Protestat gjatë takimeve elektorale të kandidatit Republikan për president të SHBA, Donald Trump, tashmë janë bërë diçka e zakonshme. Por, kohët e fundit në to ka nisur të ketë edhe shfaqje dhune, kryesisht nga mbështetësit e Trump. Një i ri me ngjyrë është goditur me grusht në fytyrë, teksa shoqërohej jashtë nga policia pasi kishte ndërprerë në shenjë proteste mitingun e Donald Trump në Karolinën e Veriut. Rakeem Jones, personi i goditur, ka deklaruar për Ëashington Post se gjithçka ndodhi papritur.
“Nuk e kisha mbledhur ende veten , kur befas u gjenda në tokë, ndërsa shoqërohesha nga policia,” – ka thënë Jones për Reuters.
Ndërkaq, 78 vjeçari i cili arriti ta godiste me grusht protestuesin është ndaluar nga policia dhe po ndiqet penalisht.
Takimet elektorale të Republikanit Trump janë gjithmonë të përfshira nga tone të ashpra, me miliarderin nga New York që shpesh ndërpret fjalimet e tij për të sulmuar apo ofenduar protestuesit. Në një tjetër takim në Nevada muajin e kaluar, vetë Trump mësohet të ketë thënë për një protestues: “Do të doja të isha unë ai që ta godisja në fytyrë.”
Megjithatë, pavarësisht kësaj, Donald Trump vazhdon të kryesojë mes kandidatëve të partisë së tij për zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 8 Nëntor.