Nga Edi Rama
E shfrytëzoj këtë mundësi që më dha parafolësi, për të prekur tre tema me rëndësi duke filluar nga e para. Një mit urban sipas të cilit në Shqipëri po ndërtohet një korsi preferenciale për investimet kineze dhe po largohen kompanitë amerikane. Është një absurditet i plotë.
Së pari, sepse në Shqipëri, qoftë kompanitë amerikane, qoftë kompanitë kineze, qoftë kompanitë gjermane, qoftë të gjitha kompanitë e tjera janë në një treg të lirë, dhe qeveria nuk ka asnjë të drejtë të përcaktojë vullnetin e kompanive për të shitur dhe për të blerë aksione mes veti.
Sa për dijeni, të dyja investimet kineze që mendohet se do të bëhen në Shqipëri përmes Bankers-it dhe përmes aeroportit të Rinasit, janë marrëveshje të drejtpërdrejta me aksionerët në Kanada për Bankers-in dhe me aksionerët gjermanë për aeroportin e Rinasit. Qeveria shqiptare, nuk hyn fare në këtë mes. Nuk ka asnjë lidhje. Janë marrëveshje të drejtpërdrejta, pra janë vetë aksionerët kanadezë apo amerikanë apo të tjerë, që janë tek Bankers-i e që kanë ekskluzivitetin të vendosin se çfarë bëjnë me aksionet e tyre. Dhe fakti që këto aksione shiten dhe kanë një vlerë të konsiderueshme, provon plotësisht të kundërtën e asaj që u pretendua se qeveria shqiptare rrënoi vlerën e tyre. Ndërkohë që qeveria shqiptare për herë të parë bëri detyrën në raport me Bankers-in, i cili nuk kishte dhe nuk mund të ketë asnjë eksluzivitet në marrëdhënie me sistemin e taksave të Republikës së Shqipërisë. Duhet të paguajë taksat njësoj si çdo kompani tjetër.
Faktikisht, qeveria shqiptare e fitoi çështjen e saj në Gjykatë Ndërkombëtare me mbrojtjen e njërës prej studiove më të famshme amerikane.
Kështu që kjo është një përrallë absurde, ndërkohë që Shqipëria është pjesë e forumit 16+1, – se keni qënë edhe ministër i Mbrojtjes, ku ju kujtoj se janë pothuajse të gjithë anëtarë të NATO-s, që nga Polonia e deri tek vendet Baltike. Janë anëtarë të NATO-s vendosmërisht në linjën pro Euro-Atlantike në të gjitha planet, dhe jo vetëm i mirëpresin, por janë vendet me investimet më të mëdha kineze. Prandaj, të mos tregojmë barsoleta fshati në Parlamentin e Shqipërisë.
Nga ana tjetër, tema e dytë, jo për nga rëndësia, kuptohet, është tema e pronave.
Keni qënë këtu në këtë parlament 20 e kusur vite dhe me pronën keni bërë vetëm një gjë, “lesh dhe li”. Ky parlament ka kaluar 8 ligje të ndryshme për pronën dhe ka ngatërruar sa herë ka futur duart, të gjithë fillin e çështjes së pronës për më keq e për më keq. E të gjithë, vetëm me një qëllim, si të mos e presim nyjën gordiane që të mos humbasim vota.
Ju personalisht keni 20 e kusur vite që rrinin në këtë parlament duke shitur utopinë se do tia ktheni të gjithë pronat pronarëve, të tjerët duke bërë akrobaci sa nga një anë në anën tjetër për të mos marrë vendimin që duhet të ishte marrë këtu e 20 e kusur vite më përpara.
Jemi i vetmi vend në të gjithë vendet e dala nga komunizmi, që jemi vonuar 25 vjet për të bërë gjënë e duhur. Ligji i pronave që kemi votuar ne në këtë parlament është e vetmja rrugë konkrete praktike për të trajtuar problemin.
