Drejt Kongresit të sherrnajës

19 Mars 2016, 09:37Politika TEMA

Nga Enkel Demi

Nëse Edi Rama nuk do të kishte zgjedhur metodat bolshevike për të degjeneruar Ben Blushin, sot ka gjasa që mos të kishim një faktorizim politik të këtij personazhi, i cili jeton mes studiove televizive, joshjes për të qenë letrar, shpotitjes për mikpritësit mediatikë, politikës dhe orëve të plota të gjumit.

Nëse nuk do ishin shpallur ato dacibaot që lexoheshin në foltoret e mesores së katit të parë të Partisë Socialiste me Blushin do mbeteshin të shkëmbenin dy fjalë veç Fevziu dhe Nikolla, të cilët kanë ndaj tij një lëmsh ndjenjash që i ngjajnë rebuseve të Kadri Vokopolës.

Por, tash kjo punë ka vajtur tutje tëhu dhe Edi Rama duhet të jetë i lumtur, se edhe kësaj here ia doli të udhëheqë në sherr e shamata. Ai është politikani tipik që nuk e vë dot kokën në nënkresë në darkë, nëse nuk e ka thurrur mirë e bukur konfliktin e së nesërmes. Kështu i ka qeverisur punët e tij në vazhdimësi qysh i ri.

Qeveria, kur nuk ka shpik sherr dhe ai e do veç kështu udhën e vet, me gropa e telashe. Në parti nuk do të ketë kurrë paqe nën ulli. Ai zbavitet për vdekje, tek sheh Taulantin në betejën e tij diskretituese ndaj armikut të klasës, kur lexon statuset parimore të Erjon Braçes apo tek shijon urtinë komike të Pandi Majkos. Dërgon sms a merr në telefon dhe lëshon shprehjen e mirënjohur: “O vlla, a e pe sa budalla që është?” dhe qesh, gazmon, sepse kështu është gatuar, sherrak që të vetmin shok që nuk e ka tradhëtuar kurrë, është grindja.

Blushi është pasojë e kësaj hullie, Kongresi shkon në këtë drejtim, madje edhe Pittella me pamjen e tij tuhafe mori këtë udhë. E gjitha kjo ngjan me teatrin e buratinëve, ku aktorët tërheqin fijet e kukullave. Kaq e vërtetë është kjo sa Edi Rama ethshëm po i tërheq e ngatërron fijet, ndaj nuk ka më një linjë në gjithë këtë mish mash që ka sajuar. Blushi thoshte se do ta rrëzojë qeverinë, por vetë garon vetëm për kryetar dhe jo kryeministër.

Po ecën me parimin maoist “të sulmojmë shtabin”, por masën e vlerëson bandite, të paditur, të paedukuar duke shfaqur një farë agorafobie që të çon në askund. Nga ana tjetër ka nisur një fushatë anëtarësimesh që ngjan si estradë Ballshi, ku Brunon e ngatërrojnë me Primon, ku e vetmja që shfaq qartësi dhe dinjitet është një shkenctare.

Atë me siguri do e shpallin armike, sepse po i vret me qetësi olimpike, kur u thotë se po shkelen rregullat, madje ka guximin ta argumentojë këtë gjë. Mimoza Hafizi është e frikshme, sepse ajo nuk llomotit pyetje retorike si Blushi, por ka këtë vesin e faktimit. I thotë gjërat e saj me të njëjtën thellësi si dikur tek shpjegonte dukuritë astronomike. Është e vetmja që nuk e kanë përzier dot me qyfyret e Rognerit duke shëtitur lugën e çajit në filxhan.

Por, zysh Moza, si e quan Rama, ashtu si ndodh rëndom në këtë vend gjendet në vendin e gabuar. Nuk duhet të ishte ajo që mbronte çështjen “Blushi”, por e kundërta.

Gjithsesi, Kongresi do i shkojë pas fijes Edi Ramës, i cili tani që ka garantuar sherrnajën, me siguri po e vret mendjen për dekorin, lulet, ndonjë gjë të veçantë që Blerta Kambo ta fiksojë dhe me siguri dërgon sms: “Ej, o vlla, e sheh sa budalla është ky Pittella, e ka foton si karikaturë të Kosta Rakës”./27.al

5 komente në “Drejt Kongresit të sherrnajës”

  1. ilir says:

    i ke rene pikes enkel. por ta dish se blushi e di se kush ka qene rama dhe ska ndonje surprize per te .surpriza eshte per te tjere qe se kane njohur.

  2. Profesori says:

    Shkrim brilant,……..,per ata qe duan te njohin sadopak realitetin e nje pjese te politikes shqiptare!

  3. gita says:

    Nese je vertet nje profesor ,turp qe mbeshtet nje shkrim te tille qe vetem nje gazetar nuk duhet t’a shkruaje.Gjuhe prej rrugaci ,e cfare duhet te presim nga komentuesit qe nga te shprehurit dhe gramatika qe perdorin shihet cfare niveli kane. Tema ju lutem i paraqitni komentet e mia se disa prej tyre nuk i kam pare.

  4. qytetar says:

    Ne kete beteje ,padyshim Blushi nuk do te duartrokitet , nuk do te ngrihet ne piedestal ,per statusin e tij ,por nje gje ai te qarte e ka ,se as Rama dhe mbrojtesit e tij medioker nuk do te ngrihem ,por vetem do te diskretitohen ,si dikur kongreset e PPSh.
    Mendoj qe nuk duhet te shikohet kaq e frikshme , zgjedhja per kryetar partie te ri , Nqs Rama mendon qe mud te mos fitoj , si gjithashtu eshte i humbur ,pasi ka shume kundra , Referendumi eshte NO GO

  5. aqif tahipi says:

    Sa te prekur jane keta pedeistet per mbarevajtjen e ps. Po ju lotojne syte dhe zemra per ne te majtet. Nese do ishin shqiptare te ndershem dhe jo te mbrujtur me berishizem qe ne veze ,nese do ju dhimbsej demokracia reale te pakten duhet ti lavderonin socialistet qe po e perfillin me durim blushin dhe nuk po e ” shperfillin ” sic i ndodhi te ndjerit olldashi. Ne ndryshim nga shqupi ne ps mund te lehesh sa te duash dhe nuk aksidentohesh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje