Për Austrinë sfida e kësaj të Shtune ndaj Shqipërisë që do të zhvillohet në Ernst Hapel Stadion të Vienës nuk është thjeshtë një miqësore. Euforia është e madhe në kampin e kombëtares së drejtuar nga Marcel Koller për atë kualifikim historik që erdhi pas një ecurie fantastike në eliminatore, me Austrinë që regjistroi 9 fitore dhe 1 barazim duke u renditur në vendin e parë të Grupit G.
Vetëm Anglia bëri më mirë se Das Team në kualifikueset e Euro 2016. Në dy seancat e para stërvitore në prag të sfidës ndaj Shqipërisë që u zhvilluan me dyer të hapura ishin të pranishëm nga reth 1500 tifozë, të cilët gjetën rastin për të marrë një autograf apo për të bërë një foto me yjet e kombëtares austriake ku mbi të gjithë spikasin David Alaba dhe Marko Aranautovic. Në kampin austriak e dinë rëndësinë e sfidës ndaj Shqipërisë dhe për të kuptuar sesa seriozisht e ka marrë skuadra e Marcel Koller mjafton të dëgjosh deklaratat e David Alabas dhe Marc Jankos.
Mbrojtësi i Bayernit i cili në ekipin përfaqësues luan si mesfushor u shpreh për mediat se dy miqësoret që kombëtarja e tij do të zhvillojë fillimisht ndaj Shqipërisë dhe më pas kundër Turqisë, janë dy ndeshje shumë të rëndësishme që do ti shërbejnë Austrisë për tu përgatitur sa më mirë për kampionatin europian.
Të njëjtën gjë nënvizoi edhe sulmuesi i Baselit Marc Janko i cili shtoi se Austria do bëjë gjithcka për ti fituar këto dy sfida pasi ato nuk janë vetëm 2 ndeshje miqësore, por dy takime të cilat mund të tregojnë shumë përsa i përket forcës që zotëron skuadra e Marcel Koller, pasi përballë do të jenë dy përfaqësuese që marrin pjesë në Euro 2016. Në ndeshjen e kësaj të Shtune ndaj Shqipërisë, Austria do të mbështet te lojtarët e saj më të mirë ku përvec Alabas, Arnautovic dhe Jankos bien në sy edhe kapiteni Christian Fuchs që luan me Leicester City në Premier League dhe mbrojtësi Dragovic i Dynamos së Kievit.