Nuk ekziston sepse nuk ka ekzistuar në asnjë vend komunist një zgjidhje ideale, përkundrazi të gjitha vendet ish-komuniste e kanë trajtuar problemin e pronës me pragmatizëm dhe i kanë dhënë një zgjidhje të ndërmjetme dhe për këtë arsye as nuk janë futur në rrugën e pafund të konflikteve siç u fut Shqipëria për shkakun tuaj dhe as nuk kanë nguruar që të gjejnë zgjidhjen e ndërmjetme.
Sa për dijeni, kjo qeveri dhe kjo shumicë qeverisëse kanë venë në dispozicion të pronarëve dhe të zgjidhjes së problemit 500 milionë dollarë për 10 vitet e ardhshme dhe vetëm në buxhetin e këtij viti janë 30 milionë dollarë. Shuma më e madhe me herë e krahasuar me çdo vit buxhetor në 20 e kusur vite lidhur me pronarët edhe pronat.
Vonesa e shkaktuar në procesin e hyrjes së ligjit në fuqi i dha Shqipërisë edhe një faturë shtesë me gjyqe në Strasburg që vazhduan, pa na e mundësuar pezullimin për të cilin kemi negociuar me Strasburgun dhe i cili hyn në fuqi në momentin e pezullimit nga Gjykata Kushtetuese të ankesës dhe faktikisht sot ligji funksionon. Për shkak që sot ligji funksionon nuk ka vendime të reja të gjykatës së Strasburgut.
Kam dëgjuar shumë shakaxhinj të përparimit këtu që bëjnë teori këtu se çfarë është Strasburgu e çfarë është Tirana.
Ligji i pronës është trajtuar, konceptuar dhe hartuar në bashkëpunim me ekspertizë shumë të lartë ndërkombëtare. Janë analizuar të gjitha modelet në të gjitha vendet ish-komuniste dhe madje jo vetëm në vendet europiane por edhe ne vende të tjera me historira të ngjashme. Konkluzioni ka qenë shumë i qartë: Shqipëria nuk e ka luksin të vazhdojë t’ju thotë pronarëve “Ju do t’i merrni të gjitha pronat mbrapsht” apo që të vazhdojë me historitë e kompensimeve, e pseudo-kompensimeve fizike që janë bërë një fushë spekulimesh dhe korrupsioni e pashoqe. Sa për dijeni, kemi arritur në pikën ku pronat e pretenduara janë dyfishi i sipërfaqes së Republikës së Shqipërisë. Shqipëria ka 28 mijë km katrorë, pretendohet 50 e ca mijë kilometra katrorë pronë, ku janë? Ku? Ndërkohë përditë ndeshemi me mijërat e hektarëve të marra padrejtësisht, të grabitura në emër të kthimit të pronës dhe të komensimit të pronës.
Prandaj, ju siguroj që çdo kriticizëm që i bëhet ligjit të pronës nga pozitat e pronarëve, nga pozita ekstreme gjoja në mbrojtje të pronarëve, – që i kanë lënë pronarët me gisht në gojë ndërkohë që pronat i morën ata që nuk kanë qenë kurrë pronarë, – apo nga pozitat e ekstremit tjetër janë ndoshta interesante për të bërë muhabet në kafenenë e fshatit këtu në këtë sallë por nuk kanë lidhje fare me zgjidhjen praktike të këtij problemi kaq të madh.
Siç kemi zotuar ashtu kemi bërë, e kemi zgjidhur çështjen e pronës. Nuk është zgjidhja ideale sepse zgjidhja ideale nuk ekziston, por është një zgjidhje konkrete, është një zgjidhje praktike, është një zgjidhje për të cilën vihen në dispozicion 500 milionë dollarë në 10 vjet. Një shumë që është kolosale në raport me mundësitë që ka Shqipëria por që e përballon plotësisht formulën e zgjidhjes.
Vetëm këtë vit janë 30 milionë dhe gjithë projeksioni është progresiv.
Të mos harrojmë dhe diçka tjetër, çështjen e pronës me këmbënguljen tonë, e kemi përfshirë në marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kemi kthyer, kemi paguar direkt detyrime të prapambetura të qeverisë shqiptare për çështjet e pronës dhe për gjyqet e pronarëve më shumë sesa në të gjitha vitet tuaja të marra sëbashku.
Vullneti ynë është që të mos akumulojmë më asnjë borxh në raport me vendimet dhe ligji e bën këtë të mundur.
