100 për qind energji hidro, a është kjo shenjë zhvillimi a prapambetjeje e Shqipërisë?

19 Maj 2016, 19:25Ekonomia TEMA

Banka Botërore ka ndërtuar një databazë nga ku Shqipëria rezulton një rekord i pazakontë botëror. Një nga të paktat vende në planet që e siguron të gjithë energjinë elektrike nga uji. Po a është kjo diçka për t’u gëzuar?

Nga Gjergj Erebara

Si zakonisht, Shqipëria është e fundit në shumë gjëra dhe në mënyrë surprizë, e para në ca gjëra shumë të pazakonta. Një nga gjërat ku jemi, ndër të parët në planet, sipas një blogu të Bankës Botërore është prodhimi i energjisë elektrike me burime hidrike, d.m.th, me burime të rinovueshme dhe miqësore me mjedisin.

Sipas të dhënave të grumbulluara nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, janë pak vende në botë ku prodhimi i energjisë elektrike është 100 për qind hidro: Shqipëria, Bhutani, Lesoto, Islanda, Mozambiku, Kongo, Zambia e vende të tjera. Mes vendeve të pasura gjendet vetëm Norvegjia e Islanda ndërsa mes vendeve me të ardhura të mesme, dallimi i madh është Brazili.

Por a ka kjo ndonjë lloj domethënieje për Shqipërinë?

Pasja e 100 për qind hidro si burim energjie elektrike është njëkohësisht tregues i pasurisë dhe i varfërisë. Për disa vende të kufizuara, si Norvegjia, prodhimi 100 për qind hidro është pasojë e kombinimit të disa faktorëve fatlumë: një vend me territor të gjerë malor me numër të stërmadh lumenjsh dhe me popullsi të vogël. Kombinimi i bollëkut të ujit me popullsinë e vogël ka bërë që Norvegjia ta prodhojë të gjithë energjinë që dëshiron nga hidroenergjia, pa pasur nevojë që të ndërtojë termocentrale. Norvegjia prodhon gjithashtu sasi të stërmëdha nafte e gazi, por për energji elektrike i mjafton uji. Bhutani është në një situatë të ngjashme, ku për shkak se gjendet në një zonë malore buzë Himalajave, ka hidroenergji për konsumin e vet dhe për ta eksportuar në Indi. Por kjo nuk e ka bërë një vend të pasur, përkundrazi, Bhutani është një vend shumë i varfër. Në anën tjetër kemi disa vende të Afrikës, Mozambiku, Namibia apo Kongo. Mozambiku është një nga vendet më të varfra në botë, si për nga niveli ekonomik ashtu edhe për nga prodhimi i energjisë elektrike. Me një popullsi prej 25 milionë banorësh, (tetë herë më shumë se sa Shqipëria), Mozambiku prodhon 15 miliardë kWh energji në vit, (tre herë më shumë se sa Shqipëria).

Teknikisht, Shqipëria e ka të 100 për qind të prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet. Kjo është një trashëgimi jo tërësisht e dëshiruar e dështimit politik dhe shoqëror në administrimin e sektorit të energjisë elektrike që nga koha e rënies së komunizmit.

Në fakt, sistemi elektroenergjetik shqiptar nuk është konceptuar kurrë si një sistem 100 për qind hidro. Ai është konceptuar në masën së paku 30 për qind termoenergji dhe maksimumi 70 për qind hidroenergji. Problemi qe që përgjatë viteve, qeveritë shqiptare nuk qenë në gjendje të mirëmbanin termocentralet e trashëguara nga koha e komunizmit dhe nuk qenë në gjendje të ndërtonin termocentrale të reja. Për këtë arsye, në punë mbetën vetëm hidrocentralet.

Energjia elektrike është në fund të fundit, vetëm një nga llojet e energjisë që konsumohet zakonisht. Një vend mund të konsumojë pak energji elektrike dhe shumë energji fosile.

Pasja e 100 për qind të prodhimit hidro, nuk do të thotë gjithashtu se Shqipëria nuk e ndot mjedisin. Mesatarisht çdo vit 30 për qind e konsumit të energjisë elektrike në Shqipëri importohet nga vendet e rajonit, ku energjia elektrike prodhohet më së shumti me qymyr. E çfarë vlere mund të ketë prodhimi 100 për qind hidro në Shqipëri dhe importimi i një pjese të madhe nga termocentralet e Kosovës për të mbuluar deficitin? Rrjedhimisht, ndonëse blogu i Bankës Botërore na nxjerr si një nga vendet me prodhimin e energjisë më të pastër në botë, fakti është që ky nuk përbën as tregues të pastërtisë së energjisë që konsumojmë dhe as tregues të nivelit ekonomik apo të ndërgjegjësimit tonë mjedisor.

14 komente në “100 për qind energji hidro, a është kjo shenjë zhvillimi a prapambetjeje e Shqipërisë?”

  1. durresi says:

    çore pirdhu. energjia hidro-elektrike eshte energji super e paster dhe duhet te jemi krenar per nje te tille. per mendimin tim edhe ai 30% nqs eshte e mundur te planifikohet si energji hidro-elektrike.

