Isha prag pensioni, mua nuk më punësonte njeri më. Tani që kam fituar gjyqin ndihem më e lehtësuar,” i tha ajo BIRN.
Por ndryshe nga Pali, paditës të tjerë zhvlerësojnë dëmshpërblimin dhe vazhdojnë betejën ligjore për rikthimin në detyrë.
Ardiani, një oficer karriere i Policinë së Shtetit që refuzon të identifikohet me emrin e plotë u largua nga detyra pas vitit 2013, kur në pushtet u ngjit e majta. Ai ka punuar në shumë hallka të policisë, derisa u ngjit në postin e zv.drejtorit, por karriera iu ndërpre në mes me motivacionin e thatë të ndryshimeve strukturore.
“Më zëvendësuan me një person me gradë më të ulët se unë,” thotë ai për BIRN.
Ardiani tregon se pas tij, radha i erdhi bashkëshortes, juriste në profesion, ndërsa burrë e grua u gjendën përballë vështirësive të mëdha ekonomike dhe dilemave për të ardhmen profesionale.
“U gjendëm në mes të katër rrugëve. Me një fëmijë përdore. Gruaja iu drejtua gjykatës dhe e fitoi gjyqin, por unë kërkoj rikthimin në polici,” thotë ai.
Përplasjet politike
Që nga ndryshimi i qeverisë në vitin 2013, punësimet dhe pushimet nga puna në administratën publike kanë qenë një ndër temat kryesore të debatit politik në vend. Partia Demokratike në opozitë ka bërë akuza të vazhdueshme për shkarkime politike, ndërsa ka ngritur edhe një portal që akseson ankesat e qytetarëve.
PD pretendon se numri i shkarkimeve nga qeveria e majtë kap shifrat e 7 mijë personave.
Ministrja Harito thotë se shifrat faktike nuk kanë lidhje me legjendat që qarkullojnë mbi këtë çështje dhe se ligji i miratuar me konsensus po zbatohet me korrektësi.
“Kjo opozitë, kur erdhi në pushtet në vitin 2005 largoi brenda 2-3 muajsh pjesën më të madhe të nëpunësve civilë nga detyra dhe e mbushi administratën me militant partiakë dhe rreth farefisnie të drejtuesve të PD,” thotë ministrja.
Përtej replikave politike, Avokati i Popullit ka bërë një analizë të shkarkimeve nga puna gjatë kohës se qeverisjes së të majtës dhe ka arritur në përfundimin se praktikat e shkuara të shkarkimeve vazhdojnë të aplikohen edhe sot.
Nga shifra e përgjithshme e 4093 punonjësve të larguar, 1314 janë pushuar në mënyrë të menjëhershme si pasojë e ristrukturimeve. Sipas vendimeve të Gjykatës së Apelit Administrativ, shkarkime të tilla janë në kundërshtim me Kodin e Punës që përcakton në mënyrë të qartë arsyet e zgjidhjes së kontratës dhe afatet kohore të lajmërimit.
Raporti i Avokatit të Popullit zbulon gjithashtu se 1 mijë punonjës, nga të cilët 403 nëpunës civilë janë shkarkuar përmes masave disiplinore. Gjykatat Administrative kanë pranuar një numër të konsiderueshëm padish që lidhen me shkarkimet përmes masave disiplinore.
Sipas Avokatit të Popullit, Ministria e Mjedisit mban vendin e parë për numrin e lartë të shkarkimeve për shkak të suprimimit të vendit të punës, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kryeson listën e shkarkimeve për shkak të masave disiplinore.
Avokati i Popullit u ka tërhequr vëmendjen institucioneve përmes 90 rekomandimeve, pasi ka gjetur pavlefshmëri absolute në urdhrat e nxjerrë dhe u ka kërkuar atyre të zbatojnë drejt procedurat e largimit nga puna.
Sipas tij, mosrespektimi i Kodit të Punës dhe i ligjit për Nëpunësin Civil kanë sjellë rritje progresive të efekteve financiare në buxhetin e shtetit.
“Kjo është një barrë që u ngarkohet padrejtësisht taksapaguesve dhe qytetarëve të thjeshtë,” thotë Avokati i Popullit.
Kosto e dyfishtë
Në një investigim të mëparshëm, BIRN analizoi shpenzimet e thesarit për shkarkimet nga puna në periudhën mars-dhjetor 2014. Buxheti i shtetit shleu më shumë se 4800 fatura për këtë periudhë, duke humbur rreth 3.3 miliardë lekë (23.4 milionë euro).
Fatura financiare për largimet nga puna përgjatë viteve 2013-2014 është ende e paqartë.
E pyetur nga BIRN, ministrja Harito tha se është e pamundur të llogaritet një shumë e përgjithshme e kostos që i shkaktohet buxhetit të shtetit. Sipas saj, Departamenti i Administratës Publike ka në varësi Shërbimin Civil, por personeli i institucioneve të pavarura dhe pushtetit lokal menaxhohet nga vetë këto institucione.
“Çdo institucion jashtë shërbimit civil mbulon vetë detyrimet financiare që rrjedhin nga vendimet e tyre”, tha Harito për BIRN.
Përveç milionave në dëmshpërblime, institucionet duhet të përballen me lista të dyfishta punonjësish; atyre që kanë fituar të drejtën e rikthimit në punë dhe të punësuarve të rinj që u kanë zënë vendin. Kjo thellon më tej gropën në buxhetin e shtetit.
Përveç kostove në buxhet, shkarkimet e padrejta shkaktojnë edhe plagë sociale tek kategoritë më të pambrojtura, të cilat nuk kanë mundësi t’i drejtohen gjykatës.
Luan Caka, ish-punonjës i kanalizimeve të ujërave të zeza në bashkinë e Tiranës për 27 vjet është ndër viktimat e fundit të shkarkimeve nga puna. Babai i gjashtë fëmijëve u njoftua mesditën e 31 dhjetorit 2015, së bashku me 12 kolegë të tjerë se kishte humbur punën.
“Kam punuar me mish e me shpirt gjithë kohës. Mushkëritë i kam copë, duke zhbllokuar puseta dimër e verë… Na nxorën në mes të rrugës, as darkën e vitit të ri nuk e hëngrëm dot,” thotë ai me lot në sy.
Si kompensim për shkarkimit, Luani ka marrë 6 rroga, por familja e tij rrezikon të dalë në rrugë shumë shpejt. Megjithatë, kryefamiljari i komunitetit rom thotë se e ka të vështirë t’i drejtohet gjykatës për ndihmë.
“E ku di unë të shkoj në gjykatë. Kam lënë kockat në këtë punë e këta më hodhën në rrugë. Më thoni ju, ç’të bëj,” përfundon ai.
Ky artikull u prodhua si pjesë e iniciativës “Fuqizimi i Bashkëpunimit mes Shoqërisë Civile dhe Gazetarëve Investigativë,” me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.
Nje shkrim qe eshte ne thelb odisea e 24 viteve ne te ashtuquajturen demokraci.. Une jam nje nga viktimat e kesaj ” loje ” makabre te politikes kriminale te partive politike ne Shqiperi ,dhe jo nje here por dy .Ne vitin 1992 pas nje levizjeje nga detyra dhe emerimit ne nje vend pune te ri ,me fusin nje zarf ne sirtarin e tavolines kur une isha me sherbim ne nje sektor jashte administrates se ndermarrjes ku me njoftonin se transferohesha ne nje sektor te larget po ne ate ndermarrje nderkohe qe” argumenti ” ishte ristrukturim ,, ,diten e neserme pasi mora njoftimin shkoj tek drejtori i ndermarrjes dhe i kerkoj spjegime ,ai i pa pergatitur per takimin me thote se nuk dinte gje kur firma ne urdher ishte e tij ?!! Kuptohej se u kap galif ish vaartesi te cilit i ishin krijuar gjithe kushtet normale te punes kur ai nuk ishte drejtues.Jo me larg se nje vit me mbas nje urdher tjeter me transferonte ne trefishin e distances ne nje sektor tjeter po nga ai drejtues ,duke e pare se kjo peripeci nuk do te kishte fund e marr ne telefon dhe i them ,” Ne se do te te krijohet mundesi per te me transferuar edhe deri ne Alaske vetem me thuaj disa dite perpara sepse edhe atje do te shkoj se kam per te ushqyer familjen ,nuk vijoi gjate dhe u largova nga ajo ndermarrje …Por ,,,,,kur doja edhe dy vjet per te dale ne pension nje peripeci tjeter u desh te perballohej ,,,nje drejtor i thençin qe edhe per nivelin profesionaaal apo drejtues ishte zero nis presionet dhe shantazhet per largimin nga puna ,fillimisht me hilera dhe duke u kamufluar per pa mundesi argumentuese dhe me vone hapur me suportin e partise se vet (gjat viteve 2005 – 2006) dhe me vone pas zevendesimit nga detyra ku kisha vite te tera qe isha profilizuar (si profesionalist mbi 40 vjet ) gjen pretekstin me reformimin dhe ristrukturimin e ndermarrjes ,duke me larguar nga puna dy vite para se te dilja ne pension.Pas kesaj ne lufte me gjyqet per te marre ato paga qe n’a takonin me ligj pas rreth dy vitesh e gjysme zvarritjesh dhe gjyqesh u mbyll krejt kapitulli i kalvarit te pas viteve 1990 me daljen perfundimtare ne pension ..nderkohe qe me profesionin dhe punen ne ate sektor isha i lidhur per me shume se plot 52 vite Ky ishte ne menyre te permbledhur kurorezimi i daljes nga jeta aktive profesionale 50 vjeçare ,Dhe nuk isha i vetem ,pot te tjere qe nuk dinin ç’ishte servilizmi ,konformizmi dhe me aftesi profesionale dhe kompetence ,e moren kete shperblim nga njerez qe nuk meritonin te afroheshin prane atyre pozicioneve drejtuese sepse ishin pikerisht ata qe dinin vetem te mbanin neper duar parrulla ,e banderola gjat protestava ,ishin ata qe ishin te babezitur per te grabitur pronat krijuara me djersene shqiptareve ata qe nuk dinin as te numuronin por dinin vetem te mbushnin kutite e votimit me me shume flete votimi se sa ishte e nevojshme per te dale 150% rezultati etj etj
Po e njeta gje edhe sot.Hiqen nga puna njerez me kualifikim te larte
profesional,vetem sepse jan pa parti,vetem sepse jan te ndershem!
Prandaj ka perfunduar Shqiperia ketu ku eshte,sepse politika sakrifikoi
shtetin per hir te militanteve te saj,shtreses me regresive te shoqerise.
Fatkeqsisht,kjo flakje nga puna ne menyren me flagrante,komplet te
kundraligjshme,vazhdon edhe sot,por akoma me e eger dhe brutale.
Çdo vend pune,eshte investimi i premtuar per militantet,kur ndrrohen
pusht-etet.Sepse kan mbledhur nga jane e nga s’jane bashibozuket
militante injorante me diplloma te blera(kur ne fakt kan vetem 8 klase),
kan dhene me konçension edhe sektore qe nuk jepen kurre.Deshtim total.
Dhe pastaj thone ka pune,por akuzojn se nuk ka puntore te pakualifikuar.
Dhe kush e thone pa?!
Kjo Harito, eshte nje deficente tjeter e rregjimit aktual. Preokupimet e saj, jane vareset dhe aksesoret qe do veshi ne parlament apo daljet publike. Nje debile, qe s’po e kuptojme per cfare eshte ne ate post.
Administrata shteterore eshte pertoke, e mbushur me katunare e maloke servila me teza partie. Edhe kur behet ndonje largim nga puna, behet per interesa partiake apo te eproreve, jo per te vendosur individe te afte ne ato vende, qe lerohen. Dmth, vendoset perseri nje provincial servil deficent + popullit i faturohet rimbursimi i 20-30 pagave mujore te ish-provincialit servil deficent, qe ishte me perpara.
Ky popull i varfer, paguan dy paga per nje vend pune. KATASTROFE!!!!!