Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke paralajmëruar edhe dhënien e votës për ngritjen e saj.
Kreu i grupit parlamentar, Petrit Vasili theksoi se drafti është mbështetur nga OPDAT i SHBA-ve dhe se garanton cilësinë dhe integritetin e institucionit.
“Gjithashtu mënyra se si u përgatit ligji, realizoi pra edhe një proces gjithëpërfshirës dhe konsensual, pasi në këtë mënyrë merr përgjigje apo merr zgjidhje dhe një shqetësim i ngritur me forcë nga opozita shqiptare për miratimin sa më parë të këtij projektligji”, theksoi ai.
Por zoti Vasili nuk iu përgjigj pyetjes sesi do të gjendet konsensusi i opozitës, kur kjo e fundit është pro variantit që Byroja të jetë pjesë e prokurorisë.
“Ne e mbështesim plotësisht draftin, që sapo u miratua pak çaste më parë dhe mbështesim gjithashtu që ky konsensualitet, meqenëse të dy forcat politike PS-PD që kanë debatuar fort për këtë çështje, kanë pasur një shqetësim për këtë gjë, është shumë mirë që e kemi tashmë këtë draft-ligj të miratuar nga qeveria, të mbështetur edhe në përgatitjen e tij nga OPDAT-i. Tani çështja kryesore është të ecim sa më parë në zbatimin dhe në vënien e këtij ligji në funksionim”, tha Vasili.