Tema e tretë ka të bëjë me reformën në drejtësi.
Përsëri edhe një herë tjetër si çdo herë një punë të mirë të Policisë së Shtetit shqiptar e cila në bashkëpunim me DEA-n amerikanë ka marrë pjesë aktive prej muajsh e muajsh të tërë, lidhur me çështjen e nxehtë të një linje të trafikut të drogës, juve e përdorni në mënyrë më të paskrupullt për të sulmuar Policinë e Shtetit, për të sulmuar Ministrin e Brendshëm dhe për të sulmuar qeverinë.
Kjo është një gjë me të cilën jemi mësuar, jeni të pashembullt. A thua se jeni ju që bëni punën e policisë, a thua se jeni ju që bashkëpunoni me policitë partnere, a thua se jeni ju që ndaloni apo arrestoni kriminelë, apo a thua se ishit ju që vepruat këtu në këtë parlament edhe në ato raste të cilat në mënyrën më të paskrupullt përdorni për të na akuzuar ne.
Kjo është thjeshtë dhe vetëm shprehje e dëshpërimit tuaj.
Po të ishit kaq pasionantë për të luftuar krimin, për të luftuar korrupsionin duhet të ishit ju që çdo dittë të rrinit të dera e Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi dhe të prisnit para orarit zyrtar që të hapej dera, të uleshit aty dhe të mos dilnit ditë-natë pa bërë reformën në drejtësi. Ndërkohë që ju jeni ata që i shmangeni reformës në drejtësi, që i shmangeni reformës në drejtësi si djalli temjanit dhe nxirrni vetëm pretekste, vetëm alibi, vetëm përralla vetëm për të shtyrë reformën në drejtësi.
Dje ishte e fundit, “nuk ka rëndësi koha, ka rëndësi cilësia”. Cilësia?!
Po si do të bëhet më cilësore reforma në drejtësi? Duke e mbyllur derën siç mbyllet një shishe verë e duke e lënë të vjetërsohet dhe të përmirësohet vetë? Cilësia?! Hajdeni pra, uluni në tavolinë dhe të punojmë bashkërisht për cilësinë.
Ju i ikni reformës në drejtësi sepse reforma në drejtësi bën dy gjëra;
E para, e shemb piramidën e sotme të sistemit të drejtësisë, përtokë që të gjithën. Të gjithë strukturat dhe mekanizmat që ju sot i kontrolloni bien dhe ndërtohet një sistem krejtësisht i ri, ku kapaciteti i influencës politike dhe i vendimmarrjes përmes pazareve të partive politike minimizohet dhe ndërkohë janë struktura të krijuara brenda sistemit të cilat mundësojnë promovimin në pozita drejtuese apo kyçe të të gjithë njerëzve të sistemit.
Dhe nga ana tjetër, promovimi i kujtdo në sistem nuk do të behët duke peshkuar në kënetën tuaj, por do të bëhet pasi të thahet këneta. Me sistemin e vetingut, të monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë. Nuk do të ketë as Gjin as Gjon që do të mund të kalojë sistemin e veting-ut në rast se është i kompromentuar me vendimmarrje në të shkuarën apo në rast se ka gjëra për ti treguar në dritën e diellit për të shkuarën e vet.
Këto dy shtylla të sistemit të ri të drejtësisë janë dhe dy arsyet themelore pse ju i ikni e i ikni e i ikni e ikni reformës në drejtësi.
Sa për atë që citoi lidhur me çfarë tha ambasadori amerikan në mbledhje me ju, unë nuk merrem me çfarë thuhen pas dyerve. Ka të tjerë që e kanë atë zanat unë di të them vetëm kaq: lëreni këtë valle dhe uluni ti japim fund kësaj historie që po bëhet gjithmonë e më shumë një barrë e rëndë në kurriz të këtij populli dhe këtij vendi që meriton të çeli negociatat këtë vit, për tu bërë anëtarë e BE dhe në të njëjtën kohë, patjetër, jo për hir të negociatave por për hir të të drejtës për të pasur drejtësi meriton ta shikojë të shembet ketë sistem para syve të vet siç e garanton kjo reformë.
Lërini alibitë se nuk ju shpëton nga reforma në drejtësi as Frroku, as Rroku, as Noku, as Shulla, as Hazi, as Shullazi, as Saliu nuk ju shpëton dot nga reforma në drejtësi.
Kur degjova sot Mediun qe fliste ne foltoren e Parlamentit per ceshtjen e pronave ishte njesoj sikur te degjoje Hitlerin qe flet per te drejtat themelore,njerezore te Hebrejve.
Edhe ky nje m…ka bere pronat ka njerez qe nuk i kane marre akoma pronat e tyre qe ju takojn panvaresisht se kane dekumentat e pronesise keto jane bla bla bla te te gjithe politikaneve b…q… qe kur vjen puna per pronat jane te gjithe te korruptuar pa as me te voglin dallim nga njeri tjetri ketu hyn edhe ky “gjatoshi “
miremengjes redaksia e kesaj gazete ,
Ju lutem shume qe te botoni komentin tim dhe shpresoj qe ta lexoje zoti Edi Rama ,jam Ariana trashigimtare e pronave ne Dhermi .Eshte e kote qe kryeministri jone justifikohet perpara shqiptareve ne lidhje me ligjin e tokes kur nga ana tjeter u jep urdher jo ne ane ligjore ,dhe kjo eshte poshtersia e tij ,gjykatese te mos njohin tokat qe na ka lene ne trashegim gjyshi jone dhe jane me dokumente te verteta dhe origjinale nga arkiva e shtetit. Kemi vite te tera qe bejme gjygje e pas gjygjitit ,kemi harxhuar gjithe ato para ,qe po ti investonim ne tokat tona te ligjshme , nuk do te vuaninm ne mergim per nje vend pune sidomos tani ne nje moment krise qe po kalon dhe Evropa .Zoti Edi Rama ju nuk mund te me merrni pronat qe i ka fituar gjyshi im me pune me djerse dhe confort me ligjet e qeverise ,nuk mund ti merrni pronat e mia per te bere marreveshjet me biznesmenet me te medhenj per te realizuar qellimet tuaja ,nuk mund te pasuroheni ne kurriz te tjereve .Ekam degjuar me veshet e mi kur ishte fushata elektorale ju premtuat se do te sistemonit problemin e pronave ne bregdet dhe se ajo do te shkonte ne duart e pronareve te vertete ,por sic cdo fushate e politikaneve para jush ishte nje bllof per te marre votat dhe per te na kthyer kurrizin .Por nje gje duhet tjua them njerezit nuk jane budallenj dhe nuk harrojne juve i keni zhgenjyer shume .Une qe po ju shkruaj, jam nje bije e nje nder komunisteve te pare te 1941 ,ai ishte nje burrat e rrale si komunistet e tjere qe luftuan per nje demokraci per popullin jo per tu pasuruar qeverite dhe kane lene gjurme pas vdekjes ,kane lene nje emer prapa .Dhe une si bije e tij do luftoj me cfaredo lloj mjeti qe te me jepet ne dispozicion qe te marre tokat e gjyshit tim dhe te gjithe pronaret te marrin ate qe i takojnne ,nuk do tju lejoj juve dhe bashkepunetoreve tuaj te beni si te doni me pronat e mia qe do ti mbroj dhe me jeten time ne qofte se do te nevojitet.Prandaj ju keshilloj te shikoni mire kete ceshtjen e pronave dhe mundesisht ta zgjidhni sa me pare sepse pronat jane nje shprese per ne dhe familjet tona per te ardhmen ,i kemi trasheguar nga paraardhesit tane .Si do te vepronit ju kur te shikonit qe persona te tjere te vine ne shtepine tuaj dhe te vendosin tjua marrin ate dhe cfaredo prone tjeter pa dijenine tuaj ,nuk besoj se do ta lejonit nje gje te tille .Ne pritje te lajmeve te mira ,shpresoj dhe konfidoj se ju dhe bashkepunetoret tuaj do te merrni vendimin e duhur ne lidhje me ceshtjen e pronave qe tu shkoje ne duart e pronareve te ligjshem .
Me nderime
Ariana Kocani