Kur Reforma në Drejtësi ka bërë një tjetër ndalesë, pas bojkotit 10 ditor të opozitës dhe në një kohë kur është ende e dyshimtë nëse ajo do të votohet para verës, LSI bën një hap konkret duke kërkuar një organizim të ri të sistemit gjyqësor. Propozimi ka ardhur nga ministri i saj, Ylli Manjani.
Ministri i Drejtësisë thotë se propozimin e mbështet në një studim të CEPEJ, një organizatë e specializuar në ccështjet e organizimit gjyqësor. Dy janë idetë që ai hedh për diskutim në një letër dërguar Presidentit të Republikës, Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, atij të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe zv/kryetarit të komisionit të Reformës në Drejtësi, drejtorit të Shkollës së Magjistraturës dhe kryetarëve të gjykatave të apelit dhe shkallës së parë.
Së pari ai kërkon “që të krijohen 12 gjykata fakti në rrethet gjyqësore që korrespondojnë me territorin e qarkut. Nga ana tjetër, maksimalisht në çdo bashki dhe minimalisht aty ku ka ndërtesa gjykatash që sot funksionojnë, do të ofrohet shërbimi i gjykimit si sot. Pra, përqendrohet qendra e drejtimit të gjykatës së faktit, por është gjyqtari që shkon aty ku banojnë përdoruesit e gjykatës dhe jo e kundërta”.
Për ta ilustruar Manjani jep këtë sqarim: “çështjet që ngrihen për gjykim nga persona me banim në Bashkinë e Kavajës, do t’i marrin shërbimet në godinën e sotme të gjykatës atje, por gjykatësit do të caktohen me short nga gjykata e shkallës së parë që do ta ketë qendrën në Tiranë”.
Së dyti, Ministri i Drejtësisë thotë se “pjesa e dytë e propozimit është që të reduktojmë gjykatat e apelit nga 6 në 4”.
Sipas Manjanit, duhet ngritur një gjykatë apeli që të mbulojë rajonin e Veriut me qendër në Shkodër, një gjykatë tjetër apeli që të mbulojë Shqipërinë e mesme me qendër në Tiranë, një gjykatë në Fier që të mbulojë Jugun dhe Jug-Perëndimin dhe një gjykatë në Korçë që të mbulojë Jug-Lindjen.
Në letër agumentohen edhe përfitimet nga ky organizim i ri. Manjani shprehet se ky propozim do të provokojë shumë debat, ndaj i fton aktorët në tryezë bisedimi për këtë ccështje.