Kryemadhi: Deklarata e Berishës? Nuk duhet të gjejmë sebepe për të krijuar konflikte në parlament, për të mos votuar reformën në drejtësi

27 Prill 2016, 18:01Politika TEMA

Konferenca Rajonale e Grave Parlamentare u mbajt sot në Tiranë, ku nga foltorja e Kuvendit, gratë deputete kanë përcjellë mesazhe për rëndësinë e forcimit të rolit të gruas në jetën politike, ekonomike e sociale të vendit. Deputetja Monika Kryemadhi ka folur sot në rubrikën “Opinion” në “News24”, lidhur me këtë konferencë dhe sfidat më të mëdha në kuadër të barazisë gjinore.

Gjatë fjalës së saj zonja Kryemadhi foli për një nismë te re, sipas së cilës t’ju njihen kontributet shoqërore si burrit dhe gruas, në rastin kur gruaja nuk është e punësuar, pra t’i njihen nëpërmjet bashkëshortit.

Më tej ajo komentoi edhe situatën politike, ndërsa apeloi që të votohet sa më parë reforma në drejtësi, për ta nxjerrë vendin nga tranzicioni i tejzgjatur.

Çfarë është kjo konferencë rajonale, cili është qëllimi?

Kjo është asamble e përvitshme, vitin e kaluar e kemi zhvilluar në Beograd. Dy vjet më parë ka qenë në Bosnjë. Është një angazhim në mënyrë që gratë parlamentare ët përfshihen më shumë në jetën parlamentare të vendeve të tyre. Synohet integrimi i grave deputete në një proces të parlamentarizmit në këto vende. Ndërkaq synohet edhe njohja e tyre me njëra-tjetrën, pasi në ditët e sotme nuk flitet vetëm për njohje brenda një vendi por në nivel rajonal. Më bëri përshtypje prezenca e delegacionit të Serbisë, edhe pse sapo kanë mbaruar zgjedhjet në Serbi. Minimumi i pjesëmarrjes së grave në parlamentin serb janë mbi 40 %, dhe kjo është për t’u vlerësuar. Ka disa eksperienca që ne takime të tilla janë shumë interesante.

Këto ju bënë ju që të propozonit barazi të mirëfilltë ligjore?

Ne si LSI e kemi këtë edhe në programin e konventën tonë. E propozojmë edhe për parlamentin. Sot e kemi në bashki. E thashë edhe në fjalën time, që kjo është një sfidë që gratë e politikës do ta kenë në të ardhmen. Ne në Shqipëri jemi mësuar të themi fjalën e fundit në fillim, por është pak e vështirë. Por ndodh për shembull në rastin e Ermirës në Maqedoni, që një deputete e ka më të vështirë për të përballuar këtë situatë. E përgëzoj që gjeti sot momentin për daljen e parë publike pas atyre publikimeve, dhe gjeti solidaritet dhe përkrahje.

Sot Hilari Klinton u tha se po kërkon votën e femrave, a janë deputetet më të votuara pikërisht nga gratë?

Për gratë është gjithmonë më e rëndësishme të merresh me politikë. Gratë janë më solidare, dhe kuptojnë njëra-tjetrën. Në fund të ditës si politikane si një grua jo e tillë, jeta është njësoj, përditshmëria e problemet janë njësoj. Gratë që merren me politikë duhet të jenë më të kujdesshme dhe më solidare. Ne harrojmë nganjëherë thelin e asaj që përfaqësojmë. Duhet të kërkojmë më shumë për barazinë gjinore, të shohim sa është bërë, dhe në bazë të indikatorëve të shohim ku kemi arritur. Ne realisht nuk kemi indikatorët e duhur matës për të parë se çfarë është bërë deri më tani. Në buxhetin 2014 është bërë gabim kur është hequr zëri për barazinë gjinore. Dhe kjo nuk na falet.

Ky aktivitet i sotmi nuk ka kaluar pa u komentuar edhe jo mirë. Ndoshta nga ato deputete që nuk kanë dashur të jenë aty. Cilat janë komentet tuaja?

Ky është vendim personal i kolegeve tona. Ne na kanë votuar njerëzit, përfaqësojmë elektoratin tonë, dhe kjo asamble nuk kishte të bënte me bindjet tona politike. Për mua ishte mungesa e demonstrimit të vlerave të deputeteve demokrate, ku ato mund të shpalosnin mendimet dhe idetë e tyre.

Çfarë mendoni për dy nivelet që kemi në elitë, politikë, ekonomi dhe atë që kemi në jetë të përditshme në perferi ku ka probleme si dhuna

Problemi i dhunës nuk duhet parë i ndarë. Një grua që rrihet është mamaja e një djali, apo motra e një vëllai. Për mua këtu duhet të zbatohet ligji njësoj si për një grua, si për një burrë ashtu edhe për një fëmijë. E rëndësishme është që gratë kanë filluar të denoncojnë. Më përpara shoqëria nuk ka qënë aq e emancipuar sa të denonconte këtë problem. Për gratë edhe ajo që punon tokën është elitë ajo harxhon prodhon diçka që ne me universitete s’do arrinim kurrë. Po diskutohet për një nismë që kontributet e bashkëshortit duhet t’ju njihen të dyve bashkë në rastin e grave që qendrojnë në shtëpi dhe rrisin fëmijët, kjo është një punë e papaguar.

Një koment tuajin për reformën në drejtësi

Mendoj që duhet të ishte votuar që në tetor apo nëntor.

Çfarë e pengon?

Çdo konflikt i tepërt bëhet një shkak për ta zvarritur, unë jam partizante që edhe ne deputetet gra të bëjmë detyrën tonë, të votojmë këtë reformë. Ne mbajmë përgjegjësi para elektratit tonë. Kjo reformë do zgjidhë fundin e tranzicionit të politikës shqiptare. Të mos humbasim asnjë sekondë më shumë në tranzicionin e lodhshëm, të mundimshëm që në njëfarë mënyre nuk do dëshironim t’ua linim fëmijëve tanë.

Si e komentoni deklaratën e zotit Berisha për armatosjen e popullsisë?

Nuk dua të komentoj deklaratat e të tjerëve, po ne nuk duhet të gjejmë sebepe për të krijuar konflikte në parlament. çdo sebep që gjejmë na largon vemëndjen nga pika më e rëdësishme, reforma në drejtësi.

Lini një Përgjigje