  2. vjola says:

    TI thua qe e importojme nje pjese nga Kosova nepermjet teceve keto tece nuk te ndotin ty si Shqiperi por ne rang boteror thuhet qe vjen ndotja edhe nga Kosova.Mbetet te pranosh ate qe thone te tjere se ne duam ta nxijme realiretin.Po si nuk late nje rast pa vendosur nga nje klecke

  3. Brumbulli says:

    Edhe ketu peshtyve of haran? Mbetet gjithe kohen Duke share. Por qerohuni nga ky vend ne qofte see nuk ju pelqen!

  4. Luan says:

    Shkrim pa llogjike. Shqiperia me 100% energji hidro eshte mrekulli. Dhe kjo trashegim nga komunizmi, se tani po bllokohen HEc-et me te gjitha menyrat. Ne vend qe ambjentalistet te flasim mire per HEc-et qe prodhojne energji green, ata flasin brockulla. Ambientalistet te shikojne kodrat e gjelberta rreth Tiranes qe po zhduken cdo dite nga ndertimet dhe te ngrejne zerin ! Nuk ndotet ambjenti kur importojme energji, spse ne marrim korentin i cili eshte i paster, ai nuk eshte i ndotur. Cfar na duhet ne se cfar eshte prodhuar atje, me uje, me nafte, me gaz e tj. Apo ky gazetar don te mbaje barre e te tjereve ?!

  5. maximus says:

    ç’fare i ben njeriu natyres, e masakron ne menyren me bastarde, o njerez mos shkateroni me lumenjte dhe natyren, sepse shkenca eshte shume afer , drejt shfrytezimit te energjise diellore.

    1. A.R. says:

      Shkenca nuk eshe afer, Luan; eshte e disponueshme dhe me kosto gjithmone e me te uleta, qe tani. Mjaft te bejme nje zgjedhje dhe e kemi gati. Ne dhe brezat e rinj ne vijim.
      Te jap vetem kete te dhene qe me siguri duhet ta kesh hasur diku: qelezat fotovoltaike sot kane nje rendiment mese te dyfishte ne krahasim me pak vite me pare. Qe perkthyer ndryshe do te thote me pak qeleza, me pak hapesire, me pak shpenzime, per te njejten sasi energjie qe prodhohej ne 2012.
      Nuk eshte fantastike?

      Te pershendes,
      Andrea

  6. ODISEJA says:

    ENERGJIA SHQIPTARE ESHTE NGA ME TE SHTRENJTAT NE TREGUN BOTEROR PASI RUAN SHENDETIN E NATYRES SE SHQIPERISE DHE MBRON NJERZIT NGA SEMUNDJET KANCEROZE DHE KJO ESHTE ME E MIRA QE KA SHQIPERIA DERI ME SOT DHE DUHET TA MBROJME KETE ME GJAKUN TONE

  7. Shefqet Cela says:

    Me duket nje shkrim tendencioz i te nderuarit Erebara.
    E shtrydh ate cike tru, si e si qe te gjeje ndonje aergunent per neperkembur dinjitetin e popullit tone dhe institucioneve te tije politike, ekonomike e shkencore. Na solli si shembull qe importojme energji jo te paster nga Kosova. E vertete eshte; pooor pse nuk thote qe eksportojme edhe ne drejt Kosoves energji hidrike, kur kemi superprodhim nga rreshjet?
    Mua me duket se ka nje motiv: shpritin e zi. Ne kemi nje mije te meta dhe fatkeqesi, pooor edhe kete cike dinjitet kerkon ta cbeje harrami.

  8. A.R. says:

    Pa pike dyshimi shenje PRAPAMBETJEJE!
    Sidomos sot me teknlogjite e disponueshme mbi energjite e pastra e te rinovueshme: diellorja(apo fotovoltaike) dhe eolikja(e eres).
    Energjia e prodhuar nga digat(hec-et), nuk eshte aspak e paster, sepse eshte tejet shkaterruese per ekosistemet perreth. Mjaft te mendosh se per shkak te digave prurjet ujore te shume lumenjve humasin deri ne 42%! Nuk dua te zgjatem me tej per pasojat e tjera shkaterruese te hec-eve, por mendoni vetem krizat e energjise pergjate thatesirave. Vetem nje vend i çmendur ngre vetem diga; nje vend me njerez inteligjente i larmon burimet energjitike, ne menyre qe prodhimi mos te jete i varur nga tekat klimaterike.

    E theksoj edhe njehere per ata politikane driteshkurter qe joshen nga investitore digash qe do t’i quaja me drejt, BATAKÇINJ E SHKATERRUES TE NATYRES: Me diellin dhe eren qe ka, Shqiperia me jo shume shpenzime, brenda 6-7 vjetesh mund te arrije te prodhoje 60-70% te energjise se nevojshme, nga Dielli dhe Era. Dhe brenda 8-9 vjetesh mund ta tejkaloje kuoten 100%, qe do t’i lejonte çmontimin dhe prishjen e plote te digave te vjetra socialiste, per t’ia kthyer limenjte, liqenet dhe rezervuaret, memes Natyre.
    Nuk eshte fantashkence, eshte plotesisht e realizueshme dhe kostot nuk do te jene fort te larta. Bile do te na kushtonte me pak se super-rruget skadente te ketyre 25 vjeteve; me diferencen e thelle qe energjine e “mjel” qe ne diten e pare te operativitetit te impianteve.
    E them kete jo vetem si inxhinier elektro-mekanik i turbinave eolike(per llogari te nje kompanie nordike), por si dashamires i Natyres. Nuk mund te vazhdojme me si me logjiken vjeter te shfrytezimit e shkaterrimit te eger te ekosistemeve natyrore, pa pritur pasoja katastrofike ne te ardhmen. Çdo shkaterrim ka nje cak, pertej te cilit te pret humnera. Qe eshte plotesisht e evitueshme nese sot arsyetojme e veprojme me mendje te kthjellet.

    Andrea Radi

  9. shaqo says:

    Po mor Erbari, energjia qe prodhohet ne Kosove dhe importohet ne Shqiperi eshte nga qymyri, por tymi i qymyrit nuk vjen dot nga telat e te ndote ambjentin tend. Cfare lesh gazetari e argumenti.

  10. Kot says:

    Shkrim pa vlere. BB thjesh tregon nuk gjykon. Ti po krahason. Kush te pyeti? Na dole ne perfundimin qe qekemi idiot qe prodhojme energji te paster, debil. Ai 30 qe na mungon behet dhe pa hec-e.

    1. A.R says:

      Nuk eshte shkrim i pavlere, eshte nje debat mbi nje çeshtje qe po behet paresore sot. Sa me shume ta njohim nga afer, aq me te qarta do t’i kemi idete se ne ç’drejtim duhet te shkoje Shqiperia ne fushen energjitike. Sepse burimet e shfrytezueshme jane te shumta, por disa prej tyre te shpien ne katastrofe; ndersa disa te tjera te bejne superfuqi pa e cenuar aspak ambientin dhe gjallesat.

      Andrea

  11. normali says:

    Shaqo, jane çmendur keta njerez sado universitetet te kene mbaruar. Nuk perjashtoj energjine nga panalet diellore dhe era, por per hidrocentralet veçse energjia eshte e paster, ndersa ekosistemit nuk i prishet asgje , çfrytezon ujin pa e harxhuar, vetem se i merr forcen e rrotullimit te turbinave dhe nuk humbet asgje, vetem fiton. E kupton naivitetin e ketyre njerzeve qe edhe hidrocentralet i quajne komuniste, si ky Erbara me larte? Kjo eshte çmenduria e njerzeve pa asnje filozofi vetem se si te nxijne edhe ndonje arritje qe ka vendi apo ai popull. Se se ç’ben; jetojme jo ne ekonomine e tregut por ne politiken e tregut, ku te gjithe shesin e blejne politike e jo buke e gjelle si ky Erbara.

    1. A.R. says:

      Normal,
      ne radhe te pare mos gjyko ate qe s’njeh, se nuk eshte shume normale!

      Se dyti, po te studjoje sadopak, do te zbuloje qe energjia e hidrocentraleve edhe pse me e paster se ajo e tec-eve apo centraleve berthamore, nuk eshte aspak e paster dhe ka nje kosto te rende per ambientin, njerezit dhe gjallesat perreth.

      Se treti, nuk po gjykon njeri sistemin e vjeter socialist ketu. Hidrocentralet asokohe ishin te paevitueshme, duke pare edhe izolimin e thelle te vendit dhe financat jo fort solide. Por me kalimin e kohes gjerat vjeterohen dhe shkenca ecen perpara. Sot kemi mundesine, fale edhe klimes se favorshme mesdhetare, qe te bejme edhe pa hidrocentralet, qe e perseris: JANE TEJET SHKATERRUESE TE EKOSISTEMEVE! Nuk ka nevoje te humbasesh muaj e muaj per te studjuar efektet e ketyre veprave, mjaft te lexosh dy rreshta dhe te krahasosh te dhenat me realitetet e vendeve qe e shfrytezojne ne mase energjine e digave ujore. Te ftoj ta besh me seriozitet, ne menyre qe te zbulosh se e verteta eshte me te vertete e hidhur.
      Natyrisht s’mund te ta tregonin ate ne ato kohe; se çdo veper e atehershme ishte motiv krenarie e nderi. Kjo nuk eshte kritike ndaj sistemit te vjeter, por fakt.
      Edhe nje keshille te fundit: mos sulmo autorin e kesaj analize – sado jo profesionale; se vetem hapi nje debat te paanshem mbi burimet e energjitike shqiptare. Debate te tilla jane mese te mirepritura, per te reflektuar thelle sesi mund te kemi maksimumin e energjise se nevojshme, pa renuar ekilibrat e natyres prej se ciles te gjithe ne varemi.

      Respekt,
      Andrea